Dy lojtare me mbiemrin Mulaj e tri tjera me mbiemrin Ferizaj. Ndonëse e grumbulluar për herë të parë me këtë gjeneratë në verën e kaluar, përfaqësuesja U-17 e Kosovës në hendboll ka pasur në përbërje lojtare që janë kuptuar shumë mirë mes vete.
Motrat Melisa e Elisa Mulaj ishin prej lojtareve kryesore në Evropianin e Divizionit B që u mbajt në Itali gjatë gushtit. Fillesa, Erza e Larisa Ferizaj po ashtu ishin lojtare me peshë te Kosova U-17. Erza e Larisa janë motra, ndërsa Fillesa është vajza e axhës së tyre.
Tri hendbollistet e familjes Ferizaj luajnë për Shqiponjën e Gjakovës. Ato janë nga Deçani. Pos te Shqiponja së bashku kanë luajtur edhe te Kosova e po ashtu shpresojnë që të luajnë edhe në të ardhmen në përfaqësuese së bashku.
“Jemi nga një familje dhe ushtrojmë së bashku. Erza e Larisa janë binjake, ndërsa unë i kam vajza të axhës. Jemi të Deçanit ndërsa luajmë në Gjakovë. Unë jam portiere, Larisa luan qendër, ndërsa Erza është alo”, ka treguar Fillesa Ferizaj të hënën për Koha.net.

“Natyrisht që është përparësi që luajmë së bashku. Ushtrojmë së bashku dhe kuptohemi më mirë me njëra-tjetrën. Është edhe interesant që tri lojtare nga një familje të luajnë në një klub dhe në përfaqësuese”, ka shtuar portierja perspektive.
Në verë Evropianin e ka pasur edhe përfaqësuesja U-19 e Kosovës. Elisa e Melisa Mulaj kanë luajtur edhe për përfaqësuesen U-19. Ato janë me prejardhje nga Peja, ndërsa jetojnë në Norvegji. Në shumë raste motrat Mulaj janë shprehur krenare për mundësinë që të luajnë për Kosovën.

Për U-19 të Kosovës kanë luajtur edhe motrat tjera, Sara e Rina Rexhepi, që jetojnë në Danimarkë, raporton Koha.net.
Aktualisht motrat më të njohura në hendbollin kosovar janë Marigona e Arlinda Hajdari. Ato në dhjetor janë bashkuar me Kosovën A dhe kanë impresionuar në debutim. Pritet të jenë bartëse të lojës së Kosovës në të ardhmen. Motrat Hajdari bëjnë karrierë në Danimarkë.

“Është përparësi e madhe të luash me motrën në një ekip. Secila ka dëshirë të ketë motrën afër, jo vetëm në lojë por në çdo gjë. E ke afër një person që të kupton më mirë se çdo kush tjetër. Ndër të tjera mund të shprehemi më direkt me njëra-tjetrën, pa na mbetur hatri. Kemi dëshirë të shohim njëra-tjetrën më mirë. Ka edhe shumë raste kur kuptohemi vetëm me një shikim. Për shumë gjëra është më e lehtë kur e ke motrën afër, në një ekip. Unë jam shumë falënderuese që luaj së bashku me motrën në një ekip”, ka thënë Marigona Hajdari për Koha.net.