Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll e ka përfunduar të dielën paraqitjen në Kampionatin Evropian të Divizionit B.
Paraqitja nuk ishte e suksesshme. Kosova U18 u rendit e fundit, përkatësisht e 22-ta prej 22 përfaqësueseve të nivelit të dytë.
Në ndeshjen për vendin e 21-të, Kosova u mposht nga Azerbajxhani me rezultat 81:77.
Kosova U18 i ka humbur të gjitha ndeshjet në Evropianin në Rumani.
Në grup u mposht nga Hungaria me rezultat 91:66, nga Estonia, 95:61, nga Zvicra, 81:77, nga Çekia, 85:69, dhe nga Finlanda me rezultat 85:78.
Për plasman, basketbollistët e rinj kosovar fillimisht pësuan nga Norvegjia me shifrat 82:76.
Dhe vazhduan me humbje të dielën nga Azerbajxhani.
Besim Bytyqi u dallua gjatë gjithë kampionatit te Kosova. Të dielën luajti me 32 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.
Mal Tusuni i realizoi 18 pikë e 13 kërcime. Edin Baçevac e përfundoi takimin me 12 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.
"Përkundër rezultatit përfundimtar, pjesëmarrja në këtë kampionat ka sjellë përvojë të vlefshme për basketbollistët e rinj, të cilët pritet të rriten e të kontribuojnë në të ardhmen për ekipet kombëtare", ka shkruar FBK-ja.
E fundit në Evropianin e Divizionit B ishte Kosova U18 në konkurrencë të vajzave.
Kosova U16 te vajzat po ashtu kishte Evropian të pasuksesshëm. U rendit e gjashta në Evropianin e Divizionit C të mbajtur në Pejë.
Suksesin më të madh e kishte Kosova U20 te djemtë. U rendit e teta në Evropianin B. Për herë të parë një përfaqësuese e Kosovës në grupmosha të reja arriti në çerekfinale të Evropianit B.
Kosova U20 i fitoi tri ndeshjet e para në Armeni, por më pas humbi katër ndeshje rresht. Ka mbetur të garojë vetëm edhe Kosova U16 te djemtë. Do të paraqitet në Evropianin B në Shkup.
Është në grup me Holandën, Danimarkën, Islandën, Kroacinë e Ukrainën.