Federata e Futbollit të Kosovës të martën ka lëshuar një njoftim ku ka paraqitur punë të bëra në muajt e parë të vitit e po ashtu projektet tjera të parapara për këtë vit.
Lidhur me njoftimin e FFK-së në mbrëmje ka reaguar trajneri i Llapit, Tahir Batatina që nga shumë palë vlerësohet zëri i bllokut opozitar në futbollin kosovar. Batatina ka vënë hije dyshimi në shumë prej të dhënave të prezantuara nga FFK-ja.
FFK-ja ka paraqitur marrëveshjet e arritura dhe projektet e parapara për këtë vit dhe disa që tashmë kanë nisur. Ndër të tjera FFK-ja ka dhënë informata për kampin nacional në Obiliq dhe për kampin edukativ në Hajvali, shumë të përfolur në ditët e fundit, raporton Koha.net.
Janë përmendur edhe projekti i 100 fushave, shtimi i tribunës në “Fadil Vokrri”, shtëpia e futbollit. Po ashtu FFK-ja ka paraqitur tabela lidhur me të hyrat financiare të klubeve në pjesën e deritashme të vitit.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është marrë thuajse me të gjitha pikat e paraqitura nga FFK-ja. Batatina ka kërkuar të publikohet marrëveshja me Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa për marrëveshjen me Federatën e Katarit ka thënë se “mbahet mend si skandal”. Trajneri llapjan ka vënë në dyshim edhe marrëveshjet tjera, ndërsa ka “prekur edhe temën e investimeve në fushën e Hajvalisë.
“Gënjeshtra e madhe e radhës me Kuvendin Komunal të Prishtinës është një kontratë për të marrë në shfrytëzim për 30-40 vjet, ku nuk ceket kurrfarë kampi apo diçka tjetër. Pyesim Agim Ademin se çka do të bëj me Obiliqin, si ka mundësi që Kosova të jetë me dy kampe në një qytet, e federatat më të fuqishme e kanë vetëm një kamp. Kur e morën këtë vendim që të investohet në dy kampe dhe a ka kapacitete financiare dhe njerëzore që të mbahen dy komplekse nga FFK”, ka shkruar Batatina.
Sipas Batatinës, “skandali dhe mashtrimi më i madh” është te tabela e shpërndarjes së mjeteve financiare. Batatina ka prezantuar të dhëna të shumta për këtë pikë.
Ka kohë që një grup që prezanton Batatina është opozitë e drejtuesve aktual të FFK-së.