Walter Mazzarri beson se ai kontribuoi në fitimin e titullit të Napolit edicionin e kaluar për shkak të përparimit që ai i bëri ekipit si trajner i klubit jugor një dekadë më parë. Triumfi i Napolit në Kupën e Italisë në vitin 2012 nën drejtimin e Mazzarrit ishte trofeu i ekipit që nga ditët kur Diego Maradona luajti për klubin. Ai gjithashtu e udhëhoqi Napolin drejt vendit të dytë në Serie A një edicion më vonë. Tani Mazzarri është rikthyer në krye të ekipit, pasi ka zëvendësuar Rudi Garcian e shkarkuar dhe do të debutojë në udhëtim tek Atalanta të shtunën me Napolin e vendit të katërt, 10 pikë prapa liderit Inter.
“Ne bëmë shumë. I gjithë përparimi që ka bërë klubi ka filluar me mua”, tha Mazzarri të premten në konferencën e tij të parë për shtyp që nga ndryshimi i trajnerit në fillim të pushimit ndërkombëtar. “Pastaj klubi bëri një punë të mirë duke u përmirësuar gjithmonë çdo vit”.
Aq shumë ka përparuar Napoli vitet e fundit, sa Mazzarri – i cili ka drejtuar gjithashtu Sampdorian, Interin, Watfordin, Torinon dhe Cagliarin – tashmë pohon se ky është ekipi më e mirë që ai ka drejtuar ndonjëherë. Por, a mund të rikthejë Mazzarri Napolin në garë për ta mbrojtur titullin e kampionit?
“Çfarë kuptimi ka të bësh shpallje të tillë?”, tha 62-vjeçari Mazzarri. “Le të fillojmë të fitojmë ndeshjet, pastaj përfundimisht mund të shikojmë lart. Kur vjen në mes të edicionit si ky në një moment kaq delikat, nuk mund të deklarosh synime. Ne do të bëjmë një bilanc në fund të edicionit”.
Shkarkimi i francezit Garcia erdhi pasi Napoli humbi në shtëpi nga Empoli – disfata e tretë në shtëpi këtë edicion pas vetëm dy humbjeve që i kishte në total edicionin e kaluar.
Në prag të ndeshjes me Atalantan, skuadra e Napolit ka marrë një lajm të mirë. Sulmuesi i Nigerisë, Victor Osimhen mund të rikthehet në këtë ndeshje dhe gjasat janë të mëdha që të jetë titullar te Napoli. Osimhen ka qëndruar jashtë fushe për më shumë se një muaj për shkak të lëndimit të kofshës së këmbës, të cilin e pësoi gjatë grumbullimit me Përfaqësuesen e Nigerisë. Në tetë ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat, sulmuesi 24-vjeçar ka shënuar gjashtë gola për Napolin.
“Besoj se Osimhen, më në fund do të jetë i gatshëm për lojë. Megjithatë, për inkuadrimin e tij, do të vendosim në ditën e ndeshjes pasi e kemi edhe një konsultim me mjekët e klubit”, insistoi Mazzarri.
Megjithatë, Mazzarri ka pranuar se debutimi i tij në krye të Napolit në udhëtim te skuadra e Atalantas nuk do të jetë aspak i lehtë. Atalanta ka vetëm një pikë më pak se Napoli, ndërsa edhe këtë edicion ka vazhduar me paraqitje të mira në Serie A.
“Është një prej ndeshjeve më të vështira dhe këtë jua garantoj personalisht, pasi Atalanta është një skuadër shumë e fortë”, ka pranuar Mazzarri. “Për asnjë ekip nuk është lehtë të përballet me Atalantan, sidomos në stadiumin e saj”.