Pasi mposhti Drenicën në Skenderaj, Trepça ’89 po synon fitoren edhe ndaj një rivali tjetër në luftën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nga Mitrovica të shtunën prej orës 13:00 përballet me Ferizajn në stadiumin “Riza Lushta”, në duelin që i takon xhiros së 25-të.
89-shi të mërkurën triumfoi 2:1, për ta regjistruar fitoren e dytë në gjashtë ndeshje të luajtura në stinorin pranveror. Kjo fitore e ngriti ekipin mitrovicas në pozitën e shtatë në tabelë, ndërsa e fundosi Drenicën në vendin e fundit. Trepça ’89 ka 29 pikë të mbledhura deri më tani, pesë më shumë se Ferizaj që renditet i parafundit (9).
Mesfushori Rilind Nimani, i cili me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë ia siguroi Trepçës ’89 fitoren ndaj Drenicës, ka insistuar se kundër Ferizajt synojnë vetëm pikët e plota. Sipas Nimanit, fitorja e fundit ka ngritur dukshëm moralin e skuadrës mitrovicase, e cila është plotësisht gati për këtë përballje direkte për mbijetesë.
“Pas fitores ndaj Drenicës, morali i ekipit është rritur shumë dhe jemi super të motivuar për ndeshjen ndaj Ferizajt, të cilën e luajmë në shtëpinë tonë. E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë, pasi ndoshta është kushtet nuk do të na lejojnë të aplikojmë lojë të bukur. Por jemi gati që me angazhim maksimal t’i fitojmë tri pikët e radhës. Kjo fitore do të ishte shumë e rëndësishme për ne”, është shprehur Nimani, i cili këtë sezon ka një gol dhe një asistim për Trepçën ’89. Ai ka më shumë detyra defansive.
Edhe Ferizaj e ka fituar ndeshjen e fundit. Ka fituar 2:1 ndaj Llapit për t’u larguar nga pozita e fundit në tabelë. Në fakt të dy ekipet kanë triumfuar me përmbysje të rezultatit.
Te Ferizaj kanë theksuar se në Mitrovicë udhëtojnë për fitore. Këtë përballje e vlerësojnë si më të rëndësishmen deri më tani këtë edicion. Në pranverë Ferizaj ka vetëm një humbje, të cilën ia shkaktoi Drenica vikendin e shkuar. Për duelin në Mitrovicë, Ferizaj do të jetë i kompletuar. Në përbërje kthehet kapiteni Bujar Shabani që mungoi ndaj Llapit për shkak të suspendimit. Ai thekson se Ferizaj synon pikët e plota në stadiumin buzë lumit Ibër.
“Mund të them se kjo është ndër ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni për shkak se përballemi me kundërshtarin direkt për mbijetesë. Jemi përgatitur aq sa na ka lejuar koha e shkurtër, por fitorja e fundit ka mbushur ekipin me besim edhe më të madh. Pa fije dyshimi futemi ndaj Trepçës ’89 vetëm për fitore, pasi kështu mund ta arrijmë synimin tonë në fund të sezonit”, është shprehur Shabani të premten.
Të shtunën zhvillohet edhe një duel tjetër me ndikim në garën për mbijetesë. Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini, që fitoi xhiron e shkuar në udhëtim te Malisheva, e pret Drenicën që ka vetëm një fitore karshi pesë humbjeve këtë vit.
Xhiroja do të mbyllet të dielën me tri ndeshje. Në program është derbi i madh ndërmjet Dritës dhe Gjilanit. Drita është vendase dhe të premten ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është vendosur që ndeshja të luhet pa praninë e shikuesve për shkak të kushteve të sigurisë në stadiumin me bar sintetik.
Superliga - 25
E shtunë (13:00)
Trepça ’89 – Ferizaj
Dukagjini – Drenica
E diel (13:00)
Drita – Gjilani
Llapi – Ballkani
Prishtina - Malisheva
1. Ballkani 24 14 8 2 41:22 50
2. Drita 24 14 6 4 47:25 48
3. Gjilani 24 10 9 5 24:24 39
4. Prishtina 24 8 8 8 30:25 32
5. Dukagjini 24 8 5 11 22:25 29
6. Llapi 24 8 5 11 28:35 29
7. Trepça ’89 24 6 8 10 32:40 26
8. Malisheva 24 6 7 11 38:40 25
9. Ferizaj 24 5 9 10 21:37 24
10. Drenica 24 6 5 13 22:32 23