Shanset janë kundër Manchester Unitedit, ndërsa fituesi i trefishtë i Kupës Evropiane po lufton për të shmangur eliminimin e hershëm nga Liga e Kampionëve.
Unitedi përballet me Bayern Munichun në “Old Trafford”, të martën prej orës 21:00, dhe duhet t'i japë fund rekordit prej 39 ndeshjeve pa humbje të ekipit gjerman në fazën e grupeve. Vetëm me fitore Unitedi mund të ketë rast për të avancuar me sukses përtej fazës së grupeve. Mirëpo, edhe fitorja mund të mos mjaftojë, me ekipin e trajnerit Erik ten Hag që është i fundit në Grupin A dhe gjithashtu mbështetet në një barazim midis Copenhagenit dhe Galatasarayt në ndeshjen tjetër të grupit. Unitedi ka katër pikë, një më pak se Galatasaray e Copenhageni, ndërsa Bayerni si lider me 13 pikë ka kohë që ka siguruar kualifikimin në fazën nokaut. Nëse ka fitues në Danimarkë, Unitedit nuk i mjafton fitorja me skuadrën gjermane.
Të martën mbrëma janë ndeshjet e fundit në grupet A, B, C dhe D të Championsit.
“Kurrë nuk mendojmë për një skenar negativ, ne mendojmë pozitivisht dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Të fitojmë për të qëndruar në Evropë. Me besimin e plotë, jam i bindur se mund ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë trajneri Ten Hag.
Konsistenca ka qenë problemi më i madh për Ten Hagun këtë edicion. Kjo u ilustrua në mënyrë të përkryer javën e kaluar kur Unitedi mposhti Chelsean 2:1 të mërkurën, përpara se të pësoj në shtëpi 3:0 nga Bournemouthi në vikend.
“Do të jetë një ndeshje mes gjigantëve të lënduar, duke pasur parasysh se dyja skuadrat kërkojnë të kthehen te fitorja pas humbjeve të thella që pësuan në kampionat”, tha trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel, duke iu referuar humbjes 5:1 të gjigantit bavarez në kampionat nga Eintracht Frankfurti.
Edhe nëse Unitedi eliminohet nga Championsi, ka gjasa të vazhdojë garat në Ligën e Evropës nëse përfundon i treti në grup.
Në Grupin B, Arsenali ka siguruar vendin e parë, ndërsa PSV-ja vendin e dytë. Arsenali udhëheq me 12 pikë, ndërsa PSV-ja i ka tetë pikë në vendin e dytë. Lensi është i treti me pesë pikë, ndërsa Sevilla ka tri pikë në vendin e katërt. Nga ora 18:45 janë ndeshjet Lens – Sevilla dhe PSV Eindhoven – Arsenal.
Në Grupin C ka mbetur të përcaktohet skuadra që i bashkohet Real Madridit në fazën nokaut.
Napoli luan në shtëpi kundër Bragas prej orës 21:00 dhe kampionit të Italisë i mjafton barazimi në këtë ndeshje për të avancuar. Madje Napoli avancon edhe me humbje prej një goli dallim. Braga del në vendin e dytë vetëm nëse e mposht Napolin në “Diego Armando Maradona” me dy apo më shumë gola diferencë.
Union Berlini luan në Gjermani me Real Madridin, që në pesë ndeshjet e para ka shënuar po aq fitore.
Real Madridi udhëheq me 15 pikë. Napoli i ka shtatë, Braga katër e Union Berlini dy pikë.
Në grupin D gjërat janë të definuara sa u përket dy skuadrave që shkojnë në fazën nokaut të Championsit. Megjithatë, dueli mes Interit dhe Real Sociedadit do të përcaktoj se cili ekip do të përfundoj i pari. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 21:00. Në të njëjtën kohë në Austri, Salzburgu e pret Benficën në duelin tjetër të këtij grupi.
E martë
Grupi A
Man. Utd – Bayern M. (21:00)
Copenhagen – Galatasaray (21:00)
1. Bayern M. 5 13
2. Copenhagen 5 5
3. Galatasaray 5 5
4. Man. Utd 5 4
Grupi B
Lens – Sevilla (18:45)
PSV Eindhoven – Arsenal (18:45)
1. Arsenal 5 12
2. PSV Eindhoven 5 8
3. Lens 5 5
4. Sevilla 5 2
Grupi C
Napoli – Braga (21:00)
U. Berlin – Real Madrid (21:00)
1. Real Madrid 5 15
2. Napoli 5 7
3. Braga 5 4
4. U. Berlin 5 2
Grupi D
Salzburg – Benfica (21:00)
Inter – R. Sociedad (21:00)
1. R. Sociedad 5 11
2. Inter 5 11
3. Salzburg 5 4
4. Benfica 5 1