Sport

Xhudistja e podiumit

Distria Krasniqi ka fituar medalje në secilën garë ku është paraqitur në dy vjetët e fundit

Botërori i vitit 2018 është gara e fundit në të cilën Distria Krasniqi nuk ka fituar medalje. Prej atëherë xhudistja 24-vjeçare ka zënë vend në podium në secilën garë në të cilën është paraqitur. Për dy vjet Distria ka fituar 12 medalje, disa prej tyre shumë të vlefshme.

Ajo të enjten e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 48 kilogramë, në Kampionatin Evropian për seniorë që po mbahet në Pragë të Çekisë. Distria ishte bartësja e parë në kategori dhe pretenduese e madhe për medalje të artë. Por në fund e fitoi të bronztën. Fitoi ndaj Aisha Gurbanlit (Azerbajxhan), Irina Dolgovas (Rusi) dhe Melanie Clement (Francë). Humbi nga francezja tjetër, Shirine Boukli.

Pasi ishte ndalur në luftën e dytë në Botërorin e vitit 2018, më 20 shtator të atij viti, Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit të artë në Grand Prix të Tashkentit dhe të bronztë në Grand Prix të Hagës. Në dhjetor të vitit 2018 kishte fituar Mastersin në Guangzhou, garë që mbledh xhudistët më të mirë në secilën kategori.

Vjet në Grand Slam të Parisit ishte e dyta, në Grand Prix në Antalya e para, në Grand Prix të Budapestit e dyta, ndërsa në Botërorin për seniorë e zuri vendin e tretë. Në fund e fitoi edhe të artën në Masters, për herë të dytë.

Sivjet fitoi të artën në Grand Slam të Parisit në muajin shkurt dhe po ashtu të artën në Grand Slamin e Budapestit, më 23 tetor. Ishte gara e parë pas rifillimit të aktiviteteve të xhudos pas ndërprerjes për shkak të pandemisë. Serinë e vazhdoi me të bronztën në Evropian.

Distria në një garë ka lëvizur nga kategoria 48 kilogramë në atë deri 52 kg. Ka lëvizur edhe në podium, por atij nuk i është ndarë.

Dhe kjo seri pritet të vazhdojë ende.

“Shpresoj që në çdo garë do të jem pjesë e podiumit. Nuk ka rëndësi se cilën medalje e marr. Ka më shumë se dy vjet që në çdo garë që kam marrë pjesë, kam fituar medalje. Shpresoj që të vazhdoj kështu”, ka thënë Distria Krasniqi të premten për KOHËN.

Ajo gjatë dy vjetëve të fundit ka lëshuar të paktën një garë të rëndësishme. Vjet për Lojëra Evropiane, që në xhudo patën vlerën edhe të kampionatit evropian, nuk arriti peshën dhe mbeti pa garuar. Është dashur të garojë në kategorinë deri 48, por kishte ndonjë kilogramë më shumë. Pesha e ka penalizuar disa herë në karrierë, por ky telash i takon së kaluarës.

Tani është stabilizuar në kategorinë deri 48 kilogramë, në të cilën edhe do të “sulmojë” medaljen olimpike, verën e ardhshme.

Por deri te Lojërat Olimpike ka ende kohë. Distria momentalisht po e shijon suksesin e fundit, medaljen e dytë në kampionate evropiane për seniorë.

“Jam e kënaqur me paraqitjen që e kam pasur. Kam pritur më shumë në fakt, por prapë jam shumë e gëzuar që jam kthyer me medalje”, ka theksuar Krasniqi.

Image

Trajneri Driton Kuka ka vlerësuar shumë lart suksesin e Distrisë. Ekipi i tij është përballur me një javë të vështirë, për shkak të rasteve me COVID-19 dhe lëndimeve. Është dashur që të garojnë nëntë xhudistë të Kosovës në Evropian, por marrin pjesë vetëm tri xhudiste. Javën e kaluar u paraqit rasti i parë me COVID-19, ndërsa situata ishte e paqartë deri para udhëtimit, të hënën. Në fund u zbuluan edhe raste tjera dhe ekipi u tkurr goxha shumë. Por prapë Kosova fitoi medalje, si në çdo garë tjetër.

Situata e rënduar ka ndikuar edhe te Distria, ndonëse ajo nuk doli pozitiv dhe mori pjesë.

“Ka mundësi që ka ndikuar gjendja që e kaluam, që unë mos të kem koncentrimin maksimal që duhet të kemi për një kampionat. Deri në ditën e fundit nuk e kam ditur sigurt se a do të marr pjesë apo jo. Ka qenë një javë me shumë stres, por jam e gëzuar që më në fund arrita të marr medalje”, ka theksuar Krasniqi.

“Për mua kjo medalje është shumë me rëndësi. Është medalje e kampionatit evropian, e garës kryesore të vitit. Është e dyta medalje që e marr për senior, por natyrisht synoj edhe shumë të tjera”.

Të enjten garoi edhe Flaka Loxha, që u ndal në luftën e dytë. Të shtunën garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Ajo vlerësohet kandidate për medalje. Dy medalje do të ishin bilanc shumë i mirë për Kosovën. Por edhe medalja e Krasniqit e bën evropianin të suksesshëm.

Image