Në Tokio po mbahet njëra prej ngjarjeve kryesore të vitit – Kampionati Botëror i atletikës.
Botërori ka nisur më 13 shtator, ndërsa përfundon të dielën. Në kryeqendrën japoneze po garojnë 2.202 atletë nga plot 198 shtete. Garat janë interesante, ka rekorde botërore, ka momente që hyjnë në histori e plot ngjarje që frymëzojnë qindra mijëra fëmijë nëpër botë që të merren me sport.
Në Botërorin e atletikës garoi edhe Kosova. U prezantua përmes atletes Greta Bakraçi, që u paraqit në garën kualifikuese në 1.500 metra.
Atletja me përvojë kishte kohë prej 4 minuta, 22 sekonda e 6 të qindtat. Ishte e 54-ta prej 57 vrapueseve që u paraqitën në kualifikimet në 1.500 metra. Prapa Bakraçit mbetën një atlete nga Norvegjia, një nga Uruguai dhe një nga Laosi.
Gjysmëfinalja ishte shumë larg për atleten kosovare. 4 minuta, 8 sekonda e 67 të qindtat ishte koha e fundit që siguroi kalimin në gjysmëfinale.
Në fund kampione u shpall Faith Kipyegon e Kenisë me kohë prej 3 minutash, 52 sekonda e 15 të qindtat. Federata Atletike e Kosovës lëshoi dy njoftime për Botërorin në Japoni. Të parin për pjesëmarrjen e Bakraçit dhe synimet e saj. Të dytin, me titull “Përfaqësim i denjë nga Federata Atletike e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, lidhur me takimet e drejtuesve të Federatës në Tokio.
Por nuk u lëshua asnjë njoftim për garën e atletes kosovare në Botëror. Si shumë herë në të kaluarën e po ashtu si shumica e federatave, Federata Atletike e Kosovës njoftoi për pjesëmarrje e jo për rezultat.
Mosarritja e synimeve shpresohet të kalohet sa më shpejt në federatat sportive të vendit. Nëse kjo mund të bëhet në heshtje, edhe më mirë.
Shumë herë janë sportistët që kërkojnë të mos publikohen rezultatet e tyre. Në shumë raste federatat vendosin për një “politikë” të tillë, për të shmangur kritikat eventuale.
Gresa Bakraçi ka dhënë maksimumin në Botëror, njëjtë si në ngjarjet e tjera të mëparshme. Për Federatën Atletike të Kosovës më brengosëse se rezultati i 30-vjeçares duhet të jetë mungesa e atletëve të rinj me potencial, që synojnë paraqitjen e potencialisht suksesin në Botëror. Për shembull kalimi në gjysmëfinale do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për atletët kosovarë. Por kjo duket ende shumë larg.
Në Zagreb të Kroacisë është duke u mbajtur Kampionati Botëror i mundjes.
Më 13 shtator, Federata e Mundjes e Kosovës njoftoi për pjesëmarrjen e Egzon Xhonit në kategorinë deri 74 kilogramë. Gara e tij u zhvillua më 14 shtator. Por FMK-ja nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për rezultat.
Mundësi kosovar nisi garimin në 1/16 e finales. Pësoi 11:0 nga Jose Montero Chirinos i Venezuelës. Në raundin tjetër Chirinos pësoi 5:0.
Në kategorinë deri 74 kilogramë në stil të lirë, japonezi Kota Takahashi e fitoi të artën. Ai e fitoi finalen ndaj mundësit që përfaqëson Shqipërinë, Chermen Valiev. Valiev pësoi lëndim të rëndë në finale, por vazhdoi luftën deri në fund. Kjo sakrificë e mundësit me prejardhje nga Rusia ka bërë bujë në komunitetin e këtij sporti.
Këtë muaj është mbajtur edhe Kampionati Botëror i boksit amator. 540 boksierë nga 68 shtete garuan në Liverpool.
Paraqitja e Kosovës ishte pa ndonjë bujë e pa ndonjë sukses të madh. Federata e Boksit e Kosovës i ka paraqitur të gjitha rezultatet.
Kosova u prezantua me katër boksierë. Por medalja mbeti shumë larg. Bashkim Bajoku e Shpëtim Bajoku i kaluan pengesat e para e u ndalën në të dytat. Loris Idrizi u ndal në pengesën e parë, njëjtë si Donjeta Sadiku. Donjeta humbi nga Viktoriya Grafeyeva e Kazakistanit me rezultatin 3:2. Grafeyeva në fund e fitoi medaljen e bronztë.
Federata e Boksit e Kosovës ka vlerësuar se Donjetës i është bërë padrejtësi.
“Donjeta pësoi humbje padrejtësisht. Raundi i dytë dhe i tretë duhej të ishin në favor të Donjetës”, kishte shkruar ndër të tjera Federata e Boksit e Kosovës.
Edhe në sportet e tjera individuale, pos në xhudo, pjesëmarrja e Kosovës ishte e qetë, pa bujë e kryesisht pa raportim për rezultat. Dhe kjo dëshmon që avancimi i shumëkërkuar ka shumë vjet që nuk po ndodh, ndonëse përkrahja e shtetit për sportin e sportistet vlerësohet e madhe.