Sporte të tjera

Ndeshja e madhe e Kosovës nuk mjafton

Kosova-Hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll zhvilloi ndeshje të fortë ndaj Ishujve Faroe të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Por paraqitja e mirë e Kosovës nuk mjaftoi. Kosova pësoi humbje me rezultatin 25:23, ndonëse pjesën e parë e mbylli me epërsi prej një goli, 13:12. 

Në pjesën e parë, Kosova kishte epërsi deri në 4:2. Vizitorët më pas aplikuan mbrojtje të fortë e sulm efikas, duke shënuar katër gola të shpejtë. Kosova nuk e gjeti rrugën e golit për shtatë minuta dhe Ishujt Faroe krijuan epërsi 6:4. Deri në fund të pjesës së parë, asnjëra përfaqësuese nuk krijoi epërsi më shumë se dy gola. Por ishte Kosova që në pushim shkoi me një gol epërsi. 

Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët. Ata pas 48 minutave lojë krijuan epërsi edhe deri në katër gola, 19:16. Por, skuadra e udhëhequr nga selektori Bujar Qerimi u kthye duke luftuar shumë, por pa arritur që të marrë rezultat pozitiv. 

Ishujt Faroe shfaqën më shumë në fundin e ndeshjes. Portieri kundërshtar i pati meritat që kjo përfaqësuese të mos pësonte disfatë. Pati disa pritje të mira dhe ia siguroi fitoren ekipit nordik që e siguroi pjesëmarrjen e dytë në një Kampionat Evropian. 

Drenit Tahirukaj ishte golashënuesi më i mirë te Kosova me tetë gola në 12 tentime. Pas tij ishte Egzon Gjuka me pesë gola, ndërsa Luigj Quni i realizoi katër gola. Tri gola i pati Drilon Tahirukaj. Me dy gola kontribuoi kapiteni Valon Dedaj, teksa Bujar Ramosaj e realizoi një. 

Me lojë shumë të mirë u shqua portieri Haris Berisha që kishte pesë pritje nga 24 tentime të kundërshtarëve. Shumë prej tyre i priti në momentet e fundit të ndeshjes. Ndërkohë, portieri i Ishujve Faroe, Aleksandar Lacok, pati 12 pritje nga 35 gjuajtje, dhe ishte më meritori në fitore. Hakun West Av Teigum i kishte 11 gola tek Ishujt Faroe, ndërsa nga katër gola realizuan Elias Ellefsen a Skipagotu dhe Oli Mittun. 

Ishujt Faroe prijnë në Grupin 6 pas pesë ndeshjeve me shtatë pikë, ndërsa Holanda e dyta ka gjashtë pikë. Ukraina e treta ka katër pikë, kurse Kosova mbetet e fundit me tri pikë, pas një fitoreje e një barazimi. 

Kosova e luan ndeshjen e fundit në udhëtim te Holanda nga ora 18:00, ndërsa Ishujt Faroe luajnë ndaj Ukrainës. 

Të enjten mbrëma, Holanda fitoi ndaj Ukrainës. 

Kosova ishte mposhtur edhe në Torashvn më 6 nëntor në ndeshjen e parë, 32:21. 

Dy përfaqësueset më të mira nga të gjitha tetë grupet kualifikohen në Kampionatin Evropian që organizohet prej 15 janarit deri më 1 shkurt të vitit 2026. 

Evropianin e sigurojnë edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, nga tetë grupe sa janë gjithsej. Kosova e synon kualifikimin përmes vendit të tretë. 

Kosova ende nuk ka arritur që të kualifikohet në ndonjë Kampionat Evropian apo Botëror me përfaqësuese në nivelin e të rriturve. Suksesi në ngjarje kontinentale apo globale deri tani ka qenë i paarritshëm edhe në sportet tjera ekipore.