Sporte të tjera

Volejbollistja braziliane akuzon Federatën shqiptare për diskriminim pasi iu kërkua testi i gjinisë

Nayara Ferreira

Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, në një intervistë për “Top Channel” ka folur lidhur me suspendimin e saj, pasi i është kërkuar të vërtetojë gjininë nëpërmjet analizës së gjakut. 
Ferreira në lot ka thënë se është situatë shumë e vështirë për të. 

“Kjo është një situatë shumë e vështirë për mua. Është hera e parë që përjetoj diçka të tillë në gjithë karrierën time. Luaj volejboll që nga mosha 12-vjeçare”, tha ajo. “...Është shumë e vështirë për mua ta përjetoj gjithë këtë. Ashtu siç edhe ti e the, jeta ime është private. Jam nga ato persona që i bëjnë gjërat offline, pra, i mbaj gjërat për vete. Ajo që po ndodh tani me mua është diskriminim. Nuk e pranoj këtë. Nuk më kanë kthyer përgjigje dhe nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse e bënë këtë. Ata thjesht e bënë. Kur pyeta një zyrtar të federatës – nuk e di as kush ishte – më tha se ‘është dokument privat dhe nuk mund të ta tregoj’. I thashë: ‘Ah, qenka private? Çfarë është private për ty në lidhje me jetën time? Pse?’ Kështu ndihem unë tani. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Kam luajtur në shumë shtete dhe nuk e di me sa volejbolliste kam luajtur në këtë botë. Tani ndihem e shkatërruar. Kjo ishte ajo që doja të thosha”.

Ferreira ka thënë se ajo është 100% grua. 

“Jam 100% femër, dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime. Nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë, nuk kam pirë as ujë. Kështu është jeta ime tani. Prandaj, faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë. Shumë faleminderit!” – tha ajo. 

Ferreira ka thënë se e vërteta do të dalë në dritë dhe se nuk i druhet asaj. 

Në mediume shqiptare ishte raportuar për suspendimin e brazilianes.