Kina ka filluar testimet e trenit CR450, i cili konsiderohet treni më i shpejtë në botë, në prag të hyrjes së tij në shërbim.
Gjatë testimeve në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë Shanghai–Chongqing–Chengdu, treni arriti shpejtësinë 450 km/h.
Prototipi CR450 u prezantua në nëntor të vitit të kaluar si një tren me shpejtësi të lartë, i aftë të arrijë deri në 400 km/h, dhe prej atëherë është testuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë parametrat.
Tani, në fazën përfundimtare të testimeve, treni duhet të përshkojë 600 mijë kilometra përpara se të marrë licencën për qarkullim komercial.
Me përpjekjen e fundit, CR450 theu rekordin aktual prej 350 km/h, të mbajtur nga trenat CR400 Fuxing.

Projektuar në vitin 2021 nga “China State Railway Group”, treni pritet të hyjë në shërbim komercial në vitin 2026, pas një faze vlerësimi. Ai po prodhohet nga filiale të kompanisë shtetërore “China Railway Corporation” (CRRC).
CR450 ka pasur përmirësime të mëdha strukturore.
Pjesa e përparme e trenit është zgjatur nga 12.5 metra, sa kanë trenat ekzistues që arrijnë deri në 350 km/h, në 15 metra, çka ul ndjeshëm rezistencën ndaj ajrit.
CR450 mund të përshpejtojë nga 0 në 350 km/h për 4 minuta e 40 sekonda, që është 100 sekonda më shpejt se trenat ekzistues Fuxing EMU, të cilëve u duhen 6 minuta e 20 sekonda për të arritur të njëjtën shpejtësi.
Një EMU (Electric Multiple Unit) është një tren i përbërë nga vagona vetëlëvizës me energji elektrike, që nuk kanë nevojë për lokomotivë të veçantë.

Projekti CR450 është pjesë e një iniciative të gjerë për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transportit në Kinë, që tashmë është më i madhi në botë.
Shteti operon një sistem të integruar hekurudhor dhe rrugor që shtrihet në mbi gjashtë milionë kilometra.
Korridoret moderne të transportit lidhin mbi 80% të rajoneve në nivel rrethi, duke përfshirë mbi 90% të ekonomisë dhe popullsisë së vendit.
Përmasat e këtij rrjeti u vunë në pah gjatë festimeve të Ditës Kombëtare, kur u regjistruan 2.4 miliardë udhëtime ndërrajonale.
Vetëm hekurudhat transportuan 213 milionë pasagjerë, ose mesatarisht 18 milionë pasagjerë në ditë.