Tech

Shtyhet lansimi i GTA 6

Grand Theft Auto 6

Grand Theft Auto 6, një nga lojërat më të pritura ndonjëherë, nuk do të dalë këtë vit siç ishte planifikuar fillimisht. Rockstar Games ka konfirmuar se loja do të publikohet në maj të vitit 2026, duke theksuar se nevojitet më shumë kohë për të arritur cilësinë që fansat presin dhe meritojnë, shkruan BBC.

Pritet të jetë një nga lansimet më të mëdha në historinë e industrisë së lojërave.

GTA 5, seria e fundit që doli në vitin 2013, është ende fenomen global. Me më shumë se 185 milionë kopje të shitura, renditet si loja e dytë më e shitur e të gjitha kohërave dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht e luajtur në versionin online.

Prezantimi i parë zyrtar i GTA 6 erdhi në dhjetor 2023 me një trailer 90-sekondësh, që u bë menjëherë viral dhe kaloi 100 milionë shikime në pak ditë. Videoja zbuloi dy personazhe kryesorë dhe qytetin e ri të lojës – Leonida – një vend fiktiv i frymëzuar nga Florida.

Në deklaratë, Rockstar ka thënë se ishte “thellësisht e prekur” nga reagimi i jashtëzakonshëm i fansave dhe theksoi se po punon për ta bërë lojën sa më të përsosur.

Rockstar njihet për procesin e gjatë të zhvillimit dhe nuk është hera e parë që shtyn publikimin e një loje të madhe – njësoj kishte ndodhur edhe me “Red Dead Redemption 2” në vitin 2018.

Por kompania është po ashtu e njohur për cilësinë e jashtëzakonshme të lojërave.

Straus Zelnick, shefi i Take-Two Interactive, kompani që zotëron Rockstarin, ka deklaruar më parë se çdo projekt i ri i Rockstar “duhet të jetë diçka që nuk e keni përjetuar kurrë më parë”.