Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Gashi: Prokurorët që mbajnë rastet në sirtarët e tyre do të mbahen përgjegjës

Arian Gashi

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se prokurorët që mbajnë rastet në sirtarë dhe nuk procedojnë me ato, do të mbahen përgjegjës.

Kryesuesi Gashi në një intervistë për “Tempus” në KTV, tha se ka mjaft mekanizma të kontrollit që në një mënyrë nuk lejojnë keqpërdorim nga ana e prokurorëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nese ka raste të tilla ku do të thotë prokurorët mbajnë me vite të tëra raste në sirtarët e tyre, kosnideroj se kjo nuk është në rregull. Absolutisht se do të mbahen përgjegjës prokurorët e tillë”, tha Gashi.

Ai shtoi se në kuadër të plotësim/ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, me një dispozitë është paraparë që në rastet kur prokurorët nuk marrin vendime për gjashtë muaj, i dëmtuari ka të drejtë ankese dhe ankesa i nënshtrohet trajtimit nga Prokuroria e Apelit.

Gashi tha se shpreson që gjithmonë të kenë hetime të pavarura dhe efikase, dhe që nuk do të vijnë në situata të tilla kur do të detyrohen t’i mbajnë përgjegjës prokurorët për çështjen e lëndëve të mbetura në sirtar, për faktin se kjo do të cenonte edhe vetë besueshmërinë e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

“Mund të ketë raste komplekse që marrin kohë në hetime, ka raste që nuk mund të përmbyllen aq shpejt siç do publiku, por gjithmonë të respektohen afatet kohore sepse edhe hetimet për tu zhvilluar kanë paraparë një afat kohor brenda të cilit duhet të kryhen dhe te ketë një epilog secili rast”, tha Gashi.

Ndërsa, lidhur me mosrespektimin e ndarjes së lëndëve përmes regjistrimit elektronik të lëndëve, SMIL nga Prokuroria Speciale, Gashi tha se kjo çështje është rregulluar me një rregullore të Këshillit sa i përket ndarjes së lëndëve dhe duhet respektuar.

“Si e tillë nuk paraqet asnjë problem nëse thirremi në aspektin teknik, që të zbatohet edhe në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

Nevojën e regjistrimit të lëndëve në mënyrë elektronike në PSRK, kryesuesi thotë se e ka përmendur edhe më herët. Tha se kjo çështje nuk është problem në prokuroritë tjera, duke shtuar se nëse nuk respektohet kjo Rregullore për ndarjen e lëndëve, do të merren masa. /BetimipërDrejtësi


Gashi: Në luftën kundër korrupsionit ka munguar përfundimi i lëndëve me aktgjykime meritore të formës së prerë

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ajo që ka munguar në luftën kundër korrupsionit është që rastet të përfundojnë me aktgjykime meritore të formës së prerë.

Lidhur me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, kryesuesi Gashi theksoi se luftimi i korrupsionit nuk është sfidë vetëm për sistemin prokurorial apo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e zhvilluara.

“Mbi 4-5 vite kam trajtuar vetëm lëndë të korrupsionit në kuadër të Njësitit të luftimit të krimeve ekonomike dhe korrupsionit që është Njësit i posaçëm në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, tha Gashi.

Gashi shtoi se ka aktakuza të profilit të lartë, por që nuk janë të kënaqur me këtë punë, sepse mund të bëhet më shumë. Ai tha se ajo që ka munguar në gjithë këtë luftë kundër korrupsionit është që këto raste të përfundojnë me aktgjykime meritore të formës së prerë.

“Nuk mund të them se ka munguar ndjekja penale në lëndët e korrupsionit për shkak se kemi mjaft aktakuza edhe të profilit të lartë, natyrisht që ka probleme aty dhe nuk jemi të kënaqur me këtë punë sepse konsideroj se mund të bëhet edhe shumë më tepër, por natyrisht që do të përkushtohemi në kuadër të Këshillit që të bëjmë më tepër në këtë aspekt. Por, ajo çfarë ka munguar në gjithë këtë luftë kundër korrupsionit është pikërisht që këto raste të përfundojnë me aktgjykime meritore të formës së prerë”, u shpreh Gashi.

Kryesuesi theksoi se nuk mjafton vetëm një kallëzim penal i mirë, por edhe një hetim dhe aktakuzë e mirë, që bazohet në prova dhe fakte. E më pas, duhet pasur aktgjykim meritor nga Themelorja e konfirmim nga shkalla e dytë, si dhe vendim meritor nga Supremja.

Ai premtoi se si KPK do të thellojnë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat, të cilët do të jenë të ftuar në secilin aktivitet të Këshillit për të monitoruar nga afër të gjitha aktivitetet e tyre. /BetimipërDrejtësi


Kryesuesi i KPK-së për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit: S’ka pozita të rezervuara në sistemin prokurorial

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në një intervistë ekskluzive në “Tempus” në KTV, foli edhe rreth asaj se kur pritet të zgjidhet Kryeprokurori i Shtetit dhe çfarë duhet t’i paraprijë këtij procesi.

Gashi theksoi se ky është një problem që e ka trashëguar në KPK, ngase nuk ka qenë pjesë e Këshillit kur ishte bërë propozimi për emrin e fundit për këtë pozitë.

“Kjo është një nga problemet që unë kam trashëguar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, propozimi që ju e thatë (për Kryeprokuror të Shtetit) është bërë në vitin 2022, kur unë nuk kam qenë fare pjesë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak se unë kam ardhur në vitin 2023, është një prej çështjeve që më së shumti opinioni publik ka interesim”, tha Gashi.

Lidhur me këtë çështje, ai tha se në adresë të KPK-së me ardhjen e tij në pozitën e kryesuesit, që nga data 16 mars ka pranuar shumë kërkesa për informacion lidhur me këtë çështje.

Kryesuesi tha se është e vërtetë se lidhur me procesin e kaluar për Kryeprokuror të Shtetit ka pasur kritika të mëdha edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe theksoi se pret që çështja e Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet në një të ardhme të afërt.

“Duke filluar nga Ambasada Amerikane, Ambasada Gjermane dhe partnerët tjerë nga komuniteti ndërkombëtar, po ashtu nga shoqëria civile ka pasur kritika të mëdha. Konsideroj që kjo është një çështje që do duhej t’i drejtohej trupave të Këshillit Prokurorial të Kosovës në një të ardhme të afërt”, u shpreh Gashi.

Ai deklaroi se konsideron që duhet të ketë një analizë paraprakisht të gjithë asaj që është bëri deri tani në këtë proces.

“Për të parë se ku ka ngecur ky proces, për të parë se cilat kanë qenë të metat e këtij procesi dhe vetëm pasi që ta kemi këtë analizë, atëherë duhet ta shqyrtojmë aspektin ligjor për shkak se siç e dini ne edhe pse në vitin 2024 kemi nxjerrë si Këshill një Rregullore që ka të bëjë me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive tjera në nivel të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, rregullorja në fjalë është nxjerrë kur ka qenë në fuqi Ligji paraprak i KPK-së, ndërkaq Ligji i ri ka paraparë ndryshime të cilat e reflektojnë nevojën urgjente të ndryshimit të kësaj rregulloreje.

Gashi deklaroi se nëse ky proces do të trajtohej tani brenda trupave të KPK-së, do të ishte e pamundur të bëhej me rregulloren paraprake.

“Sepse në atë rregullore, në komisionin rekrutues në shkallë të parë parashihet që të jenë pesë anëtarë, në shkallë të dytë në Komisionin e ankesave parashihet të jenë tre anëtarë, që në fakt duhet të jenë pesë plus tre, tetë, sepse vetë përbërja e Këshillit Prokurorial ka komplet shtatë anëtarë prej të cilëve gjashtë janë tani aktual. Është e pamundur që ta trajtojmë këtë çështje brenda rregullores që e kemi në fuqi dhe natyrisht që edhe kjo rregullore do duhej të ndryshohej paraprakisht, dhe vetëm pasi ta kemi të gjithë këtë analizë, pasi ta kemi edhe ndryshimin e rregullores në fjalë në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe me shoqërinë civile duhet t’i qasemi kësaj teme në një të ardhme të afërt”, u shpreh ai.

Kryesuesi Gashi theksoi se edhe Raporti i Progresit një nga problemet që e parasheh në sistemin prokurorial është procesi i ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai pret që deri në Raportin e ardhshëm të Progresit, kjo çështje të marrë një epilog. Tha se duhet të trajtohet në nivel të Këshillit.

“Ajo çka mundem t’iu siguroj qytetarëve të Republikës së Kosovës është fakti se nuk ka emra të përveçëm, nuk ka pozita të rezervuara në sistemin prokurorial, dhe kur jemi tek zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit kjo e di i tejkalon kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit për vetë faktin se të gjitha procedurat që kryhen për rekrutim të prokurorit të shtetit, pastaj duhet një dekret nga ana e Presidentes që ai të zgjedhet, për dallim nga të gjitha pozitat tjera të kryeprokurorëve të tjerë”, shtoi Gashi.

Gashi paraprakisht theksoi se në të kaluarën kanë munguar bashkëpunimet ndërinstitucionale, mirëpo tha se gjatë udhëheqjes së tij do të ketë bashkëpunim.

“Fatkeqësisht këto bashkëpunime ndërinstitucionale kanë munguar, fatkeqësisht ka pasur mure që janë ndërtuar, unë ato mure do t’i shndërroj në ura, në ura të bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha Gashi.

Ai tha se vizioni i tij për KPK-në është bërë i ditur kur ka dorëzuar koncept-dokumentin e publikuar në ueb-faqen e KPK-së.

Gashi tha se vetëm sa ka filluar me nxjerrjen e vendimeve, duke caktuar takime dhe se janë marrë disa vendime, janë miratuar rregullore për funksionimin normal të KPK-së.

“Ka pasur edhe vendime të tjera që kam marrë brenda kësaj jave që ndërlidhen pikërisht me trupat që bëjnë Këshillin funksonal, po flas për komsionet e përhershme të Këshillit Prokurorial”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi


Gashi flet për karrierën e tij dhe kontributin në UÇK: Kam përvojë jo vetëm në institucione vendore por edhe ndërkombëtare

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tregoi se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa theksoi se ka përvojë jo vetëm në institucione vendore, por edhe në ato ndërkombëtare.

“Është e vërtetë se kam dhënë kontributin tim në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë Arian Gashi jam nga Suhareka ku jam lind dhe rritur. Menjëherë pas luftës ku kam dhënë kontributin tim në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, menjëherë kam filluar studimet në vitin 1999 edhe me t’i mbaruar studimet në kohë rekorde, kam kryer një master në Universitetin “Hasan Prishtina”, ku më pastaj kam filluar karrierën time profesionale në vitin 2003-2004 fillimisht si zyrtar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë që atëkohë ishte Departamenti i Drejtësisë i UNMIK, pastaj jam avancuar në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit në një nga shërbimet në kuadër të Minstrisë së Drejtësisë”, tha Gashi

Më tutje, Gashi derisa renditi pozitat në të cilat ka shërbyer, tha se për një kohë punoi si auditor dhe ka qenë pjesë e Komisionit për Vetting në vitin 2010.

“Prej aty, kam kaluar në pozitën e Auditorit Gjyqësor në vitin 2008, ku edhe kam audituar të gjithë sistemin gjyqësor dhe prokurorial në nivel të Kosovës. Në atë kohë Njësia e Auditimit Gjyqësor ishte në kuadër të Departamentit të Drejtësisë me kompetenca të UNMIK-ut deri në themelimin e institucioneve pra pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pastaj, në vitin 2010 jam angazhuar në Komisionin që ka udhëhequr me procesin e Vettingut në Kosovë, ku kam qenë zyrtar për vlerësime profesionale për një kohë dhe prej aty jam zgjdh si këshilltar i gjyqtarëve të EULEX-it. Pra, kam një përvojë jo vetëm në institucione vendore por edhe ndërkombëtare. Pastaj, prej misionit të EULEX-it kam kaluar në pozitën e prokurorit në vitin 2012”, shtoi Gashi.

Një master tjetër krahas atij që përfundoi në Kosovë, Gashi tha se e ka kryer edhe në SHBA.

“Të gjitha këto pozita i kam marrë në baza meritore, si rezultat i punës sime që e kam bërë. Sot kam një përvojë për mbi 23 vite, të gjitha në fushën e sundimit të ligjit në institucione vendore dhe ndërkombëtare. Besoj se ky bagazh do të jetë i nevojshëm për ta ushtruar edhe punën e kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, shtoi kryesuesi Gashi.

Ai tha se garanton që asnjëherë nuk ka pasur asnjë komunikim të vetëm as me LVV-në dhe as me partitë tjera që kanë qenë në pushtet. Tha se kontaktet e vetme i kishte me ministrat e Drejtësisë në kuadër të punës.

“Në të ardhmen, nëse është e nevojshme që për interesa të sistemit prokurorial nuk do ta kem asnjë problem që të takohem me këdo qoftë të bisedoj me problemet që ka sistemi prokurorial sepse problemet që kam gjetur në sistemin prokurorial, sidomos ato që lidhen me buxhetin dhe çështjen e mungesës së stafit, janë çështje që lidhen dhe duhet një bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirë këtu edhe pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi


Gashi për emërimin e vëllait dhe kandidaturën e motrës për deputete: S’është e vërtetë se kemi lidhje me pushtetin

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), mohoi të ketë lidhje me partinë në pushtet, derisa komentoi emërimin e vëllait Urim Gashi si kryesues i Bordit në KRU “Gjakova” dhe kandidaturën e motrës së tij, Pranvera Berisha për deputete në listën e GUXO.

Në një intervistë ekskluzive në “Tempus“ në KTV, Gashi tha se as me LVV-në dhe as me partitë tjera nuk ka pasur kurrë asnjë lidhje.

“Jo vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje, por as edhe me partitë që kanë qenë para në pushtet, asnjëherë kurrë nuk kam pasur asnjë lidhje. Unë nuk kam ardhur si kryesues në Këshillin Prokurorial të Kosovës tani dhe nuk kam ardhur nga jashtë. Dua ta bëj me dije për opinionin publik se jam pjesë e sistemit prokurorial që nga viti 2012 kur jam zgjedhur prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, fillimisht me një proces të hapur e me dekret të ish-presidentes Atifete Jahjaga. Puna ime e sinqertë, rezultati im gjatë tërë këtyre viteve më ka sjellë këtu ku jam për shkak se kam kaluar të gjitha departamentet, duke filluar nga Departamenti Përgjithshëm, për të Mitur, për Krime të Rënda, ku aty kam qenë pjesë e Njësitit për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion për më shumë se 4 vite. Nga aty jam avancuar në Prokurorinë e Apelit, Departamenti për të Mitur, ku kam trajtuar të gjitha lëndët në nivel të Kosovës përfshirë ato të Prokurorisë Speciale”, tha Gashi.

Më tutje, Gashi shtoi se shpifjet për lidhje me pushtetin vinin nga një portal i caktuar.

“Sa i përket përfshirjes së familjarëve të mi, të gjitha ato janë shpifje se unë mund të kem lidhje me atë pjesë, kjo për faktin se edhe vëllai im për të cilin ju i referoheni, rastit kur ai është zgjedhur si kryesuesi i bordit në KRU “Gjakova” edhe ai i është nënshtruar një procesi të rregullt dhe unë nuk kam mundur as atëherë as tani të kem asnjë ndikim në përzgjedhjen e tij. Motra ime është e vërtetë se ajo ka qenë në listën GUXO në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2021, dhe edhe tek vëllai dhe motra ime s’kam mundur të kem asnjë ndikim në kuptim të orientimit të tyre qoftë profesional apo politik, sepse në jetojmë në një vend të pavarur dhe secili ka të drejtë të zgjedh profesionin, bindjet politike e gjithçka tjetër. Prandaj, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, të gjitha këto kanë qenë shpifje që kanë ardhur nga një portal i caktuar”, tha Gashi.

Për këto, ai thotë se ka parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur për Media, e cila i është aprovuar si pjesërisht e bazuar, e që i ka hapur rrugë për të ngritur padi dhe lënda është në trajtim në gjykatë. /BetimipërDrejtësi


Kryesuesi Gashi për Kelmendin: Kur u desh të vazhdohej me reformë ai kërkoi të largohet nga detyra, është për çudi

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se i duket e çuditshme se përse pasi fitoi betejën ligjore, ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, hoqi dorë.

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Tempus”, Gashi tha se sikurse moscertifikimi i rezultatit zgjedhor për anëtarin e Këshillit edhe shkarkimi i u.d Kryeprokurorit të Shtetit nuk u bë në mënyrën e duhur.

“Sepse, në këtë takim ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, zoti Hajdaraj vetë e konstaton se ka pasur mungesë të kuorumit për të vazhduar tutje dhe pastaj i njëjti kthehet pas pak minutash dhe vazhdon me të njëjtën përbërje të Këshillit, pra me të njëjtit pesë anëtarë. Pra, kishim vendime që ishin nxjerrë në mungesë të kuorumit, kishim vendime që ishin nxjerrë pa një procedurë qysh e parashohin ligji dhe rregullat”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, pikërisht për shkak të këtyre vendimeve, kishte pastaj vendime gjyqësore që e konfirmuan arbitraritetin dhe paligjshmërinë e KPK-së në nxjerrjen e vendimeve.

Kryesuesi thotë se nga ajo që ka parë me ardhjen e tij në KPK, është se ka qenë një grup i anëtarëve që ishte përfshirë në vendimet e marra në kundërshtim me Ligjin dhe rregulloret. Ai thotë se vetë është rreshtuar gjithmonë në anën e së drejtës.

“Është për çudi fakti se pas gjithë atyre presioneve që i njëjti (Kelmendi) u ishte nënshtruar dhe jo vetëm të brendshme por edhe të jashtme, opinioni publik e di për ato presione, sepse kishte edhe konferencë për media, kishte edhe një emision të organizuar pikërisht nga ju, ku zoti Kelmendi e shprehte presionin që kishte në punën e tij si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, dhe pasi që edhe nga vetë Gjykata u konstatua se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm, arbitrar, në kundërshtim me ligjin, pa zhvillimin e një procedure konkrete dhe në kohën kur ai do duhej të vazhdonte tutje me procesin e reformës, ai përmes një e-maili bëri të ditur për kërkesën për lirim nga detyra”, tha Gashi.

Gashi theksoi se i duket e padrejtë se si pasi luftoi gjatë dhe fitoi betejën ligjore, Kelmendi hoqi dorë.

“Unë akoma sot e asaj dite se di përse ai ka kërkuar lirimin nga detyra sepse të punosh gjatë, të përpiqesh shumë për ta fituar betejën ligjore kur diçka të bëhet e padrejtë dhe pastaj në mënyrë vullnetare të heqësh dorë nga ajo që ke luftuar deri në atë kohë është për çudi, por kjo i mbetet Kelmendit për ta spjeguar sepse unë thash nuk e di, nuk më është thënë dhe nuk e di ndonjë arsye konkrete pse i njëjti ka bërë një kërkesë të tillë”, shtoi Gashi.

Paraprakisht, ai tha se rezultati i procesit zgjedhor për anëtarin e ri prokuror të Këshillit dhe emri i anëtares së zgjedhur Elza Bajrami-Kastrati, ishte çka e prodhoi luftën brenda KPK-së.

“Si dukej ishte një emër i papranueshëm dhe ndoshta vetë anëtarët e Këshillit Prokurorial por edhe personat e tjerë kishin pritur një rezultat tjetër që të kishin dhe jo Elza Bajramin. Prandaj, kjo edhe ishte ndoshta arsyeja kryesore që rezultati nuk iu pëlqeu”, tha Gashi.

Megjithatë, ai tha se kishte edhe tendenca që të cenohej Rregullorja që e kishte nxjerrë vetë Këshilli. Tha se ka pasur shumë tendenca që të dëmtohej rezultati zgjedhor, duke theksuar se u tentua të implikohej edhe emri i tij.

“Ka pasur raportime nga ana e vetë ish-kryesuesit në një nga takimet e KPK-së i cili lexon një mesazh të tillë pa e konfirmuar fare, pa e parë nëse një mesazh i tillë do të ishte i vërtetë. Dhe pikërisht doli më pastaj sepse ky ishte një mesazh që kishte ndodhur, një komunikim i brendshëm mes një prokurori dhe kryeprokurorit që s’kishte fare lidhje me mua, por që kishte target emrin tim dhe ideja ishte që në çfarëdo mënyre ta dëmtonin procesin zgjedhor”, tha Gashi.

Mirëpo, ai tha se më pas vetë prokurori i atij mesazhi e demantoi përfshirjen e tij në këtë proces. /BetimipërDrejtësi


Gashi për zgjedhjen e Bajrami-Kastratit anëtare e KPK-së: Procesi ishte transparent dhe në përputhje me ligjin

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në një intervistë ekskluzive në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për procesin e zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, Elza Bajrami-Kastrati, tha se ky proces ishte transparent, pa të meta dhe në përputhje me ligjjin.

“I gjithë procesi zgjedhor ishte një proces transparent, në përputhje me Rregulloren dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ky proces ishte bërë në përputhje të plotë edhe me Rregulloren që kishte miratuar Këshilli Prokurorial me shumicë votash pa asnjë vërejtje”, tha Gashi.

Sipas tij, Rregullorja dhe Ligji për KPK-në, kishin kaluar të gjitha filtrat para miratimit.

“Procesi që ishte zhvilluar, proces në të cilin unë kam qenë edhe kryetar i Komisionit për procesin zgjedhor, ishte ndoshta një nga proceset më transparente sepse gjithçka ishte live, ku i gjithë opinioni publik nga afër kishte parë se si ishte zhvilluar ky proces”, u shpreh Gashi.

Kryesuesi tha se procesi zgjedhor përveç që nuk kishte vërejtje, kishte marrë lëvdata edhe nga shoqëria civile dhe ndërkombëtarët.

Por, ai thotë se ajo që ndodhi pas procesit ishte e pakuptueshme sepse pikërisht aty filluan pakënaqësitë, të cilat nuk kishin të bënin me procesin por me rezultatin zgjedhor që prodhoi ky proces.

“Ajo çfarë dua të theksoj, ashtu sikurse ligji edhe vetë Rregullorja për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, parasheh që anëtarët prokurorë i zgjedhin vetë prokurorët në Konferencën e Përgjithshme e cila ishte thirrur dhe organizuar nga Kryeprokurori i Shtetit. Mirëpo, edhe pse ky proces kishte kaluar nëpër gjithë këta filtra, kishte një pakënaqësi nga një numër i anëtarëve të Këshillit paraprak, që si duket ky rezultat zgjedhor nuk u shkoi për shtati disa prej tyre”, theksoi Gashi.

Kryesuesi i KPK-së tha se nuk i zgjedh Këshilli anëtarët por vetë prokurorët. Tha se rezultati ishte i thellë në raport me kandidaten kundërshtare të kandidates fituese.

“Pikërisht, për shkak të këtyre pakënaqësive kishim edhe një procedurë që filloi ndaj vetë ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zotit Besim Kelmendi, pikërisht për shkak të qasjes që ai kishte në raport me vetë rezultatin zgjedhor sepse edhe vetë i njëjti ka deklaruar nëpër paraqitjet publike se kush qëndron prapa gjithë këtyre. Prandaj, i gjithë ky proces, meqenëse kishte përfunduar në përputhje me Rregulloren dhe Ligjin vetëm duhej të certifikohej raporti i Komisionit zgjedhor”, shtoi ai.

Meqenëse obligimin e certifikimit nuk e kreu Këshilli, Gashi thotë se pasuan procedurat gjyqësore, e të cilat vendime kishin një epilog të njëjtë, se procesi i shkarkimit të u.d Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ishte arbitrar, i kundërligjshëm, pa procedurë që kërkon ligji, dhe se procesi zgjedhor i zgjedhjes së Bajrami-Kastratit ishte i rregullt dhe pa të meta. /BetimipërDrejtësi