Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Kryeziu për rastet e fajdesë: Kanë krijuar mite që s’mund të preken, duhet ta dinë që nuk i prek kryeprokurori, por ligji

petrit kryeziu

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, në një intervistë në “Tempus”, tha se janë krijuar mite që personat që merren me fajde nuk mund të preken, por që ata duhet ta dinë se nuk i prek kryeprokurori e as prokurori, por vetë ligji.

Ai tha se veprat penale të fajdesë i kanë trajtuar me prioritet, derisa u zotua se nuk do ta tolerojnë asnjë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sepse në regjionin e Dukagjinit duket që janë të shprehura, padyshim që edhe në vendet tjera, por ne kemi në kompetencë në këtë pjesë, ekskluzivisht regjionin e Prizrenit, dhe veprat penale të fajdeve janë po aq komplekse për t’u hetuar saqë është edhe korrupsoni, sepse janë vepra penale të përbëra”, tha Kryezu.

Sipas tij, këto vepa përveç se godasin dhe prekin në pasuri jo vetëm të viktimës, por edhe familjeve të tyre, shpeshherë pasohen me vepra penale kundër jetës dhe trupit.

“E dimë që te fajdetë gjithmonë kemi edhe detyrim, kemi kanosje, kemi rrahje të viktimave, kemi rrahje edhe kanosje të familjeve të tyre”, shtoi Kryeziu.

Ai theksoi se më 2025 kanë trajtuar rastet e fajdeve të 42 personave dhe se edhe gjatë vitit 2026 ka numër të madh të rasteve të fajdeve.

“Vetëm brenda vitit 2025 kemi pasur në punë 42 persona për fajde. Pra, po flas me persona sepse ka lëndë që i ka dy e tre, por që e kanë viktimën e njëjtë dhe për shkak të ekonomizimit të procedurës, i kemi trajtuar me një rast”, u shpreh ai.

Kryeprokurori i Prizrenit tha se nuk do të ketë person e as grup të paprekshëm, duke shtuar se këtë e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë.

“Kjo ka ardhë si rezultat kur e kanë parë që ne kemi luftuar rastet më të mëdha, rastet ku kanë krijuar mite që nuk mund të preken. Por, duhet ta dinë që ata nuk i prek as kryeprokurori e as prokurori, por është ligji, është vullneti i ligjit që ne jemi duke e respektuar”, tha Kryeziu.

Gjithashtu, Kryeprokurori shtoi se u është ofruar mbrojtje viktimave të fajdesë, si dhe u është ofruar siguri palëve për t’i raportuar këto raste.

“Ajo që dua ta bëj të qartë, nuk jemi të interesuar vetëm t’i arrestojmë, t’i gjykojmë, t’i dënojmë, por ata jemi duket i hetuar edhe në pasurinë e tyre. Nuk guxon asnjë rast i fajdeve të shkojë në gjykatë pa hetim financiar, në këtë Prokurori. Aty ku ka bazë do të aplikohet edhe Ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit, ka miliona euro pasuri që ne kemi sekuestruar. Vetëm në një rast të fajdeve të cilin e kam trajtuar personalisht, kemi sekuestruar 21 banesa, tre lokale afariste që kapin vlera milionëshe. Pra, kur i prekim në financa atëherë e dimë që kemi bërë diçka, atëherë e dimë që ata më nuk do të kthehen të fuqishëm, do ta vuajnë dënimin dhe do të kthehen jo siç kanë qenë të fortë, por të varfun dhe të tillë ata do të trajtohen derisa do të vendosin që merren me punë të ndershme siç i ka hije çdo qytetari”, tha Kryeziu.


Kryeprokurori Kryeziu: Kemi nevojë për një objekt të Prokurorisë dhe rritjen e numrit të              

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, në një intervistë emisionin “Tempus”, në KTV tha se kanë nevojë për një objekt të Prokurorisë dhe rritjen e numrit të prokurorëve, gjë për të cilën tha se janë në bisedime me Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Një gjë të tillë, kryeprokurori Kryeziu e tha deri sa foli rreth mbështetjes së Këshillit, për Prokurorinë Themelore në Prizren dhe kërkesat për të cilat presin që të kenë mbështetje.

“Sa herë që ka qenë nevoja dhe në mundësi të tij, Këshilli Prokurorial, Prokurorinë e Prizrenit vlerësoj me objektivizëm se e ka trajtuar me objektivitet. Ato mundësi që i ka pas dhe ne duhet t’i vlerësojmë në atë frymë”, tha Kryeziu.

Fillimisht, ai tha se kanë nevojë për një objekt të Prokurorisë, për shkak se në distancë i bie të jenë larg objektit të ri të Gjykatës, i cili është duke u ndërtuar. E kjo sipas tij, e bën të pamundur mbarëvajtjen e punës së Prokurorisë.

“Ne kemi nevojë për një objekt të Prokurorisë, jo pse nuk kemi hapësirë këtu, por për faktin se Gjykata e ka marrë një parcelë dhe e ka ndërtuar Gjykatën dhe tanimë është në pjesën përfundimtare pothuajse të ndërtimit të vrazhdë. Ndërsa, ne nuk kemi të ndarë parcelë, për çka, së bashku me Këshillin jemi duke bërë përpjekje të mëdha që përmes Qeverisë ta sigurojmë edhe ndarjen e parcelës dhe kemi nevojë që të jemi afër Gjykatës. Sepse lokacioni ku jemi ne dhe tani ku është duke u ndërtuar Gjykata, është në një distancë që e bën të pamundur mbarëvajtjen e punës tonë, sepse ka raste kur mund të shtyhet një seancë dhe pse të qëndrojë rrugëve apo të rrijë në gjykatë një prokuror kur brenda një ore ndoshta do të mund të kryhen edhe lëndë, kështu që është parim që duhet të jemi afër gjykatës” tha ai.

Kurse, sa i përket kërkesës për rritjen e numrit të prokurorëve, Kryeziu tha se aktualisht janë minus pesë prokurorë dhe deri në vitin tjetër për shkak të daljes në pension të tre prokurorëve, do jenë minus tetë prokurorë.

“E dyta është numri i prokurorëve. Thash që jemi minus 5 prokurorë, këtë vit do të pensionohet edhe një prokuror, vitin tjetër edhe dy, që praktikisht i bie prej tash po të fillojmë me procedura rekrutimi, ne jemi minus 8 prokurorë. Këto janë kërkesat tona”, deklaroi Kryeziu. 


Kryeziu për aksionin kundër degradimit të mjedisit: Sot po të shkosh s’ka asnjë person që guxon ta futë atë lugën e bagerit në pjesën e Drinit

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, në një intervistë për “Tempus” foli edhe për aksionin kundër degradimit të mjedisit.

Kryeziu tha se edhe në koncep-tdokumentin e dorëzuar para Këshillit, një ndër synimet afatshkurtëra kishte paraqitur luftimin e dukurisë së veprave penale kundër ambientit.

“Është koha që edhe ne të reflektojmë më shumë, t’i marrim më me seriozitet këto raste sepse kanë pasoja të mëdha, jo vetëm tani për tani por edhe për gjeneratat pas nesh”, tha ai.

Kryeziu theksoi se veprat penale të degradimit të ambientit bëhen përmes vjedhjeve të pyllit, ndërtimeve pa leje, por mbi të gjitha përmendi rastet e eksploatimit të zhavorit dhe rërës.

“Zakonisht degradimi i ambientit bëhet tek veprat penale tek vjedhjet e pyjeve, po ashtu edhe tek ndërtimet pa leje, por mbi të gjitha- ne e kemi pas rastet e eksploatimit të zhavorit dhe rërës. Drini i Bardhë që e përshkon Dukagjinin nga Peja, Gjakova e Prizreni, në pjesën tonë nga fshati Krushë e Vogël e tutje, që e përshkon zona e Anadrinit, ka qenë një kaos, kaos i tmerrshëm”, tha Kryeprokurori.

Ai theksoi se dëmet që janë bërë aty janë të pariparueshme. Tha se me marrjen e mandatit ka aplikuar masa të veçanta hetimore në këtë rast për katër muaj.

“Me prova materiale, me video ditë e natë, dhe i kemi siguruar dhe jam siguruar që asnjë prej atyre operatorëve ilegalë të mos mbetet pa u përfshirë, në mënyrë që edhe qytetarët ta marrin vesh që duhet të bashkëpunojnë dhe askush të mos mbetet jashtë. Kemi zhvilluar një aksion ku janë arrestuar 21 persona, kemi sekuestruar makineri- kamionë, ekskavatorë, aparate seperuese në vlerë mbi 2 milionë vetëm brenda një dite. Dhe sot po të shkosh, nuk ka asnjë person që guxon ta futë atë lugën e bagerit në pjesën e Drinit”, u shpreh ai.

Ai u shpreh i bindur se rastet do të përfundojnë me konfiskimin e mjeteve që kanë mundësuar kryerjen e veprave penale.

“Unë jam i bindur se do të përfundojnë rastet me konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale sepse ato e kanë mundësuar kryerjen e veprës penale” tha Kryeziu.

Edhe sikur të mos ndodhë kjo, Kryeziu tha se aty do të jenë prapë, sepse janë ligjzbatues dhe do ta zbatojnë ligjin si duhet. Tha se ishin rreth 40 raste të mjedisit që i kanë trajtuar më 2025. 


Kryeziu thotë se Prizreni ka qenë një ndër rastet me keqpërdorimet më të mëdha me rezultatet zgjedhore

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, duke folur për rastet e manipulimeve me vota, tha se Prizreni ka qenë një prej rasteve më të mëdha me keqpërdorime të votave.

“Padyshim, Prizreni ka qenë njëri prej rasteve më të mëdha të keqpërdorimeve që kanë ndodh me rezultatet zgjedhore. Kemi pas diku mbi 68 mijë vota të manipuluara. Kemi ndërmarrë veprime hetimore të shpejta. Kemi siguruar prova personale, prova materiale. Dhe ju e dini, ka qenë edhe publike që kemi arrestuar 109 persona për një ditë dhe një pjesë të madhe të tyre me përgjegjësinë më të lartë i kemi dërguar edhe me kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. I ka aprovuar gjykata e shkallës së parë edhe gjykata e shkallës së dytë, dhe siç jeni në dijeni Gjykata Supreme më pas i ka liruar. Ne jemi ata të cilët duhet t’i respektojmë vendimet gjyqësore”, tha Kryeziu.

Në një intervistë në “Tempus”, Kryeziu tha se pjesa sa të dyshuarit kanë qenë në paraburgim, ka qenë pjesa “më e artë e hetimeve”.

“Kemi siguruar shumë prova në atë pjesë, kemi fituar dëshmitarë bashkëpunues sepse përveç zgjedhjeve, nga aty kemi zbuluar edhe keqpërdorim detyre zyrtare, kemi zbuluar edhe dhënie e marrje të ryshfetit, kemi zbuluar edhe kanosje”, shtoi Kryeziu.

Kryeprokurori u shpreh i bindur se do të zbulonin shumë më shumë, por që masat u ndërprenë dhe se qytetarët mendojnë se me ndërprerjen e masave edhe lirohen.

Për të dyshuarit, Kryeziu tha se ende janë duke u zhvilluar hetime dhe kur të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë do të ballafaqohen me aktakuza.

“Secili prej tyre, sidomos që kanë mbajtur pozita zyrtare dhe që janë në këtë shoqëri, sepse kemi pa që janë mësues, arsimtarë dhe gjithçka tjetër, ne krahas aktakuzës do të popozojmë edhe dënimin plotësues të mos-ushtrimit të funksioneve në administratë publike dhe në shërbime publike”, tha Kryeziu.

“Nuk na duhen as arsimtarë e as mësues që sot vjedhin vota, e nesër na i mësojnë fëmijët”, theksoi ai.

I pari i Prokurorisë së Prizrenit shtoi se përveç Prizrenit, po hetohet edhe Suhareka, Dragashi e Mamusha.


Kryeziu: 94 raste të korrupsionit kemi përfunduar gjatë vitit 2025, aty ku kemi vendosur prioritete treguam rezultate

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, tha se gjatë vitit 2025 kanë përfunduar 94 raste të korrupsionit, duke theksuar se aty ku janë vendosur prioritetet ka pasur rezultate.

Në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, Kryeziu tha se viti 2025 është përmbyllur me rezultate të shumta. Ndër të tjera përmendi edhe rastet të cilat kjo Prokurori i ka ndjekur e disa prej tyre edhe në flagrancë.

“Në mandin tonë edhe në autorizimet tona kemi madat që të hetojmë, arrestojmë, akuzojmë e pastaj edhe të presim aktgjykimet e gjykatës. Brenda vitit 2025 kemi pas zyrtarë policorë, zyrtarë doganorë, kemi pasur zyrtarë komunalë, kemi pasur inspektorë, drejtorë komunalë, kemi pasur po ashtu me hetime, arrestim në flagrancë edhe avokatë, edhe zyrtarë të gjykatës”, tha Kryeziu.

Lidhur me hetimet dhe arrestimet, Kryeziu tha se falë bashkëpunimit të kolegëve për punën e mirë, është ballëhapur në prezantimin e rezultateve të kësaj Prokurorie.

Ai tha se edhe në planin e punës kanë paraqitur objektivat kryesore, ku i kanë konsideruar me prioritet pesë prej veprave më të shpeshta: fajdeja, korrupsioni, narkotikët, mjedisi dhe dhuna në familje.

Kryeziu theksoi se veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, janë vepra më komplekse për t’u hetuar dhe gjykuar.

“Kemi rrit kapacitetet në këtë drejtim dhe i kemi dhënë fokus të madh. Andaj, kemi pranuar 91 raste brenda vitit 2025, përderisa i kemi përfundu 94. Kemi kry më shumë raste të korrupsionit sesa që kemi pranuar. Domethënë, aty ku kemi vendos prioritete, padyshim që kemi tregu edhe rezultate”, tha Kryeziu.

Kryeprokurori shtoi se janë akuzuar 69 persona për korrupsion, janë hudhur 29 aktakuza, janë pushuar 11 dhe 20 lëndë janë dërguar në kompetencë- sikurse janë rastet që kanë të bëjnë me Prokurorinë Speciale apo Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Mendoj që edhe sa i përket veprave penale të korrupsionit kemi arrit rezultate, sepse nga aktgjykimet e pranuara, si kurrë më parë kemi kalueshmërinë 82% të rasteve të korrupsionit”, u shpreh Kryeziu.

Sipas tij, brenda vitit 2025 kanë pranuar 5 mijë e 206 lëndë nga të gjithë regjistrat.

“Kemi pranuar 3 mijë e 61 kallëzime penale ndaj 4 mijë e 298 personave, përderisa i kemi zgjidhur 2 mijë e 841 kallëzime me 3 mijë e 904 persona. Pra, arritshmëria është diku tek 94 për qind e lëndëve në raport me ato të pranuara”, tha Kryeziu.

Kryeprokurori tha se vitin 2025 e përfunduan me pesë prokurorë më pak, pasi tre prokurorë janë pensionuar, një është transferuar në prokurori tjetër dhe një tjetër është pezulluar për shkak të procedurës penale.

“Vlen të theksohet se sa i përket mënyrës së zgjidhjes së rasteve, kemi ngritur aktakuza ndaj 2 mijë e 760 personave brenda vitit 2025, kemi hudhur 444 kallëzime penale, kemi pushuar 198 hetime- që tregon për integritet të lartë edhe profesionalizëm, sepse aty ku nuk ka dyshim të bazuar mirë nuk jemi të interesuar të dalin para gjykatës e pastaj të na bien rastet”, tha Kryeziu.

Sipas tij, nga Gjykata kanë pranuar 1 mijë e 473 aktgjykime, prej tyre- 1 mijë e 411 janë dënuese, 41 liruese dhe 21 hudhje. Kryeziu shtoi se nga kjo del se vetëm 4.3% nuk kanë kaluar.

Kryetarja e Gjykatës në Prizren thotë se rreth 13 lëndë disiplinore janë ngritur për gjyqtarët gjatë vitit 2025

1 o. më parë / 6 pri 2026 22:19
shpresa emra

Shpresa Emra, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren, në një intervistë emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjatë vitit 2025, janë ngritur 12 apo 13 lëndë disiplinore për gjyqtarë.

“Sa i përket çështjeve disiplinore, i trajtoj unë si çështje dhe gjatë vitit të kaluar i kemi pas diku 12 apo 13 lëndë si çështje disiplinore, të cilat i kom ngritë sipas kërkesave të palëve”, tha Emra.

Ndërkaq, shtoi se secili person që mendon se një gjyqtar duhet të japë llogari për një veprim të caktuar, duhet të drejtohet tek kryetari i Gjykatës, apo tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Secili person që mendon që një gjyqtar duhet të japë llogari dhe të përgjigjet për veprimet e veta, duhet të drejtohet ose te kryetari ose në Këshill Gjyqësor. Shumica e çështjeve shkojnë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor dhe unë vendosi në afatin kohor të cilin e parasheh edhe ligji”, tha Emra.


Emra: Planifikoj ta caktoj edhe një gjyqtar në DKR, që lëndët e korrupsionit dhe fajdesë të kryhen më shpejtë

Shpresa Emra, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se këtë vit planifikon ta caktojë edhe një gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda.

Kjo u tha derisa u fol rreth trajtimit të lëndëve me interes më të lartë publik, si ato të korrupsionit, krimit të organizuar dhe të fajdesë.

Fillimisht, Emra tha se në fillim të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ka në punë 30 lëndë aktive për vepra penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, dy lëndë janë të kthyera në rigjykim.

“Të gjitha janë të caktuara dhe të gjitha këto lëndë janë në Departamentin për Krime të Rënda. Gjyqtarët e dinë që këto lëndë janë me prioritet dhe të gjitha janë në punë. Caktohen në mënyrë të njëpasnjëshme dhe janë duke punuar me përkushtim në mënyrë që të kryhen sa më shpejtë”, tha Emra.

Mirëpo, ajo tha se duke qenë se Departamenti për Krime të Rënda punon me trupa nga tre gjyqtarë të Krimeve të Rënda, kanë problem në formimin e këtyre trupave për shkak se janë vetëm pesë gjyqtarë në këtë Departament.

“Kemi problem në formimin e trupave gjykues, Departamenti për Krime të Rënda punon me trupa nga tre gjyqtarë të Krimeve të Rënda, duke pasur parasysh se janë pesë gjyqtarë në këtë Departament, atëherë koha e caktimit prej një date në datën tjetër paraqet problem, për arsye se edhe në momentin kur krijohen trupat gjykues, ato shkojnë në mënyrë automatike me SMIL, vetë SMIL-i e cakton datën edhe trupin gjykues i cili do të gjykojë”, u shpreh ajo.

Andaj, sipas saj, me vetëm pesë gjyqtarë, shkon pak më ngadalë edhe kryerja e lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin, e njëjtë edhe për lëndët e fajdesë.

“Kështu që me pesë gjyqtarë, pak shkon më ngadalë edhe kryerja e këtyre lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion, kjo është e njëjtë edhe me lëndë të fajdesë, të cilat në kohë të fundit janë më aktuale edhe në të cilat jemi duke punuar, janë me prioritet, të gjithë gjyqtarët e kanë parasysh”, tha ajo.

Kështu, kryetarja Emra tregoi se planifikon që të caktojë edhe një gjyqtar në Krime të Rënda, në mënyrë që të bëhen dy trupa gjykues dhe caktimi i lëndëve të bëhet edhe më shpesh.

“Në këtë drejtim, planifikoj që të caktoj edhe një gjyqtar në Krime të Rënda në mënyrë që të kemi dy trupa gjykues, edhe caktimi i lëndëve do të bëhet edhe më shpesh edhe në kohë më reale, më të shpejtë, që këto lëndë të kryhen dhe të hyjnë në punë”, deklaroi ajo.

Kurse, tha se kanë vetëm një lëndë të vjetër, që ka të bëjë me korrupsion dhe kjo për shkak se një i akuzuar është i paarritshëm për gjykatën.


Kryetarja Emra: Gjykata nuk ka pasur kapacitet për 109 të ndaluarit për keqpërdorim të votave

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, në një intervistë në  “Tempus” foli edhe për aksionin ndaj të dyshuarve për keqpërdorim me vota, derisa tha se Gjykata nuk ka pasur kapacitet për 109 të ndaluarit.

Ajo tha se ka qenë hera e parë kur kjo Gjykatë është përballur me numër kaq të madh të personave të ndaluar. Sipas saj, ka qenë sfidë e theksuar numri i madh i personave të ndaluar.

“Sa i përket rasteve të njohura, nga kapitulli i të drejtave të votimit, ka qenë sfidë e theksuar për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar, ku 109 persona janë ndaluar me masë të ndalimit 48 orë, ndërsa, 28 prej tyre i është parashtru kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ajo.

Kryetarja bëri të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë, janë organizuar dhe kanë caktuar nga katër prokurorë dhe gjyqtarë.

“Duke pasur parasysh se ky numër ka qenë shumë i madh, në bashkëpunim me Prokurorinë, jemi organizu dhe i kemi caktu gjyqtarët, Prokuroria i ka caktu katër prokurorë, ne i kemi caktu katër gjyqtarë dhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë, të cilët kanë punu 24 orë, në mënyrë që procesi të shkojë në mënyrë të rregullt dhe mos të ketë ngecje”, u shpreh Emra.

Emra theksoi se kjo ka qenë sfidë për ta për shkak se nuk kanë pasur hapësira të mjaftueshme dhe nuk e dinë se si do i menaxhonin në rast se Prokuroria do kishte shkuar me 109 të ndaluar.

“Ne kemi qenë Gjykata e parë e cila ka fillu me këto lëndë. Domethënë me këto çështjet në lidhje me votimet dhe besoj që ka qenë sfidë për ne, për arsye se edhe objektin e kemi të vjetër edhe hapësira të mjaftueshme nuk kemi pas, edhe në fillim kanë qenë 109 të ndalum edhe nëse Prokuroria do kishte shkuar me 109, nuk e dimë se si do e kishim menaxhuar, 109, 109 avokatë, policë, kjo gjykatë nuk ka pasur kapacitet për menaxhimin, por me 23 persona i kemi menaxhu katër gjyqtarë edhe gjashtë bashkëpunëtorë edhe sigurisht se edhe me avokatë edhe me sigurim edhe me krejt, ka shku në mënyrë të rregullt”, tha ajo.