TEMPUS

Rezniqi: Përmes QNJ-IKD, kemi pasur ndikim të drejtpërdrejtë për vërtetimin e rastit të shkeljes së të drejtës për jetë

Arrita Rezniqi

Arrita Rezniqi, koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të QNJ-së janë arritur rezultate konkrete në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë edhe të drejtën për jetë.

“Rastet që i trajtojmë në kuadër të ndihmës juridike falas janë të ndryshme dhe secili është i rëndësishëm në natyrën e vet. Në një numër të konsiderueshëm kemi pasur viktima të dhunës në familje”, tha Rezniqi në “Tempus”.

Ajo veçoi një rast të rëndë, ku një grua ishte vrarë si pasojë e dhunës në familje, ndërsa Qendra për Ndihmë Juridike Falas në IKD ka përfaqësuar fëmijët e viktimës në të gjitha instancat, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Bëhet fjalë për rastin e të ndjerës Sebahate Morina.

“Ky rast është dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar shkeljen e të drejtës për jetë. E kemi përfaqësuar rastin me sukses dhe është konstatuar se është shkelur e drejta për jetë dhe është konstatuar përgjegjësia e policisë dhe prokurorisë”, tha Rezniqi.

Sipas saj, këto raste nuk kanë ndikim vetëm për individët e përfshirë, por krijojnë edhe një standard të përgjithshëm institucional se si nuk duhet të veprohet në raste të ngjashme.

“Thjesht, janë raste që, përveç zgjidhjes konkrete, arrijnë të kenë ndikim më të gjerë përmes ndërtimit të praktikave më të mira dhe vendosjes së përgjegjësisë”, përfundoi Rezniqi. /BetimipërDrejtësi

Haliti: Një viktimë e dhunës seksuale është dashur të presë 7 vite në gjykatë për t’iu njohur e drejta e saj

Fatmire Haliti, juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka theksuar në emisionin “Tempus” se viktimat e dhunës seksuale po përballen me ritraumatizim institucional për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore.

“Pikërisht tek rastet e ndjeshme, siç janë viktimat e dhunës seksuale, ka specifika të veçanta, sidomos çështjet që lidhen me ritraumatizimin, pasi që çdo proces gjyqësor – ballafaqimi me kryerësin – i shkakton trauma të reja viktimës”, tha Haliti.

Ajo përmendi rastin e një të mbijetuare, e cila që nga viti 2018 ishte në pritje për njohjen e statusit të saj si viktimë e dhunës seksuale. Sipas saj, vetëm para pak javësh, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për njohjen e këtij statusi.

“Nga komisioni në gjykatë dhe anasjelltas, kjo grua është dashur të presë 7 vite për t’i njohur një të drejtë që i takon me ligj. Një viktimë që ballafaqohet me trauma afatgjata, që stigmatizohet nga shoqëria dhe rrethi, nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë nga institucionet e drejtësisë”, u shpreh Haliti.

Ajo shtoi se kanë pasur edhe raste të tjera ku tri të mbijetuara e gëzojnë tashmë pensionin e dyfishtë me vendim të formës së prerë, si dhe janë kompensuar retroaktivisht për vitet e pritjes.

Rasti i paraqitur nga Haliti, dëshmon për nevojën urgjente të reformës institucionale dhe gjyqësore për të siguruar qasje të barabartë, dinjitet dhe trajtim të ndjeshëm për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. /BetimipërDrejtësi

U.d drejtori i ANJF-së: Agjencia si pjesë e Ministrisë mund të shihet si konflikt i interesit

Faton Jashari, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se fakti që kjo Agjenci është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, mund të shihet si konflikt i interesit.

“Është e vërtetë se mund të konceptohet në atë aspekt dhe është ashtu për faktin se siç e përmendi kolegia mundet me pas edhe konflikt interesi. Një rast të vije ta marrim shembull largohet nga puna prej Minstrisë dhe ajo vjen te Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, është përfituese e drejtpërdrejtë e ndihmës juridike falas. Në atë rast ne i angazhojmë avokat ose e përfaqësojmë në procedura gjyqësore pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe palë e kundërt është përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, siç ka me angazhu avokatin e vet ose përmes zyrtarëve dhe aty mundet për vet faktin se gjykata apo palët në procedurë e ruajnë paanësinë në aspektin shoqëror ndikon si konflikt interesi”, tha Jashari. /BetimipërDrejtësi


Jashari: Ligji për ndihmë juridike falas është në proces të ndryshimit

Faton Jashari, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, bëri të ditur se Ligji për Ndihmë Juridike Falas është në proces të ndryshimit dhe plotësimit, me qëllim të përmirësimit të funksionimit të këtij mekanizmi jetik për qasjen në drejtësi.

“Është formuar grupi punues dhe tashmë kemi kaluar në fazën e hartimit të koncept-dokumentit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas. Ne si Agjenci jemi pjesë e këtij grupi”, tha Jashari në emisionin “Tempus”.

Ai theksoi se bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile është institucionalizuar që nga viti 2022, kur Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një rregullore që përcakton kriteret për përfshirjen e organizatave joqeveritare në partneritet me agjencinë.

“Përveç shkëmbimit të informatave, ne bashkëpunojmë me OJQ-të edhe në aspektin e trajtimit të kërkesave nga palët. Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të krijimit të një databaze, e cila do të mundësojë që palët të regjistrohen dhe aplikojnë për ndihmë juridike përmes saj. Kjo databazë do të jetë e qasshme edhe për OJQ-të dhe do të ofrojë një pasqyrë më të saktë të kërkesave që paraqiten në të dy kanalet”, tha Jashari.

Ai bëri të ditur se janë zhvilluar edhe trajnime të përbashkëta për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të Agjencisë dhe punonjësve të organizatave partnere, si dhe se po realizohen fushata vetëdijësuese për të dërguar mesazhe tek grupet më të margjinalizuara në shoqëri. /BetimipërDrejtësi


Nrecaj: Ndihma juridike falas është shumë e rëndësishme, urë lidhëse për besim në institucione

Anton Nrecaj

Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv në CLARD, tha se ndihma juridike falas është shumë e rëndësishme, sepse është urë lidhëse për qytetarët, për besim në institucione.

“Shumë e rëndësishme ndihma juridike, jo vetëm për faktin që qytetarët përfitojnë përmes shërbimeve, por është shumë e rëndësishme sepse përmes këtyre shërbimeve ngritet ajo ura lidhëse e besueshmërisë së qytetarit qoftë në institucione, qoftë në organizatat e shoqërisë civile, qoftë edhe çka është më e rëndësishmja edhe në gjyqësor”, tha Nrecaj në “Tempus“.

Ai tha se duhet të kemi parasysh faktin që gjyqësori ballafaqohet me shumë probleme dhe se ka pasur raste kur qytetarët gjatë një procesi që ka marrë shumë kohë, janë lodhur- andaj janë tërhequr.

“Dhe në njëfarë forme e ka hup besueshmërinë për të vijuar më tutje dhe këto lloj shërbimesh, ky lloj aspekti i shërbimit të ndihmës juridike do ta ngriste besueshmërinë e qytetarëve në institucione sidomos në gjyqësor”, tha Nrecaj. /BetimipërDrejtësi


Rezniqi: Ballafaqohemi me raste që institucionet s’ua njohin qytetarëve të drejtat e tyre

Arrita Rezniqi, koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se rastet me të cilat po ballafaqohen më së shumti janë ato ku institucionet publike nuk po ua njohin qytetarëve të drejtat që u garantohen me ligj.

“Në një situatë që ne më së shumti ballafaqohemi janë rastet kur qytetarët kanë probleme me institucionet shtetërore. Do të thotë, moszbatimi i obligimeve ligjore nga ana e institucioneve po bën që qytetarët të detyrohen të ndjekin rrugën gjyqësore për realizimin e të drejtave të tyre”, tha Rezniqi në “Tempus”.

Ajo theksoi se rasti më tipik është ai i mosnjohjes së të drejtës për pensione të dyfishta nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, që sipas saj, është duke gjeneruar numër të madh të kërkesave për ndihmë juridike falas.

“Sikur Ministria ta respektonte ligjin siç duhet, nuk do të kishim kaq shumë qytetarë që kërkojnë ndihmë juridike falas për këto raste, e po ashtu nuk do të kishte as numër të madh të rasteve që ne i dërgojmë në gjykatë, e as shpenzime që krijohen si rrjedhojë e kësaj situate,” tha Rezniqi.

Po ashtu, Rezniqi tha se mungesa e respektimit të të drejtave nga institucionet po çon në mbingarkesë të sistemit të ndihmës juridike dhe të gjykatave, duke krijuar barrë financiare dhe institucionale për shtetin. /BetimipërDrejtësi