OpEd

1 nëntori

Më 1 nëntor protestuesit në Serbi kanë planifikuar të mbajnë protestën më të madhe që nga fillimi i protestave për të shënuar përvjetorin e tragjedisë së Novi-Sadit. Deri më sot gjatë çdo proteste Vuçiqi ka provokuar protestuesit dhe ka tentuar të shndërrojë protestën në dhunë dhe kaos. Thënë ndryshe, më 1 nëntor do të shohim nëse Vuçiqi ka kuptuar drejt mesazhet që i vijnë nga Brukseli apo nëse Brukseli është serioz në kërcënimet e veta ndaj Vuçiqit

Kur para disa ditëve presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula Von der Leyen, filloi konferencën e saj për media në Beograd, vëmendje mori shumë më shumë ajo çfarë presidentja nuk tha sesa ajo çfarë tha. Presidentja nuk e filloi fjalimin e saj ashtu siç e fillonte tradicionalisht, duke iu drejtuar presidentit Vuçiq me “I dashuri Aleksandër”. Në vend të “I dashuri Aleksandër”, ajo zgjodhi terminologji shumë më inferiore, duke iu drejtuar atij me termin e ftohtë “Z. president”.

Fillimi i ftohtë i fjalimit të saj ishte paralajmërim i pjesës së mbetur të fjalimit. Ndonëse i mbështjellë në gjuhë dhe elegancë diplomatike, fjalimi i presidentes ishte më i ashpëri që ajo kishte dhënë ndonjëherë në Beograd. Ai vjen pasi që BE-së po i mbaron durimi me sjelljen e regjimit të Vuçiqit karshi Rusisë, dhunës ndaj protestuesve dhe sulmeve të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Parlamentit Evropian. Për këtë të fundit Partia Popullore Evropiane ka iniciuar procedurë formale të shqyrtimit të anëtarësisë së partisë së Vuçiqit në familjen e Partisë Popullore Evropiane.

Dhe këtë javë Parlamenti Evropian ka përshkallëzuar pozicionin e vet karshi Vuçiqit më tutje me miratimin e rezolutës mbi “polarizimin dhe represionin në rritje në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi-Sadit”. Rezoluta pikturon një gjendje të rëndë politike në Serbi, pothuaj të paprecedentë për një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nga e gjithë rezoluta, në veçanti bien në sy tri gjëra, për të cilat Parlamenti Evropian ka marrë pozicion të qartë dhe me mbështetje prej 457 apo 72% të eurodeputetëve që votuan. 

E para, rezoluta konfirmon se shteti Serb është duke ushtruar dhunë sistematike kundër protestuesve. Kjo në vetvete është risi, pasi që deri më tani qëndrimi i BE-së ka qenë i mjegulluar duke refuzuar të ofrojë verdikt të prerë për zhvillimet në Serbi. Në këtë frymë rezoluta dënon ashpër “valën e dhunës shtetërore, intimidimin dhe arrestimet e pabaza” të protestuesve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të opozitës. Njëkohësisht, Parlamenti bën thirrje për hetime urgjente, të paanshme dhe transparente mbi shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, duke përmendur konkretisht akuzat për “torturë dhe dhunë seksuale ndaj të ndaluarve”. Për më tepër, Parlamenti kërkoi konkretisht që autoritetet të shqyrtojnë akuzat për këto shkelje që burojnë nga zyrtarë të lartë të Njësisë së Sigurisë Policore (JZO), veçanërisht oficeri i saj komandues, Marko Kričak. Emërimi specifik i z. Kričak është në veçanti goditje elegante dhe e drejtpërdrejtë ndaj Vuçiqit, i cili ka marrë personalisht në mbrojtje oficerin Kričak dhe është njëkohësisht njohje e BE-së për kredibilitetin e akuzave të protestuesve, të cilët kanë akuzuar drejtpërdrejt oficerin komandues Kričak për dhunën ndaj protestuesve. Parlamenti Evropian po ashtu iu bashkua protestuesve dhe forcoi akuzën e tyre kundër shtetit serb për përdorimin e topit zanor. Rezoluta gjithashtu dënoi përdorimin e përgjimeve dhe mbikëqyrjes digjitale të paligjshme, duke përmendur programe spiune të sofistikuara, si Pegasus, Cellebrite dhe NoviSpy kundër demonstruesve. 

Së dyti, rezoluta mban lidershipin serb drejtpërdrejt përgjegjës për “përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike”. Rezoluta dënon faktin se zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë janë duke përhapur në mënyrë aktive teori konspirative të pabaza – të tilla si pretendimi se shembja te stacioni hekurudhor në Novi-Sad ishte një akt sabotimi ose terrorizmi. Për më shumë dhe përsëri duke goditur drejtpërdrejt narracionin publik të Vuçiqit rezoluta akuzon specifikisht partinë e tij për organizimin dhe ngritjen e kampit të paligjshëm para Parlamentit serb dhe shpreh shqetësim të madh për raportet se individë me të kaluar kriminale u mobilizuan nga partia në pushtet për të marrë pjesë në aktivitete kundër-protestuese. Rezoluta vuri në dukje se situata mbetet “e mbushur me tension dhe polarizim që mund të çojë lehtësisht në dhunë”, një klimë që Parlamenti ua atribuoi drejtpërdrejt gjuhës së urrejtjes, promovimit të dhunës dhe propagandës antievropiane dhe proruse të përhapur nga mediat dhe zyrtarët qeveritarë. Parlamenti gjithashtu dënoi “ndërhyrjen e hapur të Federatës Ruse” përmes fushatave të dezinformimit, duke kërkuar që autoritetet serbe të veprojnë kundër kësaj propagande në vend që të marrin pjesë në përhapjen e saj. 

Së treti, Parlamenti Evropian paralajmëroi se çfarë e ardhmeje mund ta presë regjimin e Vuçiqit. Në kuadër të rezolutës Parlamenti ftoi Komisionin Evropian që të “nisë një iniciativë për sanksione të targetuara individuale” kundër atyre që janë përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi. Ai gjithashtu u bëri thirrje zyrtarëve të lartë të BE-së të “përmbahen nga deklarata të pabaza që lavdërojnë procesin e reformave në Serbi”, duke lavdëruar kështu fjalimin e fundit të presidentes së Komisionit Evropian në Beograd. 

Ndonëse rezolutat e Parlamentit Evropian nuk kanë ndonjë peshë ligjore apo praktike, ato kanë peshë të rëndësishme politike. Rezoluta është sponsorizuar dhe votuar nga të gjitha grupet e mëdha politike evropiane. Përdorimi i një gjuhe të tillë të ashpër politike në kuadër të rezolutës do të ishte i pamundur pa mbështetjen e kancelarive kyç evropiane. Me anë të kësaj rezolute, BE-ja ia ka komunikuar tri mesazhe kyç Vuçiqit. E para, dhuna ndaj protestuesve nuk do të tolerohet. E dyta, Vuçiqi do të mbahet përgjegjës për përshkallëzimin e dhunës. Dhe e treta, injorimi i dy kërkesave të para do të çojë drejt marrjes së masave proporcionale sanksionuese ndaj Serbisë. 

Por në mënyrë që rezoluta të jetë kredibile, ajo duhet të tregojë efektet e veta në praktikë. Dhe kësisoj pasnesër ne do të shohim efektet e kësaj rezolute. Më 1 nëntor protestuesit në Serbi kanë planifikuar të mbajnë protestën më të madhe që nga fillimi i protestave për të shënuar përvjetorin e tragjedisë së Novi-Sadit. Deri më sot gjatë çdo proteste Vuçiqi ka provokuar protestuesit dhe ka tentuar të shndërrojë protestën në dhunë dhe kaos. Thënë ndryshe, më 1 nëntor do të shohim nëse Vuçiqi ka kuptuar drejt mesazhet që i vijnë nga Brukseli. 1 nëntori do të jetë testi për suksesin apo dështimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.