Futboll

Muriqi në top-treshe të La Ligas, lë prapa emra të mëdhenj

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi vazhdon të jetë njëri prej tre golashënuesve më të mirë të La Ligas.

Pas xhiros së zhvilluar në fundjavë, Kylian Mbappe është i pari në ranglistë me 17 gola. Mbappe po shkëlqen te Real Madridi, ndërsa ka edhe katër asistime.

Ferran Torres i Barcelonës është golashënuesi i dytë, me 11 gola. Ka edhe një asistim.

Ndërkohë Muriqi është i treti në ranglistë me nëntë gola. Kosovari po shkëlqen te Mallorca këtë edicion. Tashmë e ka kaluar shifrën e golave që i shënoi gjatë gjithë edicionit, në dy kampionatet e kaluara.

Robert Lewandowski i Barcelonës, Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe plot emra të tjerë të mëdhenj janë prapa Muriqit. Ndër të tjera edhe Lamine Yamal e Raphinha.

31-vjeçari të shtunën shënoi supergol në fitoren 3:1 të Mallorcas ndaj Elches. Ndeshja i takoi xhiros së 16-të të kampionatit spanjoll. Ai realizoi me goditje mjeshtërore me kokë nga rreth 15 metra largësi.

Me formën aktuale ky do të jetë edicioni më i mirë në karrierë për prizrenasin. Edicioni më i mirë i tij deri më tani ishte 2022/2023, kur për Mallorcan i realizoi 15 gola e tri asistime në 35 paraqitje në La Liga.