Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

18 muaj rrëmujë

Nuk e dëgjova asnjërin që më shpjegon se çfarë masash e veprimesh, që nuk janë subvencione, do të merren që situata të ndryshojë, e që të kemi një jetë të dinjitetshme. Kam bërë mjaft vjet sa për të ditur se jeta nuk është gjithherë vijë e drejtë dhe që kalohet pa telashe. Porse gjithashtu kam vetëdije të mjaftueshme sa për të ditur se ka edhe më mirë, ndërkohë që ne shansin që na është dhënë pas çlirimit, nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë, dhe ende nuk dimë

Pra, nëse dikush e ka pasur edhe dyshimin më të vogël se fushata ka nisur pa nisur zyrtarisht, java e shkuar e bindi në të kundërtën.

Pra, prej intervistave dhe paraqitjeve “programore” gjithandej nëpër studio televizive; prej postimeve të pafund në rrjete sociale e deri te krijimi i porosive zgjedhore nergut për rrjete sociale, sepse thuhet se kushtojnë më lirë sesa reklamimi klasik në televizione – filluan të na e mbushin kokën me gjithfarë përmbajtjesh, akuzash e premtimesh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këtë javë e mora vesh që dikush do ta rikthejë shtetin, për shkak se konsideron se shteti është ajo vetë; e mora vesh gjithashtu që opozitë është vetëm një, për shkak se i zbaton të njëjtat veprime sikurse VV-ja dikur në opozitë; se për të tretën herë me radhë, e kuptova se vazhdon tradita e blerjes së votës nëpërmjet subvencioneve që quhen “Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0”.

Pra, kjo e fundit, sipas vendimit të qeverisë, nënkupton: “mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale; mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë; për të gjithë të punësuarit, të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, ku përfshihen sektori privat, shoqëria civile, por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat e tjera, si dhe; për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë”.

Nuk e di se për sa milionë bëhet fjalë, porse e di që krejt këto blerje votash janë punë angarie – as 27 vjet pas fundit të luftës, Kosova nuk është në gjendje ta rregullojë çështjen e kësaj përkrahjeje në mënyrë të strukturuar dhe sistemore.

* * *

Java nisi me një intervistë të kryeministrit në detyrë. Në shumë tema që u prekën, ishte edhe një që e shtroi Eraldini në lidhje me shpërndarjen e ndihmave në formë lineare, pra për të gjithë njësoj, pavarësisht gjendjes financiare. Kurti pak a shumë tha se kjo është për shkak se administrata kosovare është e dobët dhe se nuk ka kapacitet për ta bërë një zbërthim më të ngushtë që të mbërrijë tek ata që kanë nevojë më së shumti.

Me ta dëgjuar përgjigjen e tij, m’u kujtua 2005-a, kur u krijua Grupi i Ekspertëve për Reformën e Administratës Publike (GERAP), për ta ndërtuar strategjinë e reformës për nevojat e Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së atëhershme të Shërbimeve Publike nën udhëheqjen e Melihate Tërmkollit.

Mua më kishte rënë hisja të merresha me burimet njerëzore – ta bëja analizën e gjendjes aktuale, në bazë të shënimeve që i kishte MSHP-ja në dispozicion. Me urdhër të Melit m’u dha qasja në listën e pagave, pa emra, vetëm me pozita dhe institucione. Atëbotë Kosova i kishte 30 komuna dhe 15 ministri plus zyrën e kryeministrit, zyrën e kryetarit, e Kuvendin.

Në fund të raportit, shifrat ishin si vijon: në sektorin publik ishin rreth 70 mijë të punësuar (pra mjekë, mësimdhënës, policë, etj...) dhe ishin rreth 10 mijë shërbyes civilë në institucione qendrore dhe komunale. Por, më tronditësja qe se rreth 70% e stafit të angazhuar ishin me diploma të shkollës fillore dhe të mesme.

Ky ishte indikator që tregonte se Kosovës i duhej një reformë e thellë e administratës publike, për shkak se ishte e mbingarkuar dhe jo mjaftueshëm e kualifikuar. Procesi i ndryshimit të strukturës kualifikuese mori së paku një dekadë – por ndërrime në sektorin publik ka pasur, sepse njerëzit kanë ndërruar vend pune ose edhe janë pensionuar, dhe janë zëvendësuar me njerëz që së paku kanë pasur diploma fakulteti. Nuk e di a ka pasur mundësi matjeje kapaciteti profesional të të punësuarve të rinj.

Sidoqoftë, sot Kosova llogaritet t’i ketë nja 84 mijë shërbyes publikë dhe nja 15 mijë shërbyes civilë (pra nja 100 mijë), që e bën shtetin punëdhënësin më të madh në Kosovë.

Ndërkohë, Kosova është bërë me 38 komuna (pas pavarësisë) dhe aktualisht i ka 19 ministri plus zyrën e kryeministrit (edhe zyrën e kryetarit e Kuvendin). Të gjithë këta i shpenzojnë diku rreth 25% të buxhetit të Kosovës.

Dhe Kurti sërish flet për nevojën për ta reformuar administratën shtetërore.

Por për të reformuar diçka, duhet të kesh ide dhe veprime reformatore.

Unë as idetë e as veprimet nuk po i shoh.

Qe shumë vjet.

* * *

Grupi i Ekspertëve nga 2005-a e ka pasur edhe komponentin e digjitalizimit të administratës shtetërore. Do të thotë para më shumë se dy dekadash ishte përpiluar një plan se si do të duhej digjitalizuar të gjithë shtetin sipas shembullit të shteteve baltike. Atëherë mundësia për të marrë fonde nga donatorët ka qenë skajshmërisht më e madhe dhe po të ishte vepruar sipas idesë, çështja e shërbimeve digjitale, moti ish harruar.

Ajo ide parashihte jo vetëm rrjedhën administrative me sa më pak letra; por edhe themelimin e fondeve të domosdoshme për mbulimin e nevojave sociale e shëndetësore të popullatës. Sisteme që kishin ekzistuar në të kaluarën, duheshin inkorporuar në një sistem të ri elektronik, në të cilin do të lidheshin ofruesit e shërbimeve, kontributet e të punësuarve si dhe buxheti i shtetit për t’u përkujdesur për shëndetin, punësimin, shtesat fëmijërore dhe pensionistët, ndër të tjera.

E gjitha mbeti në letër. E ka mundur të ishte funksionalizuar me kohë, pa pasur nevojë për miratimin e, për shembull, Ligjit për Sigurime Shëndetësore nja pesë herë, pa e zbatuar asnjë copëz të vetme të tij.

Në vend se të themeloheshin fondet përkatëse, që do të përkujdeseshin për mbulimin e shërbimeve shëndetësore me sistem, me histori klinike, me evidentim të qartë të mjeteve të përdorura në trajtimin e pacientëve përfshirë edhe barnat; apo edhe caktimin e pensioneve sipas përvojës së punës dhe kontributeve të paguara përgjatë viteve jashtë Trustit, i cili është fond kursimesh, dhe që askush nuk e kupton se përse duhet paguar tatim në mjete të kursyera; apo edhe caktimin e shtesave fëmijërore, ndihmave sociale dhe pagesave transitore të papunësisë deri në gjetjen e vendeve të punës nëpërmjet zyrave komunale të punësimit – ne vazhdojmë, qe gati 30 vjet, duke marrë shërbime të cunguara shëndetësore; pensione jodinjitoze; shtesa e subvencione sa herë që ka zgjedhje, apo edhe paralajmërim për zgjedhje.

Për krejt këto, nuk ka administrata faj. Faj kanë ata që e marrin qeverisjen e shtetit në dorë dhe që do të duhej ta përdornin administratën për ofrimin e shërbimeve që një shtet normal do të duhej t’i kishte.

* * *

Krejt çka po dëgjoj në këtë parafushatë është ky tha, ai tha, ky e bëri këtë, ai e bëri atë, ky rren, ai rren, ky është mizogjen, po ai tjetri edhe më mizogjen... dhe kur e shikon, e gjithë lufta bëhet për pushtetin e individëve që jetojnë në kozmos që nuk e kanë idenë se në çfarë realiteti jetojmë.

Nuk e dëgjova asnjërin që më shpjegon se çfarë masash e veprimesh, që nuk janë subvencione, do të merren që situata të ndryshojë, e që të kemi një jetë të dinjitetshme.

Kam bërë mjaft vjet sa për të ditur se jeta nuk është gjithherë vijë e drejtë dhe që kalohet pa telashe. Porse gjithashtu kam vetëdije të mjaftueshme sa për të ditur se ka edhe më mirë, ndërkohë që ne shansin që na është dhënë pas çlirimit, nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë, dhe ende nuk dimë.

Se sa të humbur në oborrin tonë jemi, mjafton një detaj: Sipas KQZ-së më 7 qershor, të drejtë vote kanë 2.092.174 njerëz, prej të cilëve 1.959.962 në Kosovë dhe 132.212 në mërgim. Sipas ASK-së, banorë rezidentë në Kosovë ka 1.602.515.

Për ne që e kemi mësuar matematikën moti, duket se kemi humbur ndonjë mësim ndërkohë, se shifrave të tilla vështirë ua gjejmë logjikën.

Si edhe krejt kësaj që po na ndodh në këta 18 muajt e fundit.

[email protected]