Vrasja e një arsimtari të historisë në Paris tregon se sa shumë e kanë helmuar fenë islame fanatikët. Ky është krimi i vërtetë. Krim fanatikësh e ideologësh! Çirrjet e trushpëlarëve (edhe në Kosovë) që mendojnë se profetët dhe librat e shenjta duhet patjetër të kullojnë gjak edhe në vitin 2020 dhe të mos shikohen e trajtohen në kontekstin e kohës që janë shkruar dhe të interpretohen me sy kritik e me logjikë - pra, këto çirrje janë gjueti shtrigash. Asnjë libër i shenjtë nuk mund të jetë më i shenjtë se liria e mendimit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ai deputeti i Vetëvendojes që bën skena në parlament me maska me mesazhe kinse fetare.
Samuel Paty ishte mësues i historisë në Paris. Si pedagog ai deshi të diskutojë me nxënësit e tij mbi lirinë e mendimit dhe kufijtë e lirisë së mendimit. Me atë rast ai tregoi para nxënësve edhe karikaturat e revistës "Charlie Hebdo", ku përqeshet apo kritikohet profeti i myslimanëve (varësisht nga këndvështrimi). Vrasja e mësuesit Samuel Paty është akt i vërtetë i barbarisë. Ky akt godet një simbol të rëndësishëm të shoqërisë franceze: shkollën, aty ku mësohet (ose do të duhej të mësohej) mendimi kritik, toleranca, liria e shprehjes. Por në zonat periferike të dominuara nga myslimanët në qytetet e mëdha franceze (në banlieue) kjo po bëhet gjithnjë e më e pamundur. Në mediat franceze arsimtarët tregojnë se në shkollat me shumë nxënës myslimanë (të përkrahur nga prindërit) rezistenca kundër trajtimit të temave si biografia e profetit, shoa (shfarosja e hebrenjve), sulmet e 11 shtatorit apo teoria e evolucionit është shumë e madhe. Një atmosferë frike dhe autocenzure ka përfshirë Francën. Dhe pikërisht këtë e duan fanatikët fetarë, të cilët ëndërrojnë gjunjëzimin e shoqërive të lira perëndimore.
Sipas gazetës gjermane "Fankfurter Allgemeine Zeitung" që në vitin 2004 inspektori i arsimit Jean-Pierre Obin shkroi një raport mbi ndikimin e shtuar të islamit dhe islamizmit në shkollat franceze. Raportin me titullin "Arsimtarët në shënjestër" e mbuloi pluhuri në sirtarët e ministrisë së Arsimit, shef i së cilës atëbotë ishte François Fillon, ndërkohë i dënuar për korrupsion. Sivjet Obin ka botuar një libër: "Si u lejua islami të depërtojë në shkolla". Sipas Obin nxënësit myslimanë, të indoktrinuar nga rrethi dhe të nxitur nga prindërit, hedhin poshtë jo vetëm shpjegimet për historinë dhe biologjinë. Nxënësit rezistojnë edhe kur arsimtari i frëngjishtes shpjegon romanin "Zonja Bovari" të Gustave Flaubert për shkak se Emma Bovary nga "myslimanët e vërtetë" konsiderohet si e "pamoralshme". Në roman Flaubert tregon historinë jetësore të bashkëshortes së një mjeku, e cila vuan nga monotonia dhe pas disa aferave të dashurisë bën vetëvrasje. "Myslimanët e vërtetë" (lexo: fanatikët) kanë problem edhe me Voltaire-in, i njohur si kritik i religjionit. Ka gjithnjë e më shumë prindër që nuk i lejojnë vajzat të marrin pjesë në orën e notit në shkollë. Shpesh prindërit myslimanë organizojnë fushata linçuese kundër arsimtarëve dhe kërkojnë largimin e tyre nga puna ose ndëshkimin e tyre. Tani viktimë e kësaj ideologjie vrastare ra mësuesi Samuel Paty.
Pas sulmeve të tilla imamët, bashkësitë islame dhe popullistët si Rexhep Taip Erdoani thonë se kjo "s'ka të bëjë asgjë me islamin". Nëse nuk ka të bëjë asgjë me islamin, atëherë se paku ka të bëjë me atmosferën që e krijojnë predikuesit agresivë dhe luftënxitës, ka të bëjë me gjuhën kriminale të imamëve, ka të bëjë me ideologjinë e fanatikëve që synojnë "nënshtrimin e Perëndimit" dhe infiltrimin e shoqërive perëndimore, ka të bëjë me interpretimin rigjid të librit të shenjtë të myslimanëve, i cili - ngjashëm si Bibla - kullon ende gjak nëse shikohet vetëm në kontekstin historik të krijimit. Por e arritur civilizuese e njerëzimit është që përmes iluminizmit, qasjes logjike dhe kritike edhe librat e shenjtë të shihen në kontekstin e kohës dhe jo si doracakë për vrasje.
Gjithnjë e më shumë prindër myslimanë duhet të pyesin veten: cilit imam duhet t'i besohet? Te cili imam duhet dërguar fëmijët për të mësuar librin e shenjtë të islamit? Dhe a duhet dërguar fare nëse ata që flasin në emër të islamit janë larg vlerave dhe të drejtave themelore të njerëzimit? E drejta themelore njerëzore është e drejta për jetë. Natyrisht e drejtë njerëzore është edhe ushtrimi i lirë i fesë. Por ka myslimanë (sidomos nga sfera arabe) që këtë të drejtë e kërkojnë në Francë dhe gjetiu në Perëndim, por nuk shohin asnjë problem pse në disa vende arabe nuk lejohet ndërtimi i një kishe.
Asnjë libër i shenjtë nuk mund të jetë më i shenjtë se liria e mendimit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ai deputeti i Vetëvendojes së bën skena në parlament me maska me mesazhe kinse fetare. Vetëvendojse nuk mund të sillet si polici e mendimit dhe të promovojë jotolerancën. Ambicia për të qenë partia më e madhe nuk domethënë që në parti të tolerohen grupe agresive që ledhatojnë fanatikët, lartësojnë diktatorin komunist shqiptar dhe nuk pendohen fare për shërbimet që ia kanë bërë partive të krimit të organizuar, por përpiqen t'i "pastrojnë biografitë" përmes aktivitetit politik në Vetëvendosje.
Ambasadori i Kosovës në Francë nuk ka bërë krim. Ka shpërndarë një artikull të një gazete franceze. "Le Figaro" është gazetë serioze dhe e etabluar, jo fletushkë raciste. Nëse shpërndarja ka qenë kundër rregullave të ministrisë së Jashtme të Kosovës, këtë duhet ta sqarojë ministria në Prishtinë. Nëse nuk ka fare rregulla se çka mund të shpërndajnë në mediat sociale e çka jo ambasadorët dhe diplomatët, atëherë këto rregulla duhet t'i formulojnë përgjegjësit e ministrisë. Ndërsa ministria hesht, qeveria hesht, krerë të tjerë institucionesh heshtin, pse të mos e ndiejnë veten të trimëruar brigadat kërcënuese nga bota digjitale. Nuk është hera e parë. Kjo dhunë verbale një ditë edhe në Kosovë mund të ketë pasoja fatale.
Ndërsa për të ashtuquajturën Bashkësi Islame të Kosovës, një grup burrash që prioritet e ka tregtinë me qengja para Bajramit të Vogël, nuk duhet humbur shumë fjalë. Këta burra është mirë të tregojnë se çka mendojnë për vrasjen e një arsimtari të historisë në Paris që nuk ka bërë asnjë krim, por si pedagog ka kryer punën e tij. Derisa po shkruhet ky shkrim, portali gjerman "Spiegel Online" po njofton se para dy javësh në Dresden një sirian 20-vjeçar sulmoi me thikë dy gjermanë. Njëri vdiq, tjetri mbijetoi sulmin. Tani autoritetet e kanë arrestuar sirianin dhe dyshojnë se krimin e ka kryer për motive islamike. Siriani kishte ardhur në Gjermani në vitin 2015, në atë vit kur kancelarja Angela Merkel me një akt të pashembullt solidariteti pranoi gati një milion refugjatë kryesisht nga Siria. Edhe krimi në Dresden nuk ka të bëjë asgjë me islamin, por me ata që islamin e kanë shndërruar në biotop gjakpirësish gjithsesi ka të bëjë.