Në ditën e balotazhit, një situatë jo e qartë është raportuar në lagjen Tavnik të Mitrovicës, pranë Universitetit të qytetit, ku sipas informacioneve të gazetares sonë në terren, Valbona Bytyqi, është paralajmëruar një takim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në vendin e ngjarjes janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe njësinë për mbrojtjen e afërt të kryeministrit.
Atmosfera është bërë e tensionuar pasi, përveç përkrahësve të Kurtit, në lokalin ku pritej të mbahej takimi është paraqitur edhe një grup qytetarësh që kanë kundërshtuar vizitën e tij.
“Është pothuajse e paqartë se çfarë është epilogu i ngjarjes së cilën aktualisht jam duke e përcjell. Çfarë dimë deri më tani është se ka pasur një paralajmërim që në njërën prej kafeneve të lagjes në Tavnik do të vijë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kësisoj ka pasur forca të shtuara të Policisë së Kosovës përfshirë edhe mbrojtjen e afërt të kryeministrit në detyrë. Në kafenenë ku është planifikuar të mbahet një tubim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me shumë gjasë me simpatizantët e partisë që ai drejton, ka pasur edhe një grup tjetër që e ka kundërshtuar vizitën, takimin e Kurtit”, ka thënë ajo në një lidhje direkte për edicionin special të KTV-së në ditën e zgjedhjeve.
Disa dhjetëra persona janë larguar nga kafeneja brenda pak minutash, ndërsa aktualisht lokali është mbyllur dhe dritat janë fikur. Në zonë nuk shihen më qytetarë apo klientë, ndërsa ende nuk dihet nëse takimi i paralajmëruar do të mbahet.
Ai ka thënë se për të mos eskaluar situata midis dy grupeve, simpatizantë të partive në garë, e ka mbyllur kafenenë.
“Asnjë palë nuk ka kërkuar që të lirohet hapësira, por për të mos eskaluar situata dhe të bëhet diçka më e madhe... unë e kam marrë vesh prej punëtorëve të mi, më kanë kontaktuar dhe më kanë njoftuar se pi vjen Albin Kurti. Kryeministri nuk ka qenë asnjëherë më parë në kafene”, ka thënë ai.
E Kurti pas mbylljes së kësaj kafeneje ka shkuar në vizitë në një kafene tjetër. Ai nuk është përgjigjur për gazetar.
Ngjarja po ndodh në kohën kur qytetarët e 18 komunave të Kosovës po votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.