OpEd

B.B. Albania*

Secili prej nesh e kemi filozofinë tonë, së cilës shpeshherë as nuk mund t’i vëmë përkufizime, mirëpo të gjitha së bashku e formojnë atë bazamentin nga i cili e ndërtojmë personalitetin dhe karakterin që na përket. E më pas vjen edhe interaktimi ynë me secilin karakter tjetër të secilit njeri që e takojmë gjatë jetës sonë dhe me të cilin ndërtojmë kujtime të përbashkëta, përvoja, ide, rreth të cilave mund të përafrohemi apo ndoshta edhe të largohemi nga njëri-tjetri. Një interaktim i tillë që për momentin është duke më intriguar shumë ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet dy personaliteteve, si Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Fundviti zakonisht më vendos në njëfarë gjendje melankolie dhe mallëngjimi, dhe ato ndërlidhen me ngjarje e kujtime të miat nga e kaluara. As ky vit nuk është ndryshe, përsëritet ndjesia dhe përjetimi i njëjtë e mundohesh t’i definosh kohën, jetën dhe të gjitha pyetjet më të komplikuarat të mundshme që njeriu mund t’ia bëjë vetes. Pastaj të kujtohet edhe thënia “jeta është shumë e shkurtër”. Në të njëjtën kohë logjika ma thotë se jeta është përjetimi më i gjatë që do ta përjetosh ndonjëherë, dhe krejt në fund vijnë ato pyetjet nga më të rëndat... cili është qëllimi dhe roli im në këtë botë, në këtë periudhë kohore që është vetëm një grimcë e rërës në pafundësinë e oqeanit të quajtur kohë.

Secili prej nesh e kemi filozofinë tonë, së cilës shpeshherë as nuk mund t’i vëmë përkufizime, mirëpo të gjithat së bashku e formojnë atë bazamentin nga i cili e ndërtojmë personalitetin dhe karakterin që na përket. E më pas vjen edhe interaktimi ynë me secilin karakter tjetër të secilit njeri që e takojmë gjatë jetës sonë dhe me të cilët ndërtojmë kujtimet e përbashkëta, përvojat, idetë rreth të cilave mund të përafrohemi apo ndoshta edhe të largohemi nga njëri-tjetri.

Një interaktim i tillë që për momentin është duke më intriguar shumë ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet dy personaliteteve, si Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

I pari sigurisht se ka lënë gjurmë në politikëbërjen e shtetit shqiptar dhe ndoshta edhe, si çdo njeri tjetër siç bën gabime në jetë apo në punë, atë punë e ka bërë mirë me raste dhe në mënyrë katastrofike në rastet e tjera.

I dyti, pra Lulzim Basha, ishte derivat i këtij të parit. I përkëdheluri dhe i preferuari i Sali Berishës në kuadër të Partisë Demokratike. Një relacion ky që në ndonjë vepër letrare do të quhej si ai i të atit me të birin. Sali Berisha ishte ai i cili e afroi Lulzim Bashën, e nxori nga anonimiteti dhe e faktorizoi në kuadër të PD-së.

E ndonjëherë, në botën e komplikuar njerëzore, edhe i ati me të birin mund të hasin në ndonjë keqkuptim apo mosmarrëveshje ndërmjet vete. Në raste të rralla ajo mosmarrëveshje mund të përshkallëzojë edhe me ndonjë pasojë fatale. Edhe keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet midis Berishës dhe Bashës i kanë arritur pikat e tyre kritike. Fataliteti jo medoemos mund të ndodhë midis këtyre dy personazheve, mirëpo ai mund të ndodhë midis turmës së njerëzve partiakë që dalin në përkrahje të qëndrimeve të njërit apo të tjetrit individ.

Jo rrallëherë në botën mbarëshqiptare partitë apo ndasitë e popullit në përkrahje të diçkaje apo në mospërkrahje të diçkaje kanë prodhuar ndasi që kanë bartur rreziqe të mëdha për rendin shoqëror apo shtetëror në kohën kur ato kanë ndodhur.

Për ta bërë situatën edhe më komplekse, në këtë përplasjen Berisha vs. Basha është fakti se Qeveria amerikane e ka shpallur Berishën person non-grata për atë shtet. Natyrisht, një kualifikim i tillë prej një qeverie siç është ajo amerikane cilitdo oponenti politik do t’ia jepte një arsenal shumë të fortë politik për ta sulmuar oponentin tjetër politik.

E këtë rast natyrisht se Basha do ta eksploatonte deri në maksimumin e mundshëm. Këtu po flasim për përçarjet brendapartiake. E, tash paramendojeni sesi sillen apo do të silleshin oponentët nga partitë e tjera politike. Në këtë rast Edi Rama, për shembull. E tëra që ai po bën është se po thotë më vete: “Zgjate Zot”. Mirëpo pavarësisht presionit amerikan mbi supet e veta, Sali Berisha arriti që edhe një herë t’i rreshtojë pjesën dërrmuese të simpatizantëve të Partisë Demokratike rreth vetes dhe në Kuvendin e mbajtur të Partisë në “Albanian Arena”, me shumicë absolute votash u votua shkarkimi i Bashës nga posti i kryetarit të partisë.

Për të mos u mjaftuar me këtë rrjedhë ngjarjesh, Basha në anën tjetër ka publikuar rezolutën e miratuar në mbledhjen e kësaj të diele në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Këshilli foli qartë dhe Kuvendi do të flasë po njësoj më 18 dhjetor.

Basha thekson më tej se do ta shndërrojnë PD-në në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë.

Do të jetë interesant të shihet se cili do të jetë epilogu i kësaj telenovele shqiptare të quajtur Partia Demokratike.

Në Kosovë sa vijnë e shtohen pakënaqësitë. Mes Sindikatës së Shëndetësisë, Sindikatës së Arsimit e qytetarëve të indinjuar për krizën e re energjetike që duket se e ka kapluar Kosovën në këto çaste. Presionet e tjera drejt Qeverisë së Republikës së Kosovës vijnë nga opozita dhe nga OJQ-të e shumta. Problemet e akumuluara të dy dekadave të fundit është më se e kuptueshme se nuk mund të rregullohen brenda natës, sikur me një shkop magjik.

Në luftën që bëhet për pushtet dhe për kthimin e privilegjeve të humbura, unë i marr të gjitha ankesat me një dozë të konsiderueshme skepticizmit. Kjo assesi nuk do të thotë se hapësira për kritikën ndaj kësaj qeverie nuk ekziston. Mirëpo, siç kishte ndodhur në kohë të lashta, kur populli donte që ta vriste një mëkatare duke e gjuajtur me gurë, aty ndërhyn Jesusi, duke thënë se guri i parë do të duhej të hidhej prej atij që nuk e ka asnjë mëkat prapa vetes.

E mëkatet e 20 vjetëve të fundit janë të mëdha dhe në shumë nivele. Zgjidhja e nyjës së punëve të mbrapshta kërkon shumë mund, punë dhe sakrificë, dhe ato do të duhej të ndodhnin. Ne që e votuam ndryshimin më 14 shkurt i presim ato ndryshime. Çdo gjë e mundshme u plaçkit në atë vend nga “politikanë" e matrapazë nga më të ndryshmit.

Dje lexova se Kosova prapë do të ballafaqohet në Arbitrazh, kësaj here nga ajo kërkohet dëmshpërblim në shumë prej 250 milionë eurosh prej kompanisë "REX Marble", për shkak të tjetërsimit të aksioneve të saj.

KOHA pati raportuar në korrik për dyshimet se, rreth një dekadë më parë, kësaj kompanie iu përvetësuan aksionet e edhe licencat për tri gurore mermeri e graniti – dy në Zatriq të Rahovecit e një në Syriganë të Skënderajt. Aksionet iu bartën kompanisë tjetër “FOX Marble”, në bazë të një autorizimi që e përdori një studio avokature në Prishtinë. Kosova është duke u përballur me një numër rastesh në Arbitrazh. Humbja më e madhe deri tash në të tilla konteste është ajo e Telekomit, kompani që është detyruar t’ia paguajë rreth 30 milionë euro operatorit “Z-Mobile”.

Sa shumë kishim qenë të prirë për ta mjelë shtetin dhe pasurinë shoqërore, e dashuria për vendin dhe shtetbërjen e patriotizmin mbesin përralla me mbret.

E tash, si mund t’i marr pjesën më të madhe të kritikave seriozisht, kur ato bëhen nga njerëz, partitë e të cilëve facilituan, mundësuan dhe, sigurisht nga prapavija, përkrahën qasje të tilla. Ata nuk u distancuan apo i vetëkritikuan partitë dhe qeveritë e udhëhequra nga partitë e tyre asokohe. E si t’i marr seriozisht kritikat e tyre ndaj Qeverisë së tanishme?

Thënë të drejtën, jam shumë kureshtar për ta parë listën e përditësuar edhe me emra të tjerë shtesë në listën e zezë të Thesarit amerikan (Qeverisë amerikane), e cila pritet që të publikohet në janar.

Disi një intuitë më thotë që të mos çuditemi fare nëse aty do të shohim emra personash që gojën e patën plot amerikanizëm e demokraci dhe që asnjëherë nuk reshtën së akuzuari dikë tjetër, krejt kjo vetëm për t’i mbuluar apo kamufluar të bëmat e tyre.

Siç thotë proverba e vjetër kineze “Rrofshi në kohë interesante”.

* Berisha Basha Albania