OpEd

Bankomati

Rrëfimi për kërkimfaljen kolektive ndaj njerëzve që “kanë faj” se janë të moshës së shtyrë; për Akademinë e burrave më në fund nën udhëheqjen e një gruaje dhe se në këtë shtet mbase gjithçka mund të ndryshojë pos beneficioneve të badihavxhinjve kuvendarë

Tri qenë lajmet që, sipas meje, e shënuan javën.

I pari, që në bazë të padisë së personit me inicialet E.SH., Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që t’u vazhdohet pensioni.

Nuk ka pasur poshtërim më të madh sesa t’i shihje të moshuarit tek mezi e kalonin trotuarin e mbushur me vetura për të hyrë në ndërtesën e ish-“Inexit”, që nuk i ngjet asnjë gjëje, se nuk mund ta quash hapësirë madje, për t’iu treguar zyrtarëve të Ministrisë së Punës se ishin gjallë.

Nuk kishte gjë më të rëndë t’i shihje pleqtë me telashe madje për të qëndruar në këmbë, kur detyroheshin të plotësonin formularë apo ankesa ashtu që të mos sanksionoheshin për shkak të vonesave e t’i humbnin pensionet.

Nuk mbaj mend pamje më të shëmtuar se kur i shihje njerëzit në të tetëdhjetat mezi duke e mbajtur ekuilibrin mbi akull për të arritur deri te sporteli për të dëshmuar se ishin të gjallë e për t’i marrë 60-70 eurot që me ligj u takonin, përderisa askujt qe 26 vjet as nuk i ka rënë ndërmend se Kosova do të duhej të kishte një Fond të Sigurimeve Pensionale e Invalidore – siç e kishim pasur dikur.

Në epokën e digjitalizimit detyrohej brezi më i vjetër i shoqërisë që me paraqitjen fizike në sportel ta zgjaste dorën për atë copë pagese me të cilën nuk mjaftonin as për barna. Aktgjykimi i Supremes është kërkimfalja kolektive e jona ndaj atyre që i bëmë të ndiheshin keq, për shkak se kishin moshë të shtyrë.

* * *

Lajmi i dytë qe zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës kryetare e ASHAK-ut. Edhe pse ky trup lë shumë hapësirë për t’u kritikuar, sepse nuk e pasqyron peshën e një institucioni të mendjeve të ndritura, megjithatë është lajm se Kosova, pas 50 vjetësh, zgjedh një grua në krye të tij, që deri para një dekade ka qenë i rezervuar ekskluzivisht për burra.

Gruaja e parë që u zgjodh anëtare e ASHAK-ut kishte qenë Edi Shukriu, para një dekade. Aktualisht, Akademia i ka katër gra anëtare (tri sosh me korrespondencë) dhe madje 31 burra.

Nuk e kam kapacitetin për ta vlerësuar punën shkencore të cilitdo prej tyre, porse struktura gjinore e këtij institucioni përfundimisht nuk e përfaqëson strukturën gjinore të popullatës në përgjithësi, e as strukturën gjinore akademike. Sidoqoftë, është lajm i mirë, i cili uroj të sjellë një frymë të re pune.

* * *

Lajmi i tretë, në fakt nuk qe ndonjë lajm që nuk do ta kemi dëgjuar edhe më herët dhe që lidhet me anëtarët e “Qirkuzit”. Dhe lajmi nisi kështu:

“Në Kosovë papunësia është 11 për qind, e vetëm në mesin e deputetëve rezulton të jetë mbi 55 për qind.

“67 deputetë të legjislaturës së nëntë, që për gati një vit kanë marrë paga pa punuar, i kanë kërkuar Kuvendit t’ua vazhdojë këtë pagesë edhe për një vit tjetër. Për t’i realizuar këto të hyra, ata janë deklaruar para Kuvendit si të papunë.

Ligji për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetëve parasheh beneficione për ta, përfshirë kompensimin kalimtar. Kjo nënkupton se që nga dita e përfundimit të mandatit, deputeti merr pagë mujore bazë nga Kuvendi i Kosovës në vlerë të 1.914 eurove për 12 muaj rresht, nëse nuk punon apo nuk pensionohet.

Nga prilli e deri në nëntor, rreth dy milionë euro ka qenë kostoja e shpenzimeve që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre, ani se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është konstituuar e është shpërndarë pa prodhuar asnjë rezultat”.

Pra, paramendoni, 3.5 milionë të parave tona u shkojnë në xhep “të shkretëve” deputetë që nuk e kanë kryer asnjë të vetmen punë qe nëntë muaj (e dikush-dikush edhe mbi një vit). E pse? Për shkak se këta njerëz, që kanë konflikt të pastër interesi në këtë pikë, ia kanë votuar vetes një ligj që ua siguron rehatinë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjate. Shumë vizionarë, pa dyshim.

Tek e lexoja lajmin, m’u kujtua se e kisha shkruar një kolumne para shumë vjetësh, të cilën e kisha titulluar “Kur të rritem dua të bëhem deputet”. Iu ktheva arkivit dhe e gjeta. Shkrimi ishte botuar më 22 shtator 2007, dhe paksa i kondensuar për nevojat e kësaj kolumne, reprodukohet në vazhdim.

* * *

Ani që ende nuk e dimë se a do të kemi zgjedhje; ani që nuk kemi lidhje se si do të votojmë, e ani që edhe nuk kemi ide se sa ditë do të na zgjasin votimet (gjatë testimit të sistemit të votimit me “leximin e librit” në vendvotim, thonë se më i shpejti ndër votuesit ka bërë 13 minuta për t’i mbushur tri fletëvotime), kryesorja është se tashmë i kemi kandidatët, i kemi koalicionet edhe e kemi temën e cila nuk do të na bjerë nga rendi i ditës së paku deri në nëntor.

Në të njëjtën kohë, kur bëheshin publike listat e kandidatëve, Komisioni për çështje gjyqësore, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese i Kuvendit zbuloi para anëtarëve të tashëm të Kuvendit projektligjin për, kryesisht, të drejtat dhe beneficionet e deputetëve të Kuvendit të ardhshëm.

Pas leximit të përmbledhjes së këtij projektligji, nuk ka dyshim se më të lumturit (me shpresën se edhe ky ligj do të kalojë pa kundërshtime të mëdha në Kuvend) me këtë “vepër mjeshtërore” janë të gjithë ata që gjenden së paku në njëzet vendet e para të listave të kandidatëve të partive politike për këto zgjedhje. Qysh tash e paramendoj se me çfarë vrulli do të dalin në zgjedhje për të na bindur për “projektet” e tyre politike, me një sy të kthyer nga ndonjëra karrige e deputetëve në sallën e Kuvendit. Dhe pse mos ta kishin jo vetëm njërin, por të dy sytë të kthyer andej? Me sjellje sikur tashmë t’i kishim zgjidhur të gjitha punët tjera, i erdhi koha “zgjidhjes” së statusit të deputetëve, të cilët gjatë mandatit të tashëm, pos që i rritën rrogat e veta, nuk u treguan të shkathtë për t’i siguruar vetes beneficione më të mëdha. Ja se për çfarë bëhet fjalë: Merrni me mend se çfarë ligji është ky, nëse i jep të drejtë cilitdo deputet të ketë pasaportë diplomatike gjatë mandatit dhe tre vjet pas skadimit të mandatit. Paramendoni situatën kur ndonjëri prej deputetëve, të cilit ia keni dëgjuar emrin vetëm atëherë kur është ftuar të votojë për kryetarin e Kosovës dhe kurrë më, ta “përfaqësojë” Kosovën si njeri me imunitet diplomatik diku jashtë Kosovë – edhe pse ka dëshmuar se nuk mund t’i përfaqësojë as votuesit e vet në Kuvendin e Kosovës. (...) E fundit, dhe jo më pak e rëndësishme, është edhe e drejta e kompensimit e deputetit deri në punësimin e ri – që varësisht nga stazhi i kaluar në Kuvend, do të jetë me kohëzgjatje prej nëntë deri në dymbëdhjetë muaj – me rrogë të plotë të deputetit që do të jetë rroga e pestë për nga nomenklatura e pagave në administratën publike...

Në këtë përshkrim, nuk vërehet që ligji të ketë paraparë sanksione për ata që janë joaktivë, joproduktivë dhe të papërgjegjshëm (pos për ata që nuk marrin pjesë në sesione plenare apo mbledhje të komisioneve për gjashtë muaj). Nuk vërehet që të jetë paraparë që deputeti të ndëshkohet financiarisht për çdo vendim të trupit, ku rri i ulur që e dëmton buxhetin e Kosovës. Nuk vërehet që ligji jep bazë për dënimin e atyre deputetëve të cilët nuk miratojnë ligjet sipas planit legjislativ, apo nuk bëjnë gjë për sigurimin e zbatimit të ligjit. Meqë Kuvendi është organi më i lartë i pushtetit, këta nuk ka kush t’i ndëshkojë, pos popullit nëpërmjet votës. E derisa t’u vijë radha votimeve të reja, do të kalojnë edhe tre, a katër, a pesë vjet në të cilat deputetët tanë më me ëndje do t’i shikonin fotografitë e dasmave nëpër lap-topët zyrtarë, sesa të krijonin ligje që do të siguronin beneficione për të gjithë popullin, e jo vetëm për kastën e tyre.

(...) Këta gjashtë vjet parlamentarizmi në Kosovë kanë dëshmuar se deputetët janë të paprekshëm (hiç rastin e deputetit Sabit Rrahmani – i cili rastësisht qëlloi të jetë minoritar), dhe se nuk i frikësohen as votës së popullit. Kjo për shkak se zgjedhjet me lista të hapura, por vetëm me një njësi zgjedhore, prapë do t’ua mundësojnë edhe atyre që nuk e meritojnë të na e udhëheqin jetën. Prandaj edhe nuk do të ishte kurrfarë befasie nëse tash e mbas, kur t’i pyesim fëmijët se çfarë duan të bëhen kur të rriten, të na përgjigjen me: Deputet!

* * *

Dhe kur, siç e do zakoni, vjen edhe pyetja pasuese: “Pse bash deputet?”, përgjigjja është: “Se aty ish bankomati”.

[email protected]