OpEd

BE e ndarë në OKB-në e ndarë, flasin në konferencën “Më mirë së bashku”

Pasi në Bruksel e kanë konfirmuar se janë të ndarë sa i përket njohjes së shtetit të Palestinës, shtetet e BE-së këto ndasi do t’i shfaqin edhe para syve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bota në 80 vjet prej kur është themeluar OKB-ja nuk ka qenë më e ndarë se sot, madje as gjatë luftës së ftohtë. Dhe problemi më i madh për botën demokratike është se ka ndodhur një dëmtim serioz i partneritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatët e saj evropianë. Njohja e Palestinës nga Britania, Kanadaja, Australia e Franca, në kohën kur Amerika fuqishëm kundërshton një gjë të tillë, dëshmon më së miri këtë

“Qysh i kemi punët me Amerikën“ nuk është vetëm brengë e kosovarëve. Me këtë dilemë sot merren shumë kombe të botës, në mesin e tyre edhe ato që historikisht kanë qenë aleatë shumë më të rëndësishëm për SHBA-në sesa që është Kosova. Sot në SHBA është një president shumë i paparashikueshëm, tejet i papërshtatshëm ndaj atyre që nuk mendojnë si ai, i rrethuar nga njerëz të cilët nuk e kundërshtojnë as kur e dinë se ajo që thotë është gabim apo e pasaktë. Kombet e mëdha e kanë kuptuar se duhet t’ia bëjnë qejfin presidentit amerikan Donald Trump. Dhe që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, liderët e shumtë të vendeve tjera pothuajse bënin gara se kush do të thurë lavde më të mëdha për Trumpin. E ai në ato lëvdata zakonisht përgjigjet duke e lavdëruar edhe më shumë veten.

Pamë javën që lëmë, pas një vizitë historike të presidentit amerikan në Britani të Madhe. Historike dhe e paprecedent, sepse asnjë burrë shteti nuk ka pasur deri tash në jetën e tij dy herë një vizitë të tillë në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe britanikët bënë maksimumin për ta mahnitur Trumpin. Dhe ia dolën. Përfituan edhe nga marrëveshjet e arritura për investime në inteligjencën artificiale dhe në bashkëpunim ushtarak. Dhe u përsëritën fjalitë e rëndomta se sa të forta janë lidhjet mes dy vendeve, si një bosht kurrizor i pathyeshëm.

Por Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës politikisht kurrë nuk kanë qenë më larg sesa që janë sot. Dallimet në qëndrime janë që nga ndryshimet klimatike e deri te menaxhimi i migrimit dhe konfliktet globale. Dallimet më të dukshme janë ato në qasje ndaj tragjedisë në Gazë, por edhe në qasjen ndaj Rusisë. Para disa muajsh Shtetet e Bashkuara të Amerikës në OKB ishin rreshtuar krah Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, duke kundërshtuar përdorimin e fjalës “agresion” për invazionin e Risisë në Ukrainë. Para një jave, të gjitha vendet evropiane që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u rreshtuan kundër Amerikës, krahas Kinës dhe Rusisë po ashtu, duke mbështetur një rezolutë për armëpushim në Gazë, e cila u parandalua me veton amerikane.
Dallimet në qëndrime mes aleatëve perëndimorë do të shihen edhe gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që zhvillohet këtë javë. Dhe ajo është dashur të jetë historike, të festojë 80 vjet të ekzistencës së OKB-së. Por përpos motos së Asamblesë së këtij viti “Më mirë së bashku: 80 vjet dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut”, gjithçka do të jetë në shenjë të ndarjeve. Për paqe dhe të drejta të njeriut kryesisht do të flasin liderë të cilët nisin lufta, i mbështesin ato dhe shkelin pa mëshirë të drejtat e njeriut. Për ruajtjen e rendit botëror multilateral do të flasin udhëheqësit nga vendet si Kina, Rusia e Irani. 

E ndarë është edhe BE-ja, një union i cili pa dyshim është integrimi më i suksesshëm në historinë e njerëzimit. Nëse vazhdon kështu, BE-ja shpejt mund të bëhet sa i përket temave të sigurisë dhe punëve të jashtme një “OKB e vogël”, një klub debati pa ndonjë fuqi.

Pasi në Bruksel e kanë konfirmuar se janë të ndarë sa i përket njohjes së shtetit të Palestinës, shtetet e BE-së këto ndasi do t’i shfaqin edhe para syve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bota në 80 vjet prej kur është themeluar OKB nuk ka qenë më e ndarë se sot, madje as gjatë Luftës së Ftohtë. Dhe problemi më i madh për botën demokratike është se ka ndodhur një dëmtim serioz i partneritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatët e saj evropianë. Njohja e Palestinës nga Britania, Kanadaja, Australia e Franca, në kohën kur Amerika fuqishëm kundërshton një gjë të tillë, dëshmon më së miri këtë. 

Ka akoma shumë shtete në BE që nuk janë të gatshme të njohin shtetin e Palestinës, edhe pse askush nuk e mohon të drejtën që një shtet i tillë të krijohet. Disa mosnjohjen e arsyetojnë me nevojën që të pritet zbatimi i “formulës së dy shteteve”. Të tjerët mendojnë se “nuk është tash momenti” e dikush si Gjermania ka edhe arsye historike për të mos marrë ndonjë vendim që shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Izraelit.

Përpos që do të shfaqin ndasi sa i përket njohjes së shtetit të Palestinës, vendet e BE-së do të dëshmojnë edhe pafuqinë e tyre. Kjo njohje nga vendet si Franca, Spanja dhe disa vende të tjera nuk do të ndryshojë asgjë në terren. Sepse Izraeli do të vazhdojë me operacionet e veta derisa ta ketë mbështetjen e pakusht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njohja e shtetit të Palestinës nga disa vende evropiane nuk do ta ndryshojë këtë. Mund ta ndryshojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E SHBA-ja në mandatin e dytë të Trumpit thjesht nuk qan kokën për askënd. Presidenti Trump i injoron qëndrimet e liderëve evropianë kur nuk i pëlqejnë ose shpreh pakënaqësi siç ishte rasti me qëndrimet e kryeministrit britanik Starmer për njohjen e Palestinës. Ose tallet me ta siç ishte rasti me presidentin e Francës, Emmanuel Macron kur paralajmëroi njohjen e Palestinës. “Ai është një çun i mirë, por i parëndësishëm dhe krejt irrelevant” pati thënë Trump për Macronin.

Nga qëndrimet amerikane do të varet edhe fati i vetë OKB-së dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Trump po e tërheq Amerikën nga to, po ndal financimin dhe pak sheh arsye për ekzistimin e tyre. Sepse në botën e presidentit amerikan gjithçka duhet të zgjidhet mes palëve e jo në ndonjë forum të mërzitshëm ndërkombëtar. OKB duhet të jetë e kënaqur nëse e mbërrin Asamblenë e radhës në vitin 2026, ndërsa evropianët para se të tentojnë të bashkojnë botën duhet të tejkalojnë ndasitë që i kanë në shtëpinë e tyre. Ka kaluar koha kur sloganet kanë pasur ndonjë efekt, sepse sot realiteti në botë është krejt ndryshe nga parullat për demokraci, paqe dhe të drejtat e njeriut. E këto vlera po dëshmohet se duhet mbrojtur gjithkund, edhe në vendet evropiane dhe në SHBA ku është besuar me vite se janë vlera të padiskutueshme, të pakthyeshme dhe të pathyeshme, vetvetiu të nënkuptuara për të cilat as që duhet diskutuar.