OpEd

Boksieri nga Bosfori

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, urdhëron dëbimin e 10 ambasadorëve, mes tyre të dërguarit e Washingtonit, Parisit dhe Berlinit. Ky është një veprim për të mobilizuar shtresën nacionaliste të turqve. Erdoan ndodhet në siklet: valuta turke është në rënie të lirë, anketat tregojnë se përkrahja për partinë e Erdoanit AKP është më e ulët se kurrë, opozita duket unike, ndërsa spekulimet për shëndetin e Erdoanit janë të mëdha

Në politikë presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, shpesh sillet si boksier. Kur duhet të flasë me ton diplomatik, ai godet me grusht. Kur nuk i pëlqen ndonjë vendim a deklaratë që vjen nga Perëndimi (BE, SHBA etj.), Erdoan zakonisht zgjedh fjalorin e kafehaneve: "Hej Merkel", "Hej Macron", "Kush jeni ju...". Erdoan është rritur në lagjen „Kasimpasha“ të Stambollit, e cila është e njohur për varfërinë dhe tabiatet e dhunshme.

Tani Erdoan ka vendosur të përshkallëzojë raportet me shumicën e shteteve perëndimore dhe ka kërkuar nga ministri i tij i Jashtëm t'i shpallë si persona të padëshiruar 10 ambasadorë, të cilët javën e kaluar përmes një letre kërkuan lirimin nga burgu të sipërmarrësit dhe filantropit Osman Kavalla. Bëhet fjalë për ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Kanadasë dhe Zelandës së Re. Shtatë prej këtyre shteteve janë anëtare të NATO-s, ngjashëm si Turqia.

Osman Kavalla rrjedh nga një familje e pasur turke. Kavalla nuk e ka vazhduar karrierën e biznesmenit, por i është përkushtuar filantropisë, sidomos përkrahjes së projekteve kulturore të pakicës armene, kurde dhe greke. Ai drejton institutin Anadolu Kültür. Erdoan e konsideron Kavallën armik. Pas përpjekjes për puç në Turqi, në korrik 2016, Kavalla u arrestua me akuzën se ka financuar protestat kundër Erdoanit në vitin 2013, kur mijëra turq kundërshtuan shkatërrimin e parkut Gezi në Stamboll. Nuk u gjetën dëshmi që Kavalla është fajtor, andaj një gjykatës mori guximin dhe e liroi atë. Por liria e tij nuk zgjati as disa orë. Po atë ditë Kavalla u arrestua sërish, tani me një akuzë të re: se kinse ka përkrahur tentimin për puç më 2016. Kavalla gjendet në burg qe 4 vjet - pa aktgjykim.

Ambasadorët e SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe 7 vendeve të tjera në letrën e tyre ia bënë me dije Erdoanit se Këshilli i Evropës do të nisë një procedurë kundër Turqisë nëse Ankaraja nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga dhjetori 2019 dhe nuk e liron Osman Kavallën deri më 30 nëntor. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se nuk ka asnjë arsye që Kavalla të mbahet në burg.

Deri në çastin kur po shkruhet ky tekst, Ministria e Jashtme turke nuk ka njoftuar ende nëse do ta zbatojë fermanin e Erdoanit. Pasi një diplomat të shpallet "persona non grata", zakonisht pason dëbimi nga vendi nikoqir. Erdoan ndodhet në siklet për disa arsye. Së pari: lira, valuta turke, është duke humbur vlerën në mënyrë rapide, ndërsa çmimet e konsumit të gjerë po rriten. Shumë turq dhe turke nuk po e konsiderojnë ushqim retorikën e Erdoanit, por duan të kenë mjaft para në xhep për të mbajtur familjet. Erdoan është përpjekur të ndalë rënien e vlerës së lirës duke ndërhyrë në Bankën Qendrore - një vendim që nga ekspertët e ekonomisë konsiderohet i gabueshëm.

Problemi i dytë i Erdoanit është ky: anketat e opinionit publik tregojnë se popullariteti i tij kurrë s'ka qenë më i ulët. Sipas një ankete të institutit "Metro­poll" të kryer në shtator, 49.8 për qind e të anketuarve ishin të bindur se Erdoan nuk do të rizgjidhet president kur të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në qershor 2023. Para një viti vetëm 39.1 për qind besonin se Erdoan nuk zgjidhet sërish në post. Nga ana tjetër, numri i atyre që besojnë se Erdoan do të fitojë sërish ka rënë nga 55.4 për qind në 44.1 për qind. Edhe më keq se Erdoani pritet të përfundojë partia e tij AKP. Në fund të shtatorit një anketë tregoi se vetëm 31.7 për qind e turqve po mendonin të përkrahnin AKP-në - minus 11 për qind në krahasim me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018. Opozita ndërkaq duket unike dhe e vendosur për të pensionuar 67-vjeçarin Erdoan. Sipas anketave, për opozitën do të votonin 42.7 për qind. Opozita përbëhet kryesisht nga këto tri parti: partia republikane CHP, partia Íyi (partia e mirë) dhe partia për demokraci e përparim Deva. Vendimtare për sigurimin e shumicës mund të jetë partia kurde HDP, e cila votohet edhe nga turq shekullarë. Lideri i HDP-së, Selahatin Demirtash, gjendet në burg. HDP gëzon përkrahjen e 11 për qind të votuesve.

Problemi i tretë i Erdoanit është - shëndeti. Publikisht dihet se vuan nga tensioni i gjakut dhe diabeti. Së fundi ai kishte vështirësi për të ecur dhe mbahej për gruan e tij Eminen. Njëherë Erdoanin e zuri gjumi gjatë një videomesazhi për përkrahësit e tij. Në opinionin turk ka pasur spekulime se Erdoan mund të vuajë nga epilepsia.

Por Erdoan ka një ëndërr: ai dëshiron të rizgjidhet president më 2023, në 100-vjetorin e themelimit të republikës nga Mustafa Kemal Ataturku. Kështu Erdoan në mënyrë simbolike do të shpallte "Turqinë e re", për të cilën punon prej vitesh. Është një Turqi të cilën Erdoan e ka fuqizuar ekonomikisht me vite të tëra, por me një çmim të lartë: drejtësia e pavarur pothuaj nuk ekziston, institucionet e kontrollit të pushtetit janë të dobëta apo të degraduara, liria e mediave e kufizuar. Mbi të gjitha, Erdoan i frikësohet përkeqësimit të mëtutjeshëm të gjendjes ekonomike. Kërcënimi me dëbim të ambasadorëve është një përpjekje e Erdoanit për të mobilizuar votuesit duke lozur kartën nacionaliste.