OpEd

Diaspora e shpjeguar për dordolecë digjitalë

Disa dordolecë digjitalë e kanë zbuluar diasporën tek viteve të fundit, madje e (ri)zbulojnë atë vetëm para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Nuk mungojnë edhe ofendimet nga ana e tyre: mërgata (ose një pjesë e madhe e saj) na qenkësh e prapambetur, andaj, si e tillë, “s’duhet të përzihet” në zgjedhjet në Kosovë. Këto janë si ato sharjet brenda familjes: pështyj përpjetë dhe mos lëviz nga vendi, atëherë dihet çka ndodh. 

Në fakt diaspora është si Kosova. Ka njerëz shumë të suksesshëm, më pak të suksesshëm dhe jo rrallë edhe të dështuar, që jetojnë nga ndihmat sociale (ndonëse ky numër është minimal, së paku në Zvicër, ku ligjet janë më të ashpra). Ngjashëm edhe në Kosovë: ka njerëz të suksesshëm, më pak të suksesshëm dhe dështakë. Ka edhe dordolecë digjitalë. 

A është diaspora më konservatore se shoqëria kosovare? Nëse shikohen disa aktivitete kulturore dhe koncerte që organizohen në Zürich apo Bern, kjo pyetje është qesharake. Shtresa e shqiptarëve të integruar, të përparuar dhe të arsimuar në Zvicër, Gjermani e Austri kurrë nuk ka qenë më e madhe - dhe është në rritje e zgjerim e sipër. Nëse shkoni në ndonjë fshat periferik diku mes Zürichut e Bernit, sigurisht do të gjeni në ndonjë klub apo në xhaminë lokale edhe njerëz konservatorë. A nuk është i ngjashëm dallimi mes, ta zëmë, disa kafeve, klubeve e restoranteve të Prishtinës dhe vendeve ku rrinë njerëzit në ndonjë fshat të humbur kosovar? Po, diaspora është si Kosova.

Pyetja se a duhet të luajë rol diaspora në zgjedhjet në Kosovë dhe çfarë roli duhet të luajë, është pyetje legjitime. Por përgjigjja në këtë pyetje nuk duhet të jetë primitive, pra një racizëm i internalizuar, duke përvetësuar stereotipat dhe paragjykimet e të tjerëve mbi etninë tënde. Është në interesin e diasporës që në radhë të parë të marrë pjesë në jetën politike të vendit ku jeton. Aty ku paguan tatime. Aty ku paguan sigurime shëndetësore. Aty ku i kryen të gjitha obligimet si shtetas zviceran, gjerman apo austriak apo i pajisur me lejeqëndrim të përhershëm. Nëse në Kosovë ka parti apo grupe interesi që duan t’ia ndalojnë diasporës pjesëmarrjen në zgjedhje, këtë mund ta bëjnë me një nismë përkatëse ligjore. A kalon kjo nismë në Kuvend? Nuk besoj. Por në vend të sharjeve rituale të diasporës, poterexhinjtë le të provojnë diçka konkrete. Mund të provohet edhe një model tjetër, ai i përfaqësimit të diasporës me dy deri pesë deputetë në Kuvend (sipas modelit kroat). Pra, duhet vullnet politik. Fakt është dhe mbetet: kush ka shtetësi të Kosovës, mund të marrë pjesë në zgjedhje. Është e drejtë kushtetuese. Nuk ka shtetësi të klasit të parë dhe të klasit të dytë. Me këtë logjikë nesër mund të kërkohet që t’u ndalohet e drejta e votës votuesve të ndonjë rajoni kosovar nëse ata s’votojnë sipas qejfit të dordolecëve digjitalë.

Mjaft interesante të shohësh, për shembull, njerëz nga e ashtuquajtura “shoqëri civile” në Kosovë, të cilët angazhohen që pakicës serbe në Kosovë (dhe partisë më të madhe të kësaj bashkësie) t’i mundësohet e t’i lehtësohet sa më shumë pjesëmarrja në zgjedhje. Bravo për këtë angazhim për të tejkaluar barrierat etnike. Por kur bëhet fjalë për mërgatën kosovare, e cila mbase 99 për qind i përket etnisë shqiptare, e njëjta “shoqëri civile” më shumë kërkon pengesa se sa lehtësi, madje mes tyre shoh edhe njerëz që gjatë bombardimeve të NATO-s për çlirimin e Kosovës kanë gjetur strehim në Zvicër dhe atëbotë ankoheshin se këta “djemtë e Zvicrës do të na marrin në qafë” (e kishin fjalën për ata burra e gra që erdhën për të luftuar për lirinë e Kosovës).

Përtej polemikave të tilla dashakeqe, mbesin faktet. Nëse në hapësirën gjermanishtfolëse jetojnë rreth 500 mijë shtetas të Kosovës me të drejtë vote, atëherë i bie se vetëm 15 deri 16 për qind e tyre kanë shprehur interesim për pjesëmarrje në zgjedhje (nën 80 mijë). Interesimi, siç po shihet, nuk është aq i madh.

Kosova ka një diasporë jotipike. Ajo është krijuar si pasojë e represionit politik në Kosovë (dhe vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi). Italianët kanë ardhur në Zvicër pas Luftës së Dytë Botërore fund e krye si “refugjatë” ekonomikë. Të tillët e kanë më të lehtë shkëputjen nga atdheu dhe integrimin (e madje edhe asimilimin) në vende të tjera. Diaspora kosovare nuk mund të bëjë hapa të tillë për shkak të historisë së saj. Shikoni biografitë e prindërve të futbollistëve nga origjinë nga Kosova që luajnë apo kanë luajtur për Zvicrën: babai i Valon Behramit u dëbua nga puna nga autoritetet serbe kur u hoq arbitrarisht autonomia e Kosovës, babai i Granit Xhakës ishte i burgosur politik, babai i Xherdan Shaqirit kërkoi punë në Zvicër për shkak se nuk shihte perspektivë për familjen e tij në rajonin e Anamoravës. 

Pothuaj askush në diasporë nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në Kosovë për aq kohë sa atje jeton një pjesë e familjeve të mërgimtarëve, për aq kohë sa këta mërgimtarë kanë prona dhe blejnë patundshmëri dhe për aq kohë sa edhe frizerja e lagjes në Prishtinë lutet që “sivjet të na vijnë këta nga jashtë më shumë se ç’erdhën verës”.

Këtë fundjavë në Zvicër do të qëndrojnë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (të shtunën në Zürich) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (të dielën në Grenchen, një lokalitet në Zvicrën qendrore). Do t’u drejtohen mbështetësve të tyre. Nuk duhet të shihet asgjë e keqe këtu: është kontribut për pluralizmin politik. Edhe në të kaluarën mërgata ka qenë arenë e konkurrencës politike që zhvillohej në Kosovë, nganjëherë edhe e kacafytjeve verbale. Mospajtimet reflektoheshin edhe këtu. 

Deri në fund të viteve ’80 aktivitetet politike në diasporë i ka dominuar Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në fund të dhjetorit 1989, kjo parti krijoi degë të fuqishme në Gjermani e Zvicër. Ndikimi i LPK-së në diasporë u zbeh, edhe për shkak se një pjesë e ish të burgosurve politikë u anëtarësuan në LDK dhe mbanin pozita të larta në këtë parti.

Ata jo përherë pajtoheshin me kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova. Hap pas hapi grupi i ish-të burgosurve politikë ia doli ta marrë degën e LDK-së në Zvicër: në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë, kryetar i Degës në Zvicër u zgjodh Gani Sylaj, ish-i burgosur politik, i cili sapo ishte arratisur nga Kosova. Disa nga ithtarët e Rugovës këtë e shihnin si pjesë të komplotit të “marksist-leninistëve” për të marrë “kalanë nga brenda”.

Paralelisht me këto përballje rritej pakënaqësia te një pjesë komunitetit. Dëshmi për këtë është ky citat nga një fjalim i Agim Ramadanit më 1 qershor 1997 në Qendrën Kulturore Shqiptare në Zürich. Ai tha: „Të nderuar bashkatdhetarë, situata të cilën po e përjeton sot kombi shqiptar, kudo ku jeton, ka marrë përmasat e një anarkie me forma me të padëshiruara dhe mund të shpie edhe në gjendje edhe më të rëndë për kombin tonë. Derisa në Shqipërinë administrative ‘legjitimiteti i ardhmërisë së një populli kërkohet nga uniformat e huaja’ ... Kosova pret ‘dritat e gjelbra’ nga ‘faktorët...’ për të vendosur edhe për çështjet më të zakonshme të organizimit të brendshëm... (...) Rreziqet që kanosin substancën kombëtare kërkojnë nga secili shqiptar, kudo që jeton, të kërkojë nga vetja (së pari) të bëjë atë që duhet dhe mundet, për të mirën e kombit të vet”.

Domethënë, Agim Ramadani s’ngurronte të kritikonte klasën e atëhershme politike në Prishtinë se vetëm po vegjeton dhe po pret “dritat e gjelbra” për të marrë vendime për çështje të zakonshme të organizimit të brendshëm. Me kutet e sotme me të cilat “argumentojnë” dordolecët digjitalë, edhe Agim Ramadani do të ishte një zë i padëshirueshëm që përzihet në punët e Kosovës. Për t’i rënë shkurt: diaspora është si Kosova.