Fadil Maloku
Sipas të gjitha gjasave, përveç interpretimit politik dhe diplomatik, që mund t’i bëhet deklaratës së fundit të Donald Trumpit:
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë. (Bideni i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!)”, mund t’i bëhet edhe një interpretim sociologjik. Themi kështu edhe për shkakun se stili i fjalive që ai i përdori në rrjetin e tij social “Truth Social”, në fakt, duket qartë se janë “produkt” i një “inxhinieringu sociologjik”, të njohur me emërtimin “kultivim simbolik i pushtetit”.
Ky term nënkupton jo procesin e zakonshëm të zhvillimit të një narracioni që rrjedh natyrshëm nga realiteti social apo politik, por një proces përmes të cilit formohet perceptimi publik për një realitet, sipas interesave të caktuara – qofshin ato politike, diplomatike apo propagandistike. Në fakt, “kultivimi simbolik i pushtetit”, siç e ka konceptuar sociologu francez Pierre Bourdieu, e përfaqëson një formë simbolike të dominimit politik, që Trumpi – me një dozë mburrjeje e krenarie – e përdor rregullisht në fjalimet publike. "Syri” i një sociologu të fushës, ose i një eksperti të komunikimit simbolik, me lehtësi mund t’i “detektojë” këto shpërthime retorike, që Trumpi i ka përdorur herë pas here, veçanërisht kur flet me simbolika, eufemizma dhe ambiguitet, për çështje globale. Për ata (diplomatë e politikanë) që duan t’i dekodojnë këto mesazhe, do të këshilloja: angazhojeni një ekspert të “kultivimit simbolik të pushtetit” – përndryshe, do të përfundoni si Volodymyr Zelensky me “shpresën” te fjala e dhënë e Trumpit. Sepse Trumpi ka përreth një eskadron të tërë këshilltarësh, të cilët, përmes ndërhyrjeve në fjalimet e tij të shkurtra, dërgojnë mesazhe që në pamje të parë duken kontraverse, madje edhe konfuze, por në thelb janë shumë të llogaritura dhe elokuente. Ai, përmes gjuhës së rafinuar të simbolikës sociologjike, përpiqet ta ndërtojë një version alternativ të së vërtetës publike, ku vetja e tij paraqitet si shpëtimtari universal.
Trumpi, përmes një protagonizmi të ndërtuar përmes imazhit të një “tregtari karizmatik” në botën e biznesit, e ka imponuar veten edhe në komunikimin politik si personi që “banon” aty ku gjendet e vërteta për të gjitha proceset dhe zhvillimet globale. Dhe, përmes këtij stili të sofistikuar komunikimi, ai synon ta projektojë veten si faktor kyç për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare – qoftë në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut apo në Ballkan.
Nëse e analizojmë përmbajtjen e deklaratës së tij sipas metodës së analizës së përmbajtjes, vërejmë se ai e pozicionon veten si faktor stabiliteti dhe paqeje, ndonëse faktet në terren nuk e mbështesin këtë narrativë. Ngase nuk kishte asnjë konflikt të armatosur apo rrezik të afërt për shpërthim lufte mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij. Por, përmes retorikës së frikës (“ishte gati të shpërthente lufta”) dhe rolit të shpëtimtarit (“unë e ndalova atë”), ai përpiqet të krijojë një identitet politik heroik mbi veten. Duke e përdorur terminologjinë e Emile Durkheim, mund të themi se ky është një shembull klasik i “mobilizimit rreth një figure autoritative”, për ta forcuar solidaritetin kolektiv, përkatësisht rreth një lideri të fortë amerikan, që ndalon luftëra kudo në botë.
Por, nëse përdorim “dioptrinë” e teorive të sociologjisë politike, veçanërisht të Giovanni Sartorit dhe Niklas Luhmannit, hetojmë se kemi të bëjmë me një instrumentalizim të realitetit periferik (Ballkanit) për të ndërtuar legjitimitet qendror (SHBA-së). Pra, marrëdhëniet Kosovë - Serbi përdoren për të ndërtuar legjitimim të brendshëm elektoral. Kosova shndërrohet jo në subjekt me agjendë të vet, por në objekt në narrativën e pushtetit të dikujt tjetër – një qasje e cila, për nga thelbi, është sociologjikisht paternaliste. Interesant është edhe përdorimi i asaj që në sociologjinë moderne njihet si “politika e frikës” (politics of fear). Së pari, shpiket një skenar konflikti (“ishte gati të shpërthente lufta”), dhe pastaj ofrohet si zgjidhje vetë autori i frikës (“unë e ndalova atë”). Kjo është një strategji e vjetër politike, e përshkruar nga sociologë si Ulrich Beck dhe Zygmunt Bauman, të cilët theksojnë se pasiguria kolektive ndërtohet artificialisht, për ta justifikuar pushtetin autoritar. Kjo strategji, fatkeqësisht, është përshtatur dhe përkthyer edhe në kontekstin shqiptar: qytetarët “bombardohen” çdo ditë nga ndjenjat e “rrezikut” – në Shqipëri nga rivalët politikë (p.sh. Edi Rama), në Kosovë nga “armiqtë” ideologjikë (p.sh. Albin Kurti), duke e ndërtuar një kulturë të varësisë ndaj shpëtimtarëve politikë. Kjo nuk është as politikë konstruktive, as demokraci e shëndetshme.
Deklarata si instrument politik – dhe si sfidë për Kosovën
Narrativa të tilla, si ajo e Donald Trumpit, janë më shumë se thjesht fjalë – ato kanë pasoja konkrete në mënyrën si perceptohet Kosova ndërkombëtarisht. Nëse nuk kundërshtohen në mënyrë institucionale dhe intelektuale, rrezikojmë që një qasje e tillë të bëhet standard ndërkombëtar. Kosova ka nevojë urgjente për një strategji të komunikimit diplomatik me të tjerët, ku debati ndaj deklaratave që janë në disfavor të interesave të mos mbetet sporadik. Në të kundërtën, Kosova do vazhdojë të perceptohet si objekt i shpëtimit të të tjerëve, jo si subjekt i vetvetes.
Në vend të epilogut: Frika si metodë pushteti
Diskursi i Trumpit, është shembulli më i qartë i asaj që quhet inovacion populist i pushtetit përmes frikës dhe iluzionit të shpëtimit. Në këtë kontekst, është detyrë e elitës sonë politike, akademike dhe mediatike të mos heshtë, por të artikulojë me maturi dhe argumentim të thelluar një kundërnarrativë të së vërtetës për Kosovën. Kosova nuk është dramë e stisur për fushata të huaja, por projekt historik i rezistencës dhe i shtetndërtimit të një kombi që e ka fituar lirinë me shumë gjak dhe sakrificë.