93 për qind e të rinjve turq përdorin mediat sociale, te shumica prej tyre nuk arrin propaganda e pushtetit. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2023 shumë të rinj votojnë për herë të parë, ata i përkasin “Gjeneratës Z” (kështu e kanë quajtur sociologët dhe politologët). Me gjithë përpjekjet shumëvjeçare të Erdoanit për të politizuar fenë, sipas një ankete, 60 për qind e grave nuk bartin shami (një dekadë më herët kjo shifër ka qenë 50 për qind)
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, është mjeshtër për të nxitur tensione sa herë që gjendet në situata të vështira. Shembulli i fundit: gjendja ekonomike në Turqi po bëhet gjithnjë e më e keqe dhe për të larguar pak vëmendjen nga kjo situatë Erdoan kërkoi papritmas dëbimin e 10 ambasadorëve, mes tyre atë të SHBA-së, të Francës dhe të Gjermanisë. Ata kishin kërkuar një proces të ndershëm gjyqësor ndaj filantropit Osman Kavalla. Shpresa e Erdoanit ishte se duke kërcënuar me dëbim të diplomatëve, mobilizon shtresat nacionaliste turke. Por vetëm paralajmërimi për dëbim të ambasadorëve i dha një shtysë tjetër drejt humnerës valutës turke. Erdoan hoqi menjëherë dorë nga dëbimi i ambasadorëve, pasi Ambasada e SHBA-së në Ankara tha se ambasadorët do të respektonin nenin 41 të Konventës së Vjenës, ku thuhet se diplomatët nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit nikoqir. Por ambasadorët as nuk hoqën dorë nga kërkesa për lirimin e Kavallës, as nuk kërkuan falje. Erdoan provokon konflikte për qëllime të brendshme politike. Martin Erdmann, ambasador i Gjermanisë në Ankara mes viteve 2015-2020, tregoi së fundi në një intervistë se gjatë shërbimit të tij ai ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme turke 25 herë. Pala turke ankohej e protestonte kundër demonstratave të kurdëve në Gjermani apo kundër karikaturave apo emisioneve satirike në mediat gjermane. Erdmann tha se kishte vërejtur që sapo dilte nga Ministria e Jashtme në Ankara, agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu Agency me ton triumfues njoftonte se ambasadori gjerman ishte qortuar nga autoritetet turke.
Kriza e fundit me ambasadorë të shteteve aleate u tejkalua, por Erdoanin e presin kriza të tjera. Një nga rreziqet që i kanosen Erdoanit quhet “Gjenerata Z”, kështu e kanë quajtur sociologët dhe politologët gjeneratën që është lindur mes vitit 2000, pak para ardhjes në pushtet të AKP-së, partisë së Erdoanit. 93 për qind e të rinjve turq përdorin mediat sociale (Facebook, Twitter), te shumica prej tyre nuk arrin propaganda e pushtetit. Ata që janë rritur me YouTube nuk duan t’i besojnë një predikuesi me tespihe, siç e shohin Erdoanin. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2023 shumë të rinj votojnë për herë të parë. Me gjithë përpjekjet shumëvjeçare të Erdoanit për të politizuar fenë, sipas një ankete, 60 për qind e grave nuk bartin shami (një dekadë më herët kjo shifër ka qenë 50 për qind). Në fillim të karrierës së tij politike në nivel nacional, Erdoan thoshte se feja është “çështje private” ku shteti nuk bën të përzihet. Tani Erdoan sillet si myfti politik i Turqisë. Ajasofinë, kishën e famshme bizantine, e shndërron në xhami për t’ua bërë qejfin përkrahësve të tij religjiozë. Madje Erdoan shkoi më 2018 në Köln të Gjermanisë për të hapur xhaminë që administrohet nga Ditib, organizata e sunitëve turq në Gjermani, e cila kontrollohet nga Diyanet, autoriteti qendror turk për çështje fetare.
Megjithatë, fushata shumëvjeçare e Erdoanit për ta bërë shoqërinë turke më konservatore duket se nuk ka pasur sukses të madh. Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia opozitare socialdemokrate CHP fitoi në 6 prej 10 qyteteve më të mëdha (Stamboll, Izmir, Ankara, Antalya, Adana dhe Mersin). Në zgjedhjet e vitit 2023, rreth 6.5 milionë të rinj turq do të votojnë për herë të parë. Pas vitit 2000 kanë lindur 25 milionë të 83 milionë banorëve të Turqisë. Ndryshimi i disponimit të të rinjve mund të vërehet edhe te shija muzikore. Në vitet ‘90 të rinjtë turq dhe të rejat turke dëgjonin kryesisht këngë të Tarkanit, ndërsa heronj të “Gjeneratës Z” janë reperat Ezhel dhe Saniser, të cilët kritikojnë dhunën ndaj grave, ngacmimin seksual, keqtrajtimin e fëmijëve. Ezhel u arrestua më 2018 pas një kënge për mariuanën. Pas lirimit u arratis në Gjermani, por muzikën e tij nuk mund ta ndalojë Turqia. Sipas institutit të anketimeve Konda, vetëm 15 për qind e “Gjeneratës Z” e konsiderojnë veten fetarë apo konservatorë. Ndërsa instituti tjetër i anketimeve Gezici ka zbuluar se para 10 vjetëve vetëm një e treta e të rinjve ishin të gatshëm të martoheshin me një partner të fesë tjetër. Tani 82 për qind e të ankuarve thonë se nuk kanë problem nëse partneri apo partnerja i përkasin një feje tjetër. 79 për qind të të rinjve e shohin me sy pozitivë Bashkimin Evropian, para 10 vjetëve kjo shifër ishte 39 për qind. Me politikat e tij represive Erdoan e ka larguar vendin nga BE-ja, ndërsa të rinjtë e shohin BE-në si model.