Se çfarë efektesh do të kenë sanksionet e vendosura prej Departamentit të Thesarit amerikan në realitetin e këtyre protagonistëve dhe “biznesin” e tyre ditor, kjo ka pak rëndësi, por ajo që është e rëndësishme është se ata tashmë edhe zyrtarisht janë të emëruar si të lidhur me krimin dhe korrupsionin deri në instancat më të larta shtetërore. Në anën tjetër, në mënyrë indirekte legjitimohet gjithashtu aksioni policor i Republikës së Kosovës për t’i luftuar krimin dhe korrupsionin në këtë pjesë të Kosovës. Analizat e shumta nga studiot televizive me analistë mercenarë mediatikë, që i cilësuan si aksione policore për vota dhe për zgjedhje lokale të Qeverisë, dolën të shterpa, sikurse shumë “analiza” të tjera para këtyre
“Janë tri periudhat nëpër të cilat kalon secili burrë. Periudha kur beson në babadimër, ajo kur nuk beson më në babadimër, si dhe periudha kur vetë bëhet babadimër”.
Autori i kësaj thënieje është i panjohur, porse duke marrë parasysh se gjendemi pranë festave të fundvitit disi më është dukur thënie adekuate për ta përfshirë në Ditarin tim. Sa më përket mua, me gjysmëshekullin që e mbaj mbi supe, i kam të kaluara që të tria këto faza të të qenit “burrë”. Tash jam vetëm në pritje të përmbushjes së kësaj thënieje nga autori i panjohur, e nëse ekziston ndokund edhe ndonjë fazë e katërt, që ta plotësoj edhe atë.
Po e shikoja të mërkurën kërkimfaljen e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, me fytyrë të ftohtë prej peshku dhe duke mos iu dridhur as edhe qerpiku. I lexova me qindra komente komentuesish të ndryshëm, të mbushur me frustrim, hidhërim dhe dëshpërim për atë çfarë kishte ngjarë në vigjiljen e festave të fundvitit të vitit të kaluar. Asokohe, Qeveria britanike ndërmori masa të ashpra të karantinës, për shkak të pandemisë me COVID-19. Shumë njerëz ngelën duke mos festuar me më të dashurit e tyre për natën më të hareshme të vitit, atë të Kërshëndellave. Shumë të tjerë mbetën edhe duke mos qenë në gjendje që t’ua thoshin lamtumirën e fundit më të dashurve të tyre që po e humbnin betejën me virusin. E një numri shumë të madh të njerëzve iu pamundësua edhe pjesëmarrja në lamtumirën e fundit gjatë varrimeve të më të dashurve të tyre. Kjo ishte një situatë aq e zymtë në Britaninë e Madhe saqë asokohe gjithashtu e kisha përshkruar në Ditarin tim. Mirëpo ja që tashmë është bërë pjesë e kujtimeve, që vështirë se mund të shlyhen ndonjëherë.
E tani, pas një viti, diku nga arkivat e mediave britanike nxirret një intervistë simuluese nga viti i kaluar, në të cilën zëdhënësja e atëhershme Allegra Stratton shihet në konferenca simuluese të shtypit shpërfaqur në videon e një feste të zhvilluar në Downing Street të martën e 22 dhjetorit të 2020-s, pa praninë e anëtarëve të medias.
Atëkohë, udhëzimi i Qeverisë për koronavirusin thoshte në mënyrë specifike se njerëzit nuk duhet të bënin festa të Krishtlindjes dhe tubimet në Londër të dy apo më shumë njerëzve në ambiente të mbyllura ishin ndaluar po qe se nuk ishin “të nevojshme në mënyrë të arsyeshme” për punë.
Sekretarja e atëhershme për shtyp e kryeministrit pyetet nga kolegët lidhur me raportet e një partie. Në shkëmbimet e shakave, ajo thotë: “Kjo festë fiktive ishte një takim pune dhe nuk kishte distancë shoqërore”.
Downing Street vazhdon të këmbëngulë se nuk u zhvillua asnjë festë. Por një burim konfirmoi më parë për BBC-në se një festë u zhvillua atje më 18 dhjetor, me “disa dhjetëra” njerëz të pranishëm.
E gjithë kjo situatë e shpalosur vitin e kaluar ka agjituar shumë njerëz që ishin të detyruar t’u bindeshin vendimeve qeveritare mbi izolimin dhe karantinimin gjatë pandemisë. Për të mos mjaftuar kjo, Qeveria britanike para disa ditësh u ballafaqua edhe me një skandal tjetër të radhës.
Më 6 dhjetor 2021
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i veshur me një kapelë dhe uniformë të policisë kishte promovuar strategjinë e tij mbi luftimin e krimit të narkotikëve në vend.
Kryetarja e House Of Commons (njësi e Parlamentit që i miraton ligjet dhe e bën mbikëqyrjen e punës së Parlamentit) ka thënë se po thërret policinë për të hetuar raportet se përdorimi i drogës është “i përhapur” në Parlamentin britanik.
Një raport në “Sunday Times” të Britanisë thotë se një duzinë vendesh brenda Pallatit të Westminsterit, i cili përfshin Dhomën e Lordëve dhe Dhomën e Ligjeve, rezultuan pozitivë për gjurmë kokaine. Zonat me interes përfshinin banjat afër zyrës së Johnsonit dhe ato të sekretares së Brendshme, Priti Patel, e cila është përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Mbetjet e drogës, raportoi gazeta, u gjetën gjithashtu pranë dhomave të përdorura nga Partia Laburiste e opozitës, si dhe në një dhomë të qetë ngrënieje në Dhomën e Lordëve dhe në pijetoren ekskluzive, nganjëherë të zhurmshme në anën e Thamesit, të quajtur “Stranger’s Bar”.
Gazeta raportoi se kanabisi gjithashtu “përdorej hapur” në afërsi.
Nga 12 banjat e testuara për drogë me peceta zbulimi, kokaina thuhet se u gjet në 11 prej vendndodhjeve, duke përfshirë vendet që mund të jenë të qasshme vetëm nga ata që kanë një leje të caktuar parlamentare, si ligjvënësit dhe punonjësit, së bashku me nëpunësit, bibliotekistët, personelin e sigurisë, kamerierët e edhe gazetarët. Qasjet e ndryshme lejojnë nivele të ndryshme aksesi në sallat, baret, dhomat e komisioneve dhe vrimat e kutive brenda ambienteve të epokës viktoriane.
“Llogaritë për keqpërdorimin e drogës në Parlament, të dhëna për ‘Sunday Times’, janë thellësisht shqetësuese”, tha Lindsay Hoyle, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, të dielën për Sky News.
Të gjitha këto ndodhi në këto ditët e fundit të këtij viti vetëm sa e kanë zbehur tërësisht besimin e publikut të gjerë karshi qeverisë aktuale britanike. Shtojini këtu edhe raportet mbi fiaskon sesi trupat dhe personeli britanik janë tërhequr nga Afganistani dhe rrëmujën që e kanë krijuar duke lënë pas vetes me mijëra bashkëpunëtorë dhe përkthyes të ushtrisë britanike në terren, dhe kjo e përbën atë qershinë mbi tortën e pakënaqësisë dhe mosbesimit të qytetarit dhe votuesit.
***
Nga kabllogramet diplomatike me zhvillimet vendore do të veçoja sanksionet e vendosura nga Departamenti amerikan i Thesarit për luftimin kundër korrupsionit, e i cili, mes të tjerësh, për cak e kishte edhe grupin kriminal nga Mitrovica e Veriut të përbërë nga Zvonko Veselinoviqi, Zharko Veselinoviqi, Milan Radojçiqi, Zheljko Bojiqi dhe Marko Rosiqi. Ndaj tyre u vendosën sanksionet. Se çfarë efektesh do të kenë sanksionet e vendosura prej Departamentit të Thesarit amerikan në realitetin e këtyre protagonistëve dhe “biznesin” e tyre ditor, kjo ka pak rëndësi, por ajo që është e rëndësishme është se ata tashmë edhe zyrtarisht janë të emëruar si të lidhur me krimin dhe korrupsionin deri në instancat më të larta shtetërore. Në anën tjetër, në mënyrë indirekte, legjitimohet gjithashtu aksioni policor i Republikës së Kosovës për t’i luftuar krimin dhe korrupsionin në këtë pjesë të Kosovës. Analizat e shumta nga studiot televizive me analistë mercenarë mediatikë, që i cilësuan si aksione policore për vota dhe për zgjedhje lokale të Qeverisë, dolën të shterpa, sikurse shumë “analiza” të tjera para këtyre.
Në takimin e radhës të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së, kryeministri Albin Kurti edhe një herë deklaroi se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe dhe ai këtë e tha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Se sa do të arrijë kryeministri që punën e Asociacionit ta kthejë mbrapa, kurse ajo si marrëveshje midis palëve në negociata është e nënshkruar dhe e ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, porse më pas, me vërejtjet dhe gjetjet e Gjykatës Kushtetuese del se si e tillë e shkel frymën kushtetuese në 27 pikat e saja të ndryshme, kjo nuk dihet.
E gjithë loja është duke u bërë në shfrytëzimin e çfarëdo boshllëku ligjor për zvarritjen deri në “zhbërje” të kësaj marrëveshjeje. Apo ndoshta për produktin final të një asociacioni pa kurrfarë ingerencash ekzekutive, gjë kjo për të cilën Serbia as që do të ishte e interesuar, ngase e dëshiron Asociacionin e Komunave Serbe në kuadër të shtetit të Kosovës, njëjtë sikur një pjesë mishi të gjallë që ndonjëherë formohet në trup, por që herë do kur ndahet nga trupi.
Presioni ndërkombëtar rreth obligimit të Kosovës për formimin e këtij asociacioni sa vjen e shtohet, ani pse unë askund nuk po mundem t’i vërej insistimet se çfarë ingerencash do të duhej të kishte ai. Mendoj se në këtë pikë do të duheshin të përqendroheshin politikëbërësit kosovarë dhe t’i gjejnë pajtimin dhe konsensusin e përbashkët, duke u bazuar në kushtetushmërinë e vendit dhe duke mos e rrezikuar atë çfarë në fakt Kosova do të mund të afronte si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare në bisedimet me Serbinë dhe përmbylljen e këtij kapitulli. Këtu më nuk do të kishte hapësirë për ata që i kanë bërë këto gabime në të kaluarën dhe për këmbët e arushës që përcillen në secilën qeveri pasuese.
Ky rreth vicioz duhet të përmbyllet një herë e përgjithmonë me participimin dhe pajtimin e të gjithëve. Hipokrizitë dhe fajësimet e ndërsjella nuk do të na dërgojnë gjëkundi as si shtet dhe as si shoqëri.