Pakujdesia ndaj pandemisë mund t’i hakmerret sërish Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, e veçanërisht gastronomët që kërkojnë madje hapjen e sallave për dalldi të ndryshme. Vërtet, a ka ende njerëz që duan që Kosova të ketë nga 40 të vdekur në ditë?
■ Para stuhisë – kështu e ka titulluar gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” një shkrim mbi përhapjen e koronavirusit në Gjermani. Në këtë shtet tani ka më shumë infeksione dhe më shumë të vdekur se para një viti. Së shpejti spitalet mund të jenë të mbingarkuara. A gjendet Gjermania para një dimri të vështirë të koronës? Kështu pyet “Süddeutsche Zeitung”.
■ Në Kosovë gastronomët bëjnë xhiro me vetura dhe i bien borisë në kundërshtim të masave të moderuara kundër koronës që ka ndërmarrë qeveria. Tani ka zëra që kërkojnë hapjen e sallave për dasma dhe dalldi të tjera.
■ Mjafton një shikim drejt Rusisë për të parë se çka shkakton papërgjegjësia. Qe katër javë në perandorinë e Putinit çdo ditë vdesin nga 1000 njerëz. Ekspertët e pavarur thonë se numri i të vdekurve është tri herë më i lartë. Spitalet ankohet se janë të mbingarkuara, aty-këtu mungon oksigjeni.
■ Të gjithëve në Kosovë dhe jashtë saj u kujtohen skenat e tmerrshme gjatë verës, me ditë të tëra mes 20 deri pothuaj 40 të vdekur. A ka ende cinikë që duan përsëritjen e asaj situate? Kaq shpejt u harruan gjithë ato viktima të pandemisë, saqë të dilet me vetura nëpër rrugë për të bërë zhurmë për heqjen e masave?
■ Pse në asnjë lokal të gastronomisë në Prishtinë (me gjasë edhe gjetiu në Kosovë) askujt nuk i kërkohet dëshmia e vaksinimit apo testimit negativ? (Nëse ka përjashtime, ato janë irelevante përballë shumicës së gastronomëve që sillen me papërgjegjësi kolosale).
■ Se vaksinimi dhe respektimi i masave shpëton jetë – këtë secili ka mundur ta vërejë javëve të fundit. Gjatë tetorit në Kosovë sërish kanë ardhur mijëra bashkatdhetarë nga Europa Perëndimore. Kësaj radhe atyre u është kërkuar dëshmia e vaksinimit apo testi negativ. Rezultati: nuk ka më me dhjetëra burra e gra shqiptarë nga Zürichu, Lausanna, Vjena, Stuttgarti e Malmö të shtrirë në spitalet e Kosovës. Para Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri prapë pritet të vijnë mijëra bashkatdhetarë në Kosovë. Qeveria duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze zotimin se nuk lejohet të hyjë askush në Kosovë pa vaksinim apo test negativ.
■ Sërish kthehemi në Gjermani. Në landin Baden-Württemberg numri i pacientëve me Covid-19 të shtrirë në intensivë, ka kaluar shifrën kritike. Kjo domethënë: nga e mërkura personat e pavaksinuar duhet të respektojnë masa më të ashpra. Kush nuk është i vaksinuar apo i shëruar, në të ardhmen duhet të dëshmojë një PCR-test para se të hyjë në restorant, kinema apo pishinë. Testi i shpejtë nuk pranohet.
■ Sipas të dhënave zyrtare deri më tani nga pandemia kanë vdekur 5 milionë njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë supozon se numri i të vdekurve mund të jetë dy deri tri herë më i lartë.
■ Megjithatë, ka njerëz të papërgjegjshëm, jo vetëm në mesin e gastronomëve në Kosovë. Në qytezën turistike zvicerane Zermatt (përmbi të gjendet kodra e Matterhornit, e cila stolis pothuaj çdo çokollatë zvicerane), pra në Zermatt pronarët e restorantit të njohur “Walliserkanne” për një muaj kanë sfiduar shtetin, duke pranuar mysafirë pa i kontrolluar nëse kanë certifikatë vaksinimi. Autoritetet ia tërhoqën vërejtjen lokalit disa herë. Kur asgjë nuk bëri punë, restoranti u mbyll nga shteti.
■ Në Bern çdo të enjte skeptikët e koronës protestojnë kundër masave të qeverisë. Protestës i prijnë disa burra me veshje tradicionale dhe me zile të lopëve (në dialektin zviceran këta persona quhen “Trychler”). Kush shikon me kujdes në turmë, verën edhe ndonjë flamur shqiptar. Partizanët zviceranë dhe partizanët shqiptarë së bashku. Edhe kështu zhvillohen komeditë në kohën e koronës.