Është e drejtë e secilit deputet të votojë sipas bindjes së vet, porse është detyrim i secilit deputet të votojë për interes të bazës së votuesve që e ka ulur në atë kolltuk. Nëse për Haxhiun paskan pasur argumente kundër, ajo çështje tash përfundoi më. Në këtë trajtë, nëse duan, mund të nxjerrin argumente kundër secilit deputet që do të mund të kandidohej. Dhe siç e dëshmoi praktika, mund të nxjerrin argumente edhe kundër deputetit/es të grupit të vet parlamentar
Posti i kryeparlamentarit mund të bllokojë krijimin e Qeverisë në kohë të pacaktuar.
Pa një koalicion qeverisës ekziston rreziku i një krize të zgjatur politike, pasi Kuvendi mund të mos arrijë të konstituohet dhe qeveria të mos formohet brenda afateve kushtetuese, thonë njohës të zhvillimeve. Bllokimi i mundshëm në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit buron nga mungesa e një afati kohor për propozimin e kandidaturës nga partia fituese, situatë që mund të provohet nëse nuk ka një marrëveshje paraprake për koalicion.
KOHA Ditore, 22 mars 2025
Rezultatet e zgjedhjeve do te certifikoheshin pesë ditë pas këtij shkrimi nga Fitim Gashi që u publikua në gazetë, e më pas edhe në portalin KOHA.net. Pra nuk do të mund të thuhej se nuk e kemi ditur se çfarë do të na bënte vaki. “Katundi që shihet, kallauz nuk do”, i thonë kësaj pune.
Ajo që u pa pas përfundimit të zgjedhjeve më 9 shkurt ishte se asnjëra parti nuk do të mund të formonte qeveri as me votat e pakicave joserbe dhe se zgjidhja e vetme, po qe se intenca do të ishte themelimi i institucioneve të reja, do të ishte krijimi i një koalicioni qeverisës.
Ajo që u pa menjëherë pas certifikimit të votave qe se askush nuk e kishte intencën për t’i krijuar këto institucione. Asnjërës parti nuk i konvenuan rezultatet, dhe po të mundnin do ta zgjasnin fushatën edhe nja një muaj që të dilnim në zgjedhje përsëri, e që ndoshta kështu do të ndryshonte rezultati zgjedhor.
* * *
Pjesën e parë të sagës “kryeparlamentari”, të nisur në prill e kemi shoshitur së paku çdo të dytën ditë dhe deri në nxjerrjen e aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, e kemi vënë peshën e përgjegjësisë për moskonstituim te Vetëvendosja, e cila me kokëfortësinë më të madhe të mundshme, insistonte fillimisht në votimin e hapur të Albulena Haxhiut, e më pas në votimin e fshehtë.
Pas aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, i cili mori gati dhjetë ditë për t’u publikuar, u bë e qartë që hapësira për të mos e zgjedhur kryeparlamentarin/en megjithatë, mbetet e hapur për shkak të mungesës së sanksionit në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh.
Për të vazhduar me traditën, VV-ja në vazhdimin e seancës së mbajtur të mërkurën e shkuar, fillimisht e propozoi Haxhiun. Meqë sërish nuk kaloi, doli propozimi tjetër: Donika Gërvalla. As ajo nuk i mori votat. Kryesuesi vendosi ta shtynte seancën për dje.
Te rasti i Gërvallës ndodhi që një deputete e VV-së, të mos votonte fare. Arsyeja ishte personale, do të shpjegonte, për shkak se Gërvalla e kishte quajtur bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, kriminel. LDK-ja, siç pritej, votoi kundër në bllok. Nuk do ta shpërblenin ish-anëtaren e tyre për, do të thuhej më vonë, dezertimin.
Argumenti më i shpeshtë që u dëgjua pas këtij votimi qe se krejt partitë deri dje opozitare, më parë do të bëheshin bashkë me Listën Serbe sesa që do ta votonin të bijën e Jusuf Gërvallës.
Pra, një argumentim super patetik, që shpërfaq kompleksin patriarkal të kësaj shoqërie: gruaja 54 vjeç, nënë e pesë fëmijëve, nuk ka identitet të vetin, as ndonjë arritje personale në jetë. Është e bija e Gërvallës. Kaq.
Gërvalla nuk ka qenë zgjedhja e duhur për dikasterin që e udhëheq qe gati pesë vjet. Mbase diku tjetër do të kishte qenë shumë më e dobishme. Porse Gërvalla, për dallim nga një deputete tjetër që u zgjodh sepse ishte e bija e dikujt, e nuk ia dëgjuam zërin tre vjet, veçohet për nga elokuenca dhe për nga shkrimi pa gabime gjuhësore me të cilat i mbron qëndrimet e veta politike. Dhe këtë e bën me konsistencë. E tash, a pajtohen të gjithë me të apo jo, është çështja që do ta ketë determinuar votën. E jo animi me Listën Serbe. Se edhe ky argument u bë bajat më.
* * *
Dje na u shfaq kandidati i tretë: Hekuran Murati. T’jua them sinqerisht, fort u mërzita që nuk e zgjodhën, tamam kisha shpresën se do të shpëtonim nga “menaxhimi fantastik” i shpërndarjes së subvencioneve dhe nga interpretimet e papara që ia bën Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Kushtetueses.
Por nga ana tjetër e mendova, keq do të ishte po të zgjidhej, sepse do të mbesnim pa garën e interpretimeve dhe “shtyrjeve profesionale” që prej disa vjetësh e mbajnë me Hykmete Bajramin. E mandej si të marrin vesh qytetarët për ekonominë e vendit nëse këta dy nuk mund t’i këmbejnë konstatimet?
Nejse, qytetarët e dinë shumë më mirë se cilido prej tyre se si është gjendja e ekonomike. Për herë të parë mbas sa e sa vjetësh, ky është viti i parë në të cilin nuk është ndier prania e diasporës në Kosovë, në kuptimin e dhënies së një infuzioni financiar me mjetet që i fusin në qarkullim. Është hera e parë që mbas sa e sa vjetësh, edhe dy muajt qendrorë të verës e kanë ndier mungesën masive të parasë në qarkullim.
Asnjëri nga garuesit e përmendur më lart nuk do ta ndiejnë këtë që po e përshkruaj. Sepse për ta nuk ka krizë. Sepse atyre rrogat e majme ua siguron buxheti i Kosovës, si interpretuan, si nuk interpretuan aktgjykime, si punuan, si nuk punuan, si u mërzitën shumë, si u mërzitën pak. Për ta kjo situatë është “zgate zot k’si moti”.
* * *
E kur jemi te buxheti, para disa ditësh një zyrtar i lartë, që gjithashtu paguhet nga buxheti i Kosovës, u pyet për dy çështje: se përse nuk kishte para në qarkullim dhe se përse bankat e kanë ndalur dhënien e kredive si individëve ashtu edhe bizneseve.
Ishte përgjigjur se nuk kishte dëgjuar të mos kishte para në qarkullim, e në pyetjen e dytë ishte përgjigjur se bankat kishin akorduar shumë kredi në pjesën e parë të vitit dhe tash duheshin pushuar. Por, nuk u përgjigj se përse në fillim të vitit ka pasur aq shumë kërkesa për kredi. Përgjigjja duket se vjen vetvetiu: nuk ka pasur para në qarkullim; çmimet janë rritur dhe obligimet nuk mund të mbulohen vetëm me rroga. Sidomos jo me rrogat e sektorit privat.
Po kjo nuk është punë që e bren cilindo prej deputetëve të ulur në Kuvendin e Kosovës. Po e përsëris: përgjegjësia për bllokadën deri në aktgjykimin e dytë të Kushtetueses ishte ekskluzivisht mbi Vetëvendosjen. Tash, pas këtyre dy vazhdimeve të seancës, përgjegjësia bie mbi të gjitha grupet parlamentare.
Po, është e drejtë e secilit deputet të votojë sipas bindjes së vet, porse është detyrim i secilit deputet të votojë për interes të bazës së votuesve që e ka ulur në atë kolltuk. Nëse për Haxhiun paskan pasur argumente kundër, ajo çështje tash përfundoi më. Në këtë trajtë, nëse duan, mund të nxjerrin argumente kundër secilit deputet që do të mund të kandidohej. Dhe siç e dëshmoi praktika, mund të nxjerrin argumente edhe kundër deputetit/es të grupit të vet parlamentar.
Pra, tash topi ka kaluar te opozita e deridjeshme. Nuk mund të thonë se VV-ja është lidhur për një figurë. Nuk munden me thënë se nuk po i ndërrojnë kandidatët, munden me thënë se nuk e votojmë këtë, apo nuk e votojmë atë, por tash njësoj u bie hisja për t’u kritikuar se nuk po e duan kompromisin, dhe se qëllimi i tyre përfundimtar është të shkohet në zgjedhje të reja.
* * *
Kompromisin që e ofronte Kurti në fillim të këtij cirku të pafund ishte hajgare. Njësoj është tash hajgare kushtëzimi i PDK-së që do ta pranojnë kandidimin e kujtdo tjetër pos ish-ministrave apo edhe fjala e re e LDK-së, “hajde ta bëjmë një marrëveshje”, edhe pse gjatë gjithë kohës kanë thënë “ne nuk votojmë, ja ku i kanë votat e PDK-së e të tjerëve”.
Kjo çka po bëjnë të gjitha partitë dhe të gjithë liderët e partive, pa përjashtime, është “hajde luajmë hajgare”. Munden, për shkak se paguhen për punën që nuk e bëjnë. Munden për shkak se e kanë luksin e kalkulimeve nëse shpërndahen vetë, ose e presin edhe një aktgjykim me një vendim të prerë, që e detyron kryetaren me i shpallë zgjedhjet. Munden për shkak se pushteti real i parasë është në nivelin komunal – e tash krejt forcat janë përqendruar andej.
Kjo është dashuria e tyre për Kosovën. Safi interes.