Nuk e di nëse Thaçi ka qenë aq naiv të besonte se po qe se do ta votonte themelimin e Speciales, do ta lironte veten nga barra e inkriminimit. Nuk e di se çfarë është ajo që ka menduar nëntë vjet me radhë, porse rezultati tash është ky që është: me Serbinë nuk i kemi spastruar punët; Kosova kurrë më keq nuk ka qenë ekonomikisht; ngërçi politik veç sa shkon e shtohet, ndërkohë që posti, të cilin e fitoi falë LDK-së, tash është bërë objekti i cili do të përcaktojë po qe se do të shkojmë ose jo në zgjedhje të reja. Fatkeqësisht, me ofertën e njëjtë partiake, pa asnjë risi të shëndoshë
Një diasporë që na mban gjallë; një Kuvend që mblidhet vetëm për të këmbyer ofendime e gjetur sparing partnerë për t'u shtyrë, e ndonjëherë edhe goditur; një Qeveri të çakorduar; dy zëvendëskryeministra konfliktivë; një pandemi që ta qiti përtokë dhe i pasuroi barnatoret e laboratorët e një kryetar i dorëhequr shteti gënjeshtar - është përmbledhja më e shkurtër që mund t'ia bëj javës së fundit që e kaluam.
Vjet diaspora na i kishte siguruar rreth një miliard euro të hyra nga remitencat dhe shpenzimet që i kishte bërë gjatë pushimeve. Kurse sivjet, me gjithë pandeminë dhe mbylljen edhe të shteteve perëndimore, për gjashtë muajt e këtij viti na kishte dërguar mbi 430 milionë euro. Me këtë trend deri në fund të vitit mund të pritet që sërish t'i "arkëtojmë" 850 milionë euro, pa të cilat shumë familje nuk kishin pasur si të mbijetonin.
Tashmë u bë përrallë Ligji i rimëkëmbjes ekonomike, që madje as nuk del në rend dite, për shkak se nuk mund të sigurohet kuorumi për ta votuar. Dhe pa e ditur saktësisht se çfarë përmban ky ligj, me gjasë Kosova do të mbetet shteti i vetëm, i cili gjatë pandemisë ka arritur të ndajë vetëm 173 milionë për një pako emergjente dhe 87 milionë ndihma nga diçka që u quajt fond i rimëkëmbjes ekonomike. Pra, gjithsej 260 milionë për tetë muaj e gjysmë pandemie, me rënie të theksuar ekonomike dhe dëmtim të biznesit deri në skaj. E pas gjithë kësaj, prapë ka të tillë që ende e shajnë dhe e përqeshin diasporën. Po mos t'i kishim ata, kush e di në çfarë gjendjeje do të ishim sot.
* * *
E aty ku do të duhej të zgjidheshin telashet e këtij vendi, Kuvendi, aty shohim degradim të mëtejmë të një institucioni që tashmë nuk e ka as tiparin e teatrit të komedisë në të cilin është shndërruar prej vitesh.
Ligjet të cilat presin për t'u kaluar janë në agjendë që nga gushti. Kur mblidhen, deputetët zakonisht janë aty për interpelanca, dhe kur nisin këto, patjetër do të përfundojnë në piskama e ofendime.
I tillë qe rasti të enjten. U thirr interpelanca për të pagjeturit. Kryeministri, që është dashur të qëndronte aty tri orë, ndenji nja një orë dhe iku, për "takim virtual me Macronin", ndërkohë që nisën këmbimet nga foltorja dhe ulëset.
Si kurrë më parë, u pa një reagim i vrullshëm i Saranda Bogujevcit që iu drejtua Arben Gashit që do t'i ketë komentuar diçka. E shqetësuar tej mase, Bogujevci tha: "...mos ma përmend familjen", dhe mandej u bë njëfarë hallakame, ku fillimisht Gashi nga distanca fjalosej me Kusari-Lilën, e më pas u panë një grumbull deputetësh që shtyheshin e flisnin, apo bërtisnin. Si refere e mirë e boksit, Nagavci, në cilësinë e kryesueses së seancës, e ndërpreu atë dhe i çoi deputetët në pauzë.
Nejse, pauza është gjendja e tyre thuajse e përhershme, por kësaj radhe qe përpjekje për ta ndalur një skenë edhe më të turpshme që do të mund të përshkallëzonte në goditje.
* * *
Por kurrgjë s'ishin kuvendarët, çfarë "yjesh" të javës dolën të na ishin Besnik Tahiri dhe Driton Selmanaj. I pari, ngase kur doli para protestuesve të PTK-së, me t'i dëgjuar brohoritjet "hajna", iu kthye dhe iu tha: "Ju këqyri në sy dhe jeni ma hajna se une".
Do të jetë specialitet i ministrave të kësaj qeverie që nëpërmjet shikimit ose t'i diagnostikojnë të sëmurët me COVID ose t'i identifikojnë njerëzit si hajna. E në rastin e Tahirit, madje edhe autogol: "jeni ma hajna se unë", pra, hajn po se po, por paska edhe hajna më të mëdhenj.
Sido që të jetë, protesta e PTK-së ndodhi disa ditë pas nisjes së zbrazjes së llogarive të saj nga “Z-Mobile” si pasojë e arbitrazhit të humbur. Porse është shumë, shumë indikative që protesta të këtilla nuk kishte pasur në kohën kur ishte nënshkruar kontrata me “Dardanetin”, atëherë kur ishte vendosur që 78% e fitimit të telefonisë virtuale të shkonte në xhepat e pronarëve të kësaj kompanie private. Nuk u panë protestat as në kohën kur nisën masivisht të punësoheshin kushërinjtë e udhëheqësve politikë dhe militantët partiakë, e as atëherë kur paratë e marketingut shkonin në një listë të kufizuar kompanish të privilegjuara.
Fajin kryesor për gjendjen e Telekomit pa asnjë dyshim e kanë të gjitha qeveritë. Porse e kanë edhe punëtorët që kanë heshtur, ngase i kanë pasur rrogat e mira. Në çastin kur rrogat nuk u paguan dhe llogaritë u zbrazën, nisën ankesat. E problemi është brenda. Ndërmarrja duhet të ristrukturohet. Duhet edhe të zvogëlohet stafi dhe të zvogëlohen rrogat. Ndryshe, kjo nuk ka shans të dalë mbi sipërfaqe me teknologjinë që e përdor.
"Ylli" tjetër, Selmanaj, i cili kohë më parë kishte refuzuar të paraqitej para Komisionit përkatës parlamentar për të diskutuar për çështjen e personave të pagjetur, duke e quajtur këtë çështje "të ezauruar" dhe "të konsumuar", u paraqit në një TV. Kur u pyet nëse duhej kërkuar falje nga Saranda Bogujevci, u përgjigj diçka si "...jemi lodhur më me këtë qasje...". Po përmbahem prej komentit.
Kështu, në një qeveri, të formuar prej pesë a gjashtë partish, ku secili bën muzikë sipas qejfit, janë dy zëvendëskryeministra që në fakt vetëm e pasqyrojnë thelbin e saj. Një grumbull njerëzish, të mbledhur pas një makinacioni politiko-kushtetues të Hashim Thaçit, jo për ta "shpëtuar Kosovën", por më parë për ta fundosur edhe pak. Dhe këtu përfundimisht fare nuk po luan rol as mosha, as kualifikimi profesional, as përvoja paraprake në shoqërinë civile - këta paraqiten si një imitim i keq i shefave të tyre mujsharë dhe oportunistë.
* * *
E derisa numrat e të infektuarve nuk po janë më të vegjël se 700 në ditë dhe kur numri i të vdekurve po i afrohet njëmijëshit, situata veç sa shkon e përkeqësohet në të gjitha aspektet. Tashmë është evidente që vështirë se do t'i ikim infektimit, e nëse na ndodh, do të jetë vështirë e parashikueshme se me çfarë pasojash do ta kalojmë atë. Ndërkohë, tashmë u tha, as Qeveria e as Kuvendi nuk mund ta nxjerrin as macen prej përsheshit, sepse nuk dinë më mirë. Sepse primare për ta janë fjalosjet dhe krekosjet sesa mirëqenia e përgjithshme.
Dhe derisa virusi po vlon gjithandej, ngadalë po zbulohen dokumentet e redaktuara të Prokurorisë Speciale në lidhje me të arrestuarit. Ndërkohë që po rrjedh procesi dhe duhet të vendoset nëse të akuzuarit duhen të mbahen në paraburgim apo të lirohen që të mbrohen në liri, i kuptojmë shumë gjëra për të cilat është folur e që ndërkohë po vërtetohen të kenë qenë të sakta.
Hashim Thaçi, personazhi kryesor i raportit Marty që u bë publik më 12 dhjetor 2010, ishte marrë në pyetje nga Prokurori i Specializuar po të njëjtën datë 9 vjet më vonë, pra më 12 dhjetor 2019. Sa herë ishte pyetur, nuk kishte treguar se ishe marrë në pyetje. Kishte gënjyer publikisht jo një, por shumë herë, dhe s'ka dyshim se e ka bërë me qëllim. Që nga çasti kur ishte marrë në pyetje, kishte nisur fushatën tek Administrata amerikane për shfuqizimin e Speciales. Kishte kërkuar nga ministri i Jashtëm amerikan që ta bënte këtë. Ndërkohë, në takimet e tij, sa publike aq edhe të fshehta, me Vuçiqin kishte kërkuar që të arrihej një marrëveshje për tri gjëra: për shfuqizimin e Speciales, për amnistinë e krimeve (ani që krimet e luftës nuk amnistohen) dhe për korrigjimin e kufijve.
Tashmë po bëhet më se evidente se e kishte sajuar një plan, sipas të cilit po qe se e fuste Serbinë në lojë, që ja, me marrëveshje nuk do të ndiqeshin krimet nga të dyja palët, atëherë si kundërshpërblim do t'ia kthente "dhuratën e Rankoviqit", pra katër komunat veriore. Do të ketë harxhuar shumë para nga buxheti i Kosovës për t'u endur lart e poshtë, duke angazhuar lobistë, duke paguar shkrimtarë që do ta shkruanin një përrallë për të, si dhe për të paguar avokatë që do të duhej të siguroheshin që të mos vinte dita e nëntorit kur e arrestuan.
Në Shtëpinë e Bardhë e gjeti Grenellin e gatshëm për ta luajtur këtë lojë, mbase edhe duke i premtuar se Specialja njëmend do të zhbëhej po të urdhëronte Trumpi, kurse në Kosovë aleatin më të mirë e gjeti te LDK-ja, me të cilën e shkaktoi krizën, fillimisht duke tentuar ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, më pas duke ftuar forcat e sigurisë për insubordinim e përfundimisht duke e rrëzuar atë me mocion. Pjesën e Gjykatës Kushtetuese me gjasë e menaxhoi vetë, ashtu siç kishte bërë edhe më 2014.
Rrëfimi për "merri tri këmisha e po shkojmë në Washington" do ta ketë pasur për qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje "të paqes", ku edhe do të shpallej amnistia, e edhe do të falej një copë e territorit kosovar, për t'ia shpëtuar lëkurën.
Është rrethanë tejet fatkeqe për Kosovën që të jetë udhëhequr nga një njeri, i cili u dëshmua se paska qenë krejtësisht i shantazhuar, dhe i cili, duke e ditur këtë, e mori krejt pushtetin mbi vete që, nëpërmjet negociatave shumë të rrezikshme, ta sillte Kosovën para aktit të kryer, siç kishte bërë disa herë. Për ta mbajtur pushtetin, i pajisi edhe njerëzit e tij me mjaft pushtet sa për t'u përzier në të gjitha hallkat, dhe për ta mbajtur të paprekshëm në këtë anë të terrenit.
Nuk e di nëse ka qenë aq naiv të besonte se po qe se do ta votonte themelimin e Speciales, do ta lironte veten nga barra e inkriminimit. Nuk e di se çfarë është ajo që ka menduar nëntë vjet me radhë, porse rezultati tash është ky që është: me Serbinë nuk i kemi spastruar punët; Kosova kurrë më keq nuk ka qenë ekonomikisht; ngërçi politik veç sa shkon e shtohet, ndërkohë që posti, të cilin e fitoi falë LDK-së, tash është bërë objekti i cili do të përcaktojë po qe se do të shkojmë ose jo në zgjedhje të reja. Fatkeqësisht, me ofertën e njëjtë partiake, pa asnjë risi të shëndoshë.
Ky vend, qëmoti, ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Riciklimi i politikanëve tashmë është dëshmuar thuajse vdekjeprurës për Kosovën.