OpEd

Ju flet Aleksandar Vuçiq, komandanti suprem i teorive të komplotit

Pavarësisht vargut të pafundmë të pasaktësive, manipulimeve, akuzave të pabaza e llafeve të tjera të kota që i thotë në intervistat e tij presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpesh paraqitjet e tij mediale përmbajnë edhe një dozë bizare argëtimi. Nga teoritë e tij të komplotit mund të kuptohen edhe hallet e Vuçiqit: për shembull kur e akuzon Gjermaninë që e hodhi në ajër projektin “Ballkani i Hapur”, ai në të vërtetë vajton pse Berlini e pengoi ndarjen e Kosovës.

2:29:24. Dy orë e njëzet e nëntë minuta e njëzet e katër sekonda. Kaq kohë të jetës m’i mori shikimi i një interviste të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai jo rastësisht zgjodhi mbrëmjen e 5 tetorit për t’u shfaqur në studion e televizionit të tij të preferuar, Pink. 

Më 5 tetor 2000, 25 vjet më parë, pra para një çerekshekulli, nëpërmjet imitimit të një revolucioni nga opozita e atëhershme u larguan nga pushteti diktatori serb Sllobodan Millosheviq, partia e tij e ashtuquajtur socialiste dhe Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit.

25 vjet janë një kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të mësuar diçka nga gabimet. Te Vuçiqi duket se ka ndodhur e kundërta. Ai nuk pendohet për krimet e regjimit të Millosheviqit, të cilin e ka mbështetur jo vetëm me retorikë. Përkundrazi.

Në studion e televizionit Pink, në prani të një “gazetareje”, e cila i bënte pyetje të mbështjella me pambuk, Vuçiqi tha: “Unë kurrë s’do ta analizoja veçmas atë ditë (5 tetorin e vitit 2000) dhe çfarë ndodhi aty. Shumë më e rëndësishme është çfarë ndodhi pas kësaj, cili ishte rezultati që pasoi, dhe rezultati ishte se kryesisht u shërbyem interesave të huaja, duke bërë punën e pistë që ata na kërkonin. Ia dorëzuam Tribunalit të Hagës presidentin e Serbisë (e ka fjalën për Millosheviqin, v.j.), çfarëdo që të mendoj unë për të - dhe këtë në një ditë të shenjtë, në Vidovdan. Ia dorëzuam edhe shumë serbë të tjerë si mace në thes, ndonjëherë duke i kaluar pikërisht ashtu nga ana tjetër e Drinës në këtë anë, duke menduar se do të fitonim edhe një ditë më shumë në pushtet, ose ata që ishin në pushtet. Ndërkohë, fillimisht patëm rrënimin e shtetit federal në një bashkim shtetesh, në një konfederatë, de fakto të Serbisë dhe Malit të Zi. Pastaj Mali i Zi shkoi në referendum në vitin 2006, pa qenë ne as të vetëdijshëm se çfarë po ndodhte, gjë që ishte parakusht për shkëputjen e Kosovës, dhe atë vendim e morën në vitin 2008”.

Domethënë: arrestimi i disa kriminelëve të luftës definohet nga Vuçiqi si akt tradhtie kombëtare. Liria e popujve të tjerë (malazezëve, kosovarëve) shihet si komplot perëndimor. Si lexues, dëgjues a gazetar mund të mllefosesh me këtë interpretim të historisë nga presidenti serb, por nga ana tjetër këso deklaratash përmbajnë edhe një dozë bizare argëtimi.

Kjo vërehet kur Vuçiq flet për Millosheviqin, të cilit ia adhuron këmbënguljen, karizmin dhe diksionin. Pastaj pyet se përse udhëheqja e atëhershme në Beograd nuk u dha fund bombardimeve të NATO-s “në ditën e dhjetë ose të pesëmbëdhjetë”. Si propagandist i sprovuar thotë se ndoshta do të vepronte si Millosheviqi, pra nuk do të dorëzohej, mandej shton: “...më duket se do ta kisha ndërprerë (bombardimin e NATO-s) pak më herët, nuk e di”.

Të gjitha intervistat e Vuçiqit përmbajnë teori konspiracioni, por kur ato zgjasin gati 3 orë, atëherë ke çfarë të dëgjosh. Pak ditë para monologut të Vuçiqit në Pink ishte bërë me dije se Shtëpia e Bardhë kishte tërhequr emërimin e serbo-amerikanit Mark Bërnoviq në postin e ambasadorit të SHBA-së në Beograd. Në pyetjen se si e shpjegon këtë zhvillim, Vuçiqi tha: “Ashtu siç e ka shpjeguar zoti Bërnoviq. Nuk mund të duronin që ndikimi serb të forcohej kaq shumë. Mos harroni, unë kam folur për këtë disa herë (...). Na ka dëmtuar më së shumti ajo Lidhja e Tretë e Prizrenit, e formuar në New York në vitin 1946. Ai lobi është jashtëzakonisht i fuqishëm në Brooklyn, në Manhattan, në të gjithë New Yorkun, por edhe në Washington, dhe ata bënë gjithçka që kjo të mos ndodhte, sepse ndikimi i Mark Bërnoviqit do të ishte i madh jo vetëm në Beograd, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, kudo, dhe ata e parandaluan këtë”.

Ata! Dihet kush janë ata: shqiptarët. Ata që më 1946 e kanë themeluar një organizatë në New York, e cila më 2025, pra 79 vjet më vonë, pengon emërimin e një ambasadori amerikan me origjinë serbe në Beograd. Sipas kësaj fabule, Donald Trumpi na qenkësh vetëm një marionetë e Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Nga njëra anë kjo marrëzi është zbavitëse, nga ana tjetër shitet mirë në një shoqëri, së cilës përherë i servohen me sukses teori komploti.

Nganjëherë Vuçiqi e nis analizën e tij për një problem me një teori komploti për të dalë aty ku i dhemb. Në intervistën e 5 tetorit ai e akuzoi Gjermaninë se e ka hedhur në ajër projektin “Ballkani i Hapur”, i cili qe mbështetur me vrull nga Vuçiqi, Edi Rama dhe qeveria socialdemokrate maqedonase (me partnerin e saj shqiptar). Vuçiqi e nisi teorinë e radhës të komplotit me një pyetje sugjestive: “Kur keni dëgjuar për herë të fundit për një samit serioz të Grupit të Vishegradit?” - dhe vazhdoi: “Do të dëgjoni tani pse. Nuk keni dëgjuar prej 5-6 vjetësh, apo jo? Ndërsa deri atëherë dëgjonit çdo ditë. Sepse Grupi i Vishegradit po vendosej si një lloj kundërpeshe e fuqisë gjermane. Në Evropë, 60 milionë banorë, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, ekonomi seriozisht në rritje, forca ushtarake seriozisht të forta e të mëdha e kështu me radhë. Dhe papritur, fund. Fiala (e ka fjalën për ardhjen në pushtet të kryeministrit çek, Petr Fiala, i cili ndërkohë i ka humbur zgjedhjet), ndryshimi në Poloni (qeveria e Donald Tusk, pas humbjes së të djathtës agresive), pati ndryshime me Zuzana Çaputovën në Sllovaki (nuk është më presidente, por as kjo e vërtetë nuk i intereson Vuçiqit), s’ka më Grup të Vishegradit. Mendoni se kjo ishte rastësi? Sa kohë ka që s’keni dëgjuar për Ballkanin e Hapur? Të paktën dy, dy vjet e gjysmë, apo jo? Për diçka më serioze. E njëjta dëshirë e atyre që vendosin për gjithçka ka qenë që të mos ekzistojnë as Grupi i Vishegradit, as Ballkani i Hapur. Dhe të gjithë ata që do të thoshin ‘Ballkani për ballkanasit’, të gjithë ata që do të donin pak më shumë pavarësi, që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, janë ndëshkuar”.

Sipas Vuçiqit, Grupin e Vishegradit e prishi Gjermania. Natyrisht që kjo është një rrenë e presidentit serb. Ky grup shtetesh - Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia - u përça për shkak të Ukrainës. Varshava dhe Praga janë dy kryeqytete që përkrahin Kievin dhe kundërshtojnë hegjemoninë dhe agresionin rus, ndërsa kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, akuzohet se sillet si shef i kolonës së pestë të Vlladimir Putinit brenda BE-së, ndërsa rolin e asistentit të Orbanit e ka marrë kryeministri sllovak, Robert Fico.

Përralla për Grupin e Vishegradit i shërbeu Vuçiqit për të dalë aty ku e ka hallin: si dhe pse dështoi Ballkani i Hapur? Gjermania, sipas tij, e bllokoi këtë projekt, i cili kërkonte që “Ballkani të jetë i ballkanasve” - dhe më i pavarur për të vendosur për të ardhmen e vet. Për cilën të ardhme flet presidenti serb? Vuçiq nuk e thotë hapur, por ka diplomatë të disa vendeve të BE-së, të cilët janë të bindur se një ndër projektet kryesore të Ballkanit të Hapur ka qenë ndarja e Kosovës. Kjo është arsyeja që Vuçiqi e sulmon Gjermaninë, një shtet që ka qenë kundër ndarjes së Kosovës, sepse e bëri të parëndësishëm Ballkanin e Hapur dhe e themeloi Procesin e Berlinit, ku Kosova trajtohet si shtet. Në mendjen e Vuçiqit, Procesi i Berlinit është ndëshkimi gjerman i atyre politikanëve në Ballkan, të cilët dëshironin të ishin “të pavarur” dhe të merrnin vendime pa ndërhyrjen e BE-së dhe sidomos të Berlinit.

Parulla “Ballkani ballkanasve” është në të vërtetë thirrje për dominimin e Serbisë mbi popujt e Ballkanit. Kur në fillim të qershorit 2022 u mbajt në Ohër një samit i të ashtuquajturit Ballkan i Hapur (me presidentin serb, kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Shkupit), mediat nën kontrollin e Vuçiqit ishin plot e përplot me tituj bombastikë. Më 9 qershor 2022, “Informer” bëri thirrje: “Ballkani për ballkanasit”. “Veçernje novosti” brohoritën: “Ballkani duhet t’u përkasë ballkanasve”, ndërsa “Blic” klithi: “Ballkani duhet t’u përkasë popujve ballkanikë”. Këta tituj ishin në frymën e ambicies serbomadhe në rajon.

Dhe kjo e ka bazën edhe në historinë e hershme të shekullit të 20-të, siç dëshmon ky koment nga gazeta “Politika” e Beogradit, botuar para më shumë se një dekade: “Mësimi dhe mesazhi i Luftës së Parë Ballkanike është se ushtria e një populli të vogël dhe të varfër mund të çlirojë vetveten dhe të tjerët nëse ka mjaftueshëm besim dhe shpresë. Fitorja në Kumanovë, në të cilën u mund ushtria turke dhe u çlirua Kosova pas shekujve të pushtimit osman, është pikërisht shembull i asaj se gjithçka është e mundur kur ekziston besim në një kauzë të drejtë që i shtyn individët dhe popujt. Pasojë e këtij heroizmi të Serbisë ishte çlirimi i një pjese të mirë të Ballkanit, gjë që u përmbyll gjatë marshimit fitimtar të ushtrisë serbe nga Selaniku deri tek Alpet. Atëherë parulla kryesore ishte ‘Ballkani për ballkanasit’, që do të thoshte se popujt ballkanikë dëshironin fundin e okupimit të huaj ose të hegjemonisë së fuqive të mëdha”.

Intervista e Vuçiqit në televizionin Pink, më 5 tetor, përmban edhe shumë hithra të tjerë retorikë dhe propagandistikë, por numërimi dhe trajtimi i të gjithave do të shpërthenin kornizën e një teksti në gazetë.

Slogani “Ballkani për ballkanasit” më kujtoi një ndodhi nga vitet ’90, kur dikush shkroi në postën e Sarajevës: “Kjo është Serbi”. Pastaj dikush tjetër nën këtë shkarravinë u kundërpërgjigj: “Kjo është posta, budalla!” Në një mur në Beograd po në ato vite ishte shkruar: “Serbia për serbët”. Në atë Serbi të tjerët duhej zhdukur, ky ishte mesazhi. Ishte gjendur një i urtë me humor në ato vite të errëta dhe me bojë të kuqe kishte shkruar: “Bregu i Fildishtë për elefantët”. Nganjëherë dy orë e njëzet e nëntë minuta e njëzet e katër sekonda nuk janë kohë krejtësisht e humbur.