OpEd

Këto tragjedi nuk janë të rastësishme

Rreth 50 të vdekur në një aksident autobusi në Bullgari, me gjasë shumica shqiptarë. Dhe shtrohet pyetja: a është rastësi edhe kjo fatkeqësi? A ishte rastësi aksidenti në Kroaci gjatë verës, ku vdiqën 10 shqiptarë? A ishte rastësi djegia e spitalit të Covid-19 në Tetovë?

Nëse te webfaqja e “Kohës ditore” kërkoni lajme me fjalën aksident, aty do të shfaqen menjëherë plot shembuj tragjikë. Vetëm më 21 nëntor 2021 nëpër rrugët e Kosovës kanë ndodhur këto aksidente: Një e vdekur e disa të lënduar në tri aksidente në Prishtinë e Deçan. Dy të lënduar nga përplasja e tri veturave në Hajvali të Prishtinës. Aksident në Prishtinë, vdes një grua.

Më 18 nëntor: Aksident në Caralevë, lëndohet një person. Më 16 nëntor: Aksident me 2 të lënduar në fshatin Hereq, në aksin Gjakovë-Pejë. 12 nëntor: Aksident mes veturës dhe biçikletës në Gjakovë, vdes biçiklisti. 11 nëntor: Katër të lënduar në një aksident trafiku në Podujevë. 9 nëntor: Dy të lënduar në një aksident në rrugën Prishtinë–Podujevë.

Lajme të ngjashme mund të ketë edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Dhe këto lajme mbi aksidentet “e vogla” kalojnë si ngjarje rutinore. Një i vdekur aty, një atje, përditshmëri. Këtë rutinë, këtë përditshmëri e prishin herë pas here lajmet tronditëse. Bëhet e ditur se sot në Bullgari një autobus – me gjasë me pasagjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut – ka dalë nga autostrada, ka marrë flakë dhe kështu kanë humbur jetën rreth 50 veta, mes tyre mbi 10 fëmijë.

Është një tragjedi e madhe për familjet, rrethin e tyre, por edhe për shoqërinë.

Politikanë maqedonas janë nisur drejt vendit të aksidentit. Kryeministri bullgar Stefan Janev tha: “Është një tragjedi e madhe”. Ministri i Brendshëm Bojko Rashov theksoi: “Diçka kaq të tmerrshme s’kam parë kurrë, pothuaj e padurueshme. Kufomat e djegura qëndrojnë grumbull mbi njëra-tjetrën”. Do të ketë edhe politikanë të tjerë që do të thonë fjalë të dhimbshme.

Por përtej retorikës duhet shtruar disa pyetje: a është i rastësishëm ky aksident i autobusit me pasagjerë shqiptarë në Bullgari? Sipas mediave dhe autoriteteve bullgare, autobusi rreth orës dy, për arsye të panjohura, goditi mbrojtësen e autostradës dhe u rrokullis disa herë. Hetimet do të tregojnë nëse tragjedinë e ka shkaktuar pakujdesia e shoferit apo ndonjë problem teknik.

Gjatë verës në Kroaci shoferi i një autobusi me pasagjerë shqiptarë humbi kontrollin dhe si pasojë vdiqën 10 veta, mbi 40 u lënduan rëndë dhe lehtë. Edhe atëbotë kishte shumë deklarata e shumë empati për viktimat. Shoferi u arrestua nga autoritetet kroate, ndërsa autoritetet e Kosovës nuk kanë njoftuar nëse kanë ashpërsuar kriteret për operimin e ndërmarrjeve transportuese. Në këtë sektor ekziston një konkurrencë brutale. Pronarët përpiqen të kursejnë sa më shumë. Ngjashëm edhe në sektorin e transportit ajror. Dhe është një mrekulli e madhe që deri më tani nuk kanë ndodhur tragjedi ajrore (me përjashtim të dy avionëve të rrëzuar në vitet 90-të në Maqedoni, me ç’rast patën vdekur qindra shqiptarë me banim kryesisht në Zvicër).

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut aksidenti në Bullgari është tragjedia e dytë brenda pak muajsh. Në fillim të shtatorit në Tetovë mori flakë një spital i improvizuar për pacientë të Covid-19. Me atë rast vdiqën 14 pacientë, 12 u lënduan.