Fadil Maloku
Në kohën kur rrjetet sociale janë shndërruar në tribuna të vetë-shfrenimit publik dhe të denigrimit e anatemimit të figurave publike, gjuha e urrejtjes ka filluar të zëvendësojë çdo normë të komunikimit qytetar.
Ajo që dikur ishte debat konstruktiv dhe me qëllime fisnike, sot është shndërruar në sharje; ajo që dikur ishte argument, sot është anatemi. Diagnoza sociologjike e këtij fenomeni është alarmuese: një shoqëri që ushqen denigrimin dhe konfliktin verbal, jo vetëm në komunikimet e saj të përditshme interpersonale e familjare, por edhe në ato publike, ngadalë por sigurt është e prirë ta brejë jo vetëm kodin e sjelljes morale që e kishte ndërtuar me përplot sakrifica në të kaluarën, por edhe ta shprishë, ta kontestojë e madje ta shkatërrojë edhe kodin e ri institucional që po e ndërtojmë së bashku.
1. Kur protagonizmi bëhet patogjen
Kohëve të fundit, përveç disa politikanëve dështakë, moderatorëve e pedagogëve të shndërruar në (b)analistë, këtij kalvari denigrues iu bashkëngjitën edhe disa pseudogazetarë e ish-deputetë “aksidentalë”, të cilët, duke përdorur gjuhë denigruese e përçmuese – gjuhë të urrejtjes – janë bërë model i shfrenimit publik!
Tragjikja e këtij shfrenimi shkon aq larg, saqë gjuha e tyre denigruese e përçmuese, që në shumicën e rasteve shoqërohet me emocione hakmarrëse e arsyetime banale “moralizuese”, bëhet aq monotone, sa krijon rrezik që të instalohet si standard e normë e re “demokratike”. I gjithë ky “promovim” sociokulturor, i paparë ndonjëherë në kulturën dhe traditën tonë të komunikimit shoqëror, në “imagjinatën” sociologjike identifikohet si një cancel culture, që në shqip nënkupton një “konsumim” sistematik, apo një qëndrim publik gjithnjë leçitës ndaj grupeve e individëve të caktuar, të cilët keqpërdorin statusin e tyre qoftë në mediet sociale, apo edhe në format e tjera të komunikimit masiv. Në thelb, kjo kulturë e anatemimit dhe leçitjes nuk kërkon drejtësi, por poshtërim. Ajo nuk gjykon veprimin, por personin. Dhe për pasojë, krijon një spirale përçmimi që e shndërron opinionin publik në një gjykatë emocionale, pa kritere etike e morale.
2. Nga debati në linçim publik
Prononcimet e tilla, të ngarkuara me frustrime dhe komplekse personale, shpesh nxisin irritim e reagim masiv te opinioni i gjerë. Ky zemërim publik, i ushqyer nga rrjetet sociale, mund të prodhojë edhe pasoja të papritura sociale – siç ishte rasti me “aksidentin” që i ndodhi deputetit Armend Zemaj.
Këto pasoja shpesh shndërrohen në thirrje për linçim, ku individit të “gabuar” i kërkohet të heqë dorë nga statusi apo privilegjet që posedon. Në këtë mënyrë, rrjeti shndërrohet në një arenë “ndëshkimi moral”, ku njerëzit nuk kërkojnë reflektim, por dënim; nuk kërkojnë të vërtetën, por spektaklin e poshtërimit dhe denigrimit.
3. Kur kultura e turpit zëvendësohet me kulturën e përçmimit
Në shoqërinë tonë tradicionale, kultura e turpit kishte funksion disiplinues: ajo ruante rendin, kohezionin familjar dhe harmoninë komunitare.
Sot, kjo normë është zëvendësuar me një “kulturë përçmimi”, ku njeriu përpiqet të bëhet i dukshëm përmes protagonizmit dhe konfliktit, e jo përmes virtytit dhe vlerave etike e morale. Njeriu modern, duke qenë më i lirë në përzgjedhjen e mënyrës së komunikimit, është bërë gjithashtu më i prirë dhe më i etur për protagonizëm të shëmtuar – një prirje që ushqehet nga pëlqimet, ndjekësit dhe viraliteti, më shumë sesa nga nevoja për protagonizëm të bukurisë dhe fisnikërisë, siç mungon sot në përditshmërinë tonë. Sipas kulturologëve, ky lloj afshi për vëmendje është shumë më i dëmshëm sesa sjelljet devijante klasike, sepse përçon një model të ri patologjik të komunikimit publik, në shoqëritë e transicionit sikurse jemi ne.
P.S. Shoqëria që e normalizon gjuhën e urrejtjes dhe të denigrimit, nuk mund të ndërtojë institucione të paqes. Ajo humb busullën morale dhe, ngjashëm me trupin që refuzon vetveten, fillon të sëmuret nga brenda. Andaj, gjuha paqësore e unitetit, përveçse është dëshmuar si argumenti më i fuqishëm i shëndetit mendor të një shoqërie demokratike, është edhe mjeti më i fuqishëm i bashkimit shtetëror dhe kombëtar. Ndërkaq, gjuha e urrejtjes dhe e denigrimit është virusi më i rrezikshëm i përçarjes shtetërore dhe kombëtare.