Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e votimit jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, para certifikimit të rezultateve për të gjitha komunat. Sipas KQZ-së, kjo është bërë me qëllim të shmangies së vonesave
Ndonëse ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit për të gjitha komunat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur të hënën procesin e votimit jashtë vendit, për raundin e dytë të zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, ky proces ka nisur me qëllim të shmangies së vonesave për balotazhin, që mbahet më 9 nëntor.
“KQZ-ja ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë. Votimi jashtë vendit është një operacion zgjedhor që kërkon disa ditë të zhvillohet, andaj çdo ditë vonesë do të vështirësonte realizimin e këtij procesi”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas KQZ-së, procesi i votimit u mundëson 29 mijë e 712 shtetasve të Kosovës, të regjistruar me sukses, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar me kohë.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve do të përdoret e njëjta listë e votuesve jashtë vendit si në raundin e parë, për shkak të mungesës së kohës për regjistrim të ri.
“KQZ-ja ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban fletëvotimin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës. KQZ-ja ka filluar procesin e dërgimit të pakove në disa shtete dhe shërbimet postare do ta përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit”, ka thënë Elezi.
Të shtunën KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të rundit të parë për kryetarë të komunave në 35 komuna.
E nuk janë shpallur rezultatet për Prishtinë, Junik e Mamushë, meqë sipas KQZ-së, autoritetet janë duke i trajtuar ende disa ankesa.