OpEd

Kur sundimtari nga Bosfori humb kontrollin

Në fillim të kësaj jave valuta turke humbi vlerën e saj në mënyrë dramatike. Punëtorët, shumica përkrahës të AKP-së, partisë së Rexhep Taip Erdoanit, thonë: “S’po arrijmë as bukë të çojmë në shtëpi”. Çfarë bën Erdoani? Punëtorëve u thotë: “Pini çaj”, ndërsa presidentit francez i propozon të shkojë te mjeku të konsultohet për gjendjen e tij mendore. Erdoan e ka vërejtur se e ka kaluar zenitin e pushtetit. Ai mund t’i fitojë edhe një palë zgjedhje ose edhe jo, por e qartë është se konkurrenca politike po rritet. Për të konsoliduar radhët Erdoan i është kthyer manipulimit të ndjenjave fetare dhe nacionaliste.

Në mediat sociale është publikuar një skenë: sundimtari turk Rexhep Taip Erdoan flet nga autobusi me disa punëtorë, shumica përkrahës të partisë së tij AKP. Njëri nga punëtorët ankohet se rrogat nuk po mjaftojnë për të mbajtur familjen dhe thotë: “s’po arrijmë as bukë të çojmë në shtëpi”. Erdoani shikon me mosbesim, e akuzon punëtorin se po e tepron, i propozon të pijë çaj dhe ia hedh nga autobusi një qese me çaj. Kjo është përgjigjja e autokratit turk ndaj krizës ekonomike që ka përfshirë Turqinë. Për një dollar tani merr 8 lira. Një rënie historike e vlerës së valutës turke, një rënie që e shqetëson edhe Erdoanin, i cili me çdo mjet lufton të qëndrojë në pushtet, ndërkohë që popullariteti i partisë së tij po bie. Në zgjedhjet e fundit lokale partia e Erdoanit humbi qytetet kryesore, mes tyre edhe Stambollin, aty ku Erdoan filloi karrierën politike. Çdo i katërti turk është i papunë dhe në tregjet financiare besueshmëria e Turqisë për të marrë kredi është e ngjashme me atë të Ruandës, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Kriza ekonomike është njëra nga arsyet që Erdoan ditëve të fundit ka shpeshtuar sulmet e ofendimet kundër presidentit të Francës Emmanuel Macron. Erdoan i ka propozuar Macronit të shkojë te mjeku dhe t’i nënshtrohet një kontrolli të gjendjes së tij mendore. Një sulm i pashembullt ky në marrëdhëniet mes dy shteteve. Macron nuk është krejtësisht i pafajshëm për këtë situatë. Vitin që shkoi e shpalli NATO-n të vdekur klinikisht dhe paralajmëroi një fazë të afrimit me Vladimir Putinin. Pas vrasjes barbare të një mësuesi francez të historisë nga një islamist me origjinë nga Çeçenia, Macron paralajmëroi se do të luftojë pamëshirshëm fanatikët fetarë. Kjo gjithsesi është e drejtë legjitime e Francës dhe domosdoshmëri, sepse vetëm në 5 vitet e fundit në këtë shtet 250 veta kanë rënë viktima të terrorizmit islamik. Por retorika e zjarrtë kundër ekstremizmit islamist lë përshtypjen se Macron e ka mendjen edhe te zgjedhjet e ardhshme në vitin 2022.

Por edhe Erdoan mendjen e ka te pushteti i tij. Aventurat luftarake në Libi, Siri, Irak, Nagorni Karabah (në anën e Azerbajxhanit) nuk i kanë sjellë ndonjë përfitim Turqisë. Punëtorët turq që mezi fitojnë bukën për familjet e tyre, nuk kanë ndonjë interes të merren me hallet e komandantëve libianë apo kryengritësve sirianë.

Erdoan gjithnjë e më shumë sillet si një “lider i myslimanëve” dhe më pak si udhëheqës i Turqisë. Para disa vitesh në Prizren ai tha se “Kosova është Turqi” (dhe për të qetësuar gjakrat shtoi: “...edhe Turqia është Kosovë”). Bosnjën e cilësoi provincë të 81-të osmane, Shqipërinë e Maqedoninë nuk i shikon më ndryshe. Në rajonin e Ballkanit në pushtet janë “çunat e Erdoanit” – në Beograd, në Sarajevë, në Prishtinë, në Tiranë. Pas nënshkrimit të “marrëveshjes së Washingtonit”, ku Serbia dhe Kosova u obliguan se do të zhvendosin përkatësisht hapin ambasadat përkatëse në Jerusalem, Erdoan përmes ministrisë së Jashtme në Ankara reagoi ashpër. Menjëherë shkuan në Turqi presidenti serb dhe ai kosovar për të qetësuar padishahun. Këto skena nënshtruese mund t’ia kënaqin egon Erdoanit, por armatës në rritje të papunëve dhe të varfërve në Turqi nuk i sjellin asgjë.

Erdoan e ka vërejtur se e ka kaluar zenitin e pushtetit. Ai mund t’i fitojë edhe një palë zgjedhje ose edhe jo, por e qartë është se konkurrenca politike po rritet. Ali Babaxhan, zëvendëskryeministër shumëvjeçar dhe përgjegjës për ekonominë, ia ka kthyer shpinën Erdoanit dhe ka themeluar një parti. Kompetenca ekonomike e Babaxhanit, i cili është shkolluar në Amerikë, është larg më e madhe se ajo e Erdoanit (dhe dhëndrit të tij, Berat Allbajrak, i cili kontrollon prej vitesh sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe nga korriku 2018 është ministër i Financave). Shumë turq i vlerësojnë politikanët pikërisht nga këndvështrimi i kompetencës ekonomike. Dhe jo pak turq kanë filluar të lodhen nga piskamat e Erdoanit “hej Macron, hej Merkel, hej Europë”.

Në mungesë të përgjigjeve për t’u përballur me krizën ekonomike, Erdoan i është qepur retorikës fetare dhe nacionaliste. Ai po sillet si një shef i ummas, bashkësisë botërore të myslimanëve. Gjuha e tij kundër Europës perëndimore është polemiste, fyese, manipuluese. Për shembull kur thotë se myslimanët në Europë po trajtohen si hebrenjtë dikur nga nazizmi. Kjo është tallje me terrorin ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë. Dhe është gënjeshtër. Në Europën perëndimore ka racizëm, por nuk mund të bëhet fjalë për racizëm gjithëpërfshirës dhe të pandëshkueshëm siç pretendon Erdoani për hesape të tij elektorale. Demokracitë perëndimore ende janë të fuqishme dhe ende të afta të luftojnë të djathtën ekstreme me tendenca të dhunshme. Europa perëndimore nuk është parajsë, por assesi nuk është as ferr, siç e skicon Erdoani. Po të ishte ferr, nuk do të kishte miliona të rinj nga bota arabe dhe nga Turqia që kanë vetëm një ëndërr: të mërgojnë në Gjermani, për shembull. Tre prej katër të rinjve turq duan të jetojnë në BE apo në SHBA.

Gjithnjë e më shumë të rinj turq nuk duan të përkrahin më AKP-në e Erdoanit. Këtë e tregojnë anketat. Projekti i Erdoanit për islamizimin e rinisë mund të quhet i dështuar. Edhe të rinjtë turq kalojnë më shumë kohë në Youtube se sa në xhami e mejtep. Në përpjekjet e tij dëshpëruese për të mobilizuar besimtarët, Erdoan tani thotë: “Ekonomia islamike është çelësi për dalje nga kriza”. Më 2004 Erdoani thoshte: “Paraja nuk ka fe, as ekonomia”. Më 2005: “Kush më jep kapital, atij ia puthi dorën, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për shtete të Gjirit Persik, për hebrenjtë apo për Perëndimin”. Më 2006: “Paraja nuk ka fe, mos u sillni si racistë të kapitalit”. Më 2007: “Paraja nuk ka fe, komb apo racë” (citatet i ka mbledhur publicisti turk Bülent Mumay).

Tani Erdoan u bën thirrje turqve të bojkotojnë prodhimet franceze. Pasoja nga këto apele, siç shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, mund të ketë Turqia, jo Franca. Në listën e destinacioneve franceze të eksportit Turqia zë vendin e 14-të. Thirrja për bojkot mund të godasë vetë Turqinë, ku me licenca franceze prodhohen automjete franceze, të cilat Turqia i eksporton me sukses nëpër botë. Aktualisht Erdoan duket më shumë i interesuar të eksportojë imamë. Prej 300 imamëve të huaj në Francë gjysma janë nga Turqia. Në Gjermani Erdoan kontrollon qindra xhami direkt përmes zyrës për çështje fetare Diyanet. Kjo zyrë financon edhe ndërtimin e xhamive në Tiranë dhe Prishtinë. Të dy shtetet shqiptare dhe bashkësitë përkatëse islame nuk kanë qenë në gjendje që ndërtimin e objekteve të kultit ta bëjnë me mjete vetjake dhe pa bakshishe të Erdoanit.

Pas vrasjes së mësuesit francez të historisë, i cili në kuadër të një ore mësimore mbi lirinë e mendimit dhe kufijtë e lirisë së mendimit, kishte treguar para nxënësve edhe karikaturat kontraverse të profetit mysliman, të botuara në një revistë satirike të Parisit, Erdoan nuk dërgoi telegram ngushëllimi në drejtim të Francës. Ai ashpërsoi gjuhën pas paralajmërimit të presidentit francez Emmanuel Macron se do të marrë masa të ashpra ndaj atyre që keqpërdorin fenë islame në Francë. Erdoan kritikoi ashpër edhe policinë e Berlinit, e cila bastisi një xhami pas dyshimeve për keqpërdorim të ndihmave shtetërore. Liderit turk nuk iu kujtua të thotë gjë për një krim në Dresden: para disa ditësh në këtë metropol gjerman një islamist sirian, i sapodalë nga burgu, sulmoi me thikë dy kalimtarë. Njëri vdiq, tjetri u plagos rëndë.