Besnik Vasolli
Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Kosova po kalon një fazë të ngërçit politik. Institucionet janë në pritje të formimit, partitë janë në pazare, e qytetarët, si zakonisht, janë në pritje të rezultateve që vonohen. Por, ndërkohë që ne presim, një gjë është e sigurt: investitorët nuk presin. Çdo muaj pa stabilitet është një muaj i humbur për zhvillimin ekonomik të vendit. Një vend që nuk funksionon në mënyrë të parashikueshme, që nuk ofron siguri politike dhe institucionale, nuk është vend ku një investitor dëshiron ta vendosë kapitalin dhe të ardhmen e kompanisë së tij.
Pasiguria për investitorët është rritur ndjeshëm edhe për një arsye tjetër: liberalizimi i tregut të energjisë. Në vend që ta krijonte një hapësirë të lirë dhe konkurruese, ai u shoqërua me mungesë përgatitjeje dhe pa qartësi për konsumatorët e mëdhenj e posaçërisht ata industrialë.
Kompanitë e mëdha sot nuk e dinë sa do ta paguajnë rrymën muajin tjetër e në një klimë të tillë, askush nuk bën investime serioze. Ky është vetëm një nga shumë sinjalet që Kosova po i dërgon gabimisht në drejtim të atyre, që mund të sillnin zhvillim, punësim dhe rritje ekonomike. Në këtë sfond të pasigurt, është jetike që të ndalemi, të reflektojmë dhe të marrim masa serioze për t’i tërhequr dhe për t’i mbajtur investitorët.
Ballkani Perëndimor është në garë, por a është Kosova pjesë e saj?
Ndërkohë që Kosova po përballet me paqartësi politike dhe vendime të brishta ekonomike, vendet e tjera të rajonit janë duke ecur përpara. Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po ndërtojnë strategji aktive për të joshur investitorë: nga lehtësirat tatimore dhe subvencionet direkte, deri te përkujdesja institucionale për çdo investim të ri. Kosovës, lëre që i mungon një strategji kombëtare për investime, por, për momentin, s’ka as institucione. Agjencitë që duhet të ofrojnë ndihmë, duhet të forcohen më tutje dhe të bëhen edhe më funksionale, t’i lëmë inatet anash e të veprojmë për këtë vend që aq shumë është sakrifikuar. Sepse, përpos që investitori ballafaqohet me pasiguri ligjore, mungesë informacioni dhe burokraci që shpesh mbetet pa përgjigje, tash nuk e ka të qartë se kur do të funksionalizohen institucionet paszgjedhore.
Sfidë të ngjashme ka edhe diaspora jonë, të jemi të sinqertë, çfarë realisht ofrojmë për diasporën tonë? Fatkeqësisht, shumë pak. Diaspora kosovare, ndër më të suksesshmet në Evropë, është një aset kombëtar i pazëvendësueshëm. Janë me mijëra profesionistë, sipërmarrës e investitorë potencialë, që kanë gatishmëri për të kontribuuar në zhvillimin e vendit. Por, në vend të një qasjeje të mirorganizuar dhe mbështetëse, ata përballen me të njëjtat barriera si çdo investitor tjetër: shpesh me paqartësi, mungesë asistence dhe trajtim formal pa përmbajtje.
Në dy dekadat e fundit shumë prej tyre kanë ardhur me ide dhe kapital, por janë kthyer mbrapsht të zhgënjyer dhe të lodhur nga mosfunksionimi i institucioneve. Kjo është një mundësi që po na ikën nga duart dhe që nuk mund ta injorojmë më gjatë.
Çfarë duhet të bëjë Kosova?
Tri shtylla për një kthesë të vërtetë:
1. Krijimi i një oferte konkrete për investitorët - Kosova duhet t’i identifikojë qartë sektorët prioritarë, si energjia e ripërtërishme, teknologjia informative, bujqësia, turizmi dhe përpunimi industrial, dhe të zhvillojë projekt-ide të gatshme për investim. Këto duhet të jenë të shoqëruara me pako të strukturuara, që përfshijnë lehtësira fiskale, mbështetje teknike dhe qasje në infrastrukturë.
2. Krijimi i një “one-stop-shop” real dhe funksional për investitorët - Duhet të ekzistojë një pikë unike kontakti, ku çdo investitor, i huaj, vendas apo nga diaspora, gjen informacion, ndihmë dhe përkrahje gjatë gjithë procesit të investimit. Kjo kërkon përkrahje, forcim dhe profesionalizim të mëtejmë të KIESA-s, si dhe bashkëpunim të ngushtë me komunat dhe institucionet e tjera relevante.
3. Siguri, stabilitet dhe sundim të ligjit - Asnjë investim nuk ndodh në një ambient të paparashikueshëm. Kosova duhet ta ofrojë një sistem ku rregullat zbatohen, kontratat respektohen dhe investitori nuk ndihet i pambrojtur përballë institucionit apo operatorëve dominues në treg. Kjo është mënyra më e shpejtë për ta fituar besimin e kapitalit, posaçërisht atij ndërkombëtar.
Në vend të përfundimit: ose mbledhim mend e veprojmë tani, ose mbesim prapa përgjithmonë - Kosova nuk e ka luksin të humbasë më shumë kohë.
Investimet janë oksigjeni i ekonomisë, dhe pa to nuk ka as zhvillim, as punësim, as të ardhme për të rinjtë tanë. Ka vetëm lajme të këqija. Është koha për ta parë investitorin si partner, jo si barrë. Është koha të japim sinjale të qarta, të ndërtojmë besim dhe të flasim me gjuhën e kapitalit, ideve dhe bashkëpunimit të ndershëm. Sepse, nëse nuk i themi botës që jemi gati me vepra, jo vetëm me fjalë, bota do të vazhdojë pa ne.
(Autori është drejtor i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare)