OpEd

Nga zgafella e re

Nuk ma kishte marrë mendja kurrë se zgjidhja e hapësirës për të gjithë ne do t'i merrte 16 vjet të plotë. Rrëfimi që kishte nisur në kohën kur erdha në krye të bordit programor të televizionit më 2003, mbaroi me një kontratë me AKP-në më 2019.

Kontrata ishte edhe fillimi i një pune tjetër të nisur më moti dhe që nuk mundi të realizohej për shkak të funksionimit të ekipeve të gazetës e portalit nga njëra anë dhe të televizionit nga tjetra, në dy objekte që i ndanin 10 minuta ecje këmbë.

Gërmadha e aneksit të ish-Radio Prishtinës mori 8 muaj punë intensive ndërtimore për t'u shndërruar në një hapësirë funksionale dhe moderne pune. Një hapësirë në të cilën do të niste faza e re, ajo e akomodimit dhe e zhdukjes së ndasisë të cilën me vite e kemi luftuar mes "ne" dhe "ata" për të ardhur te pika ku të gjithë jemi "ne" dhe kur të gjithë krejt zellin tonë e shkrijmë në interesin e ruajtjes së asaj që ka qenë "brendi" i KOHËS: të qenët më ndryshe se të gjitha mediumet e tjera. KOHA e pavarur nga ndikimet politike dhe financiare, me gazetari profesionale dhe kritike ndaj fenomeneve negative në Kosovën e brishtë, ende të pakonsoliduar si shtet.

Sfida që e kishim, dhe ende e kemi para vetes, është e madhe, por jo edhe e papërballueshme. Është betejë të cilën duhet shtyrë deri në fund me përkushtim, vullnet e dëshirë, dhe është betejë në të cilën ngadhënjimtare duhet të dalë e vërteta. Dhe si në çdo luftë, ata që i udhëheq ideali ecin tutje dhe ata që i shohin gjërat ndryshe, largohen. Legjitime, që të dyja zgjedhjet, ngase kështu e ka demokracia. E për një popull si yni, që ka jetuar i shtypur me dekada, demokracia është vlerë që duhet ushqyer dhe duhet ruajtur duke i mbrojtur parimet. Edhe nëse kjo nënkupton sulme të pareshtura e fushata injorimesh. Sepse kjo e vulos faktin se vazhdojmë të ecim rrugës së duhur dhe të drejtë.

Njëzet vjetët e televizionit janë pjesë e një historie të ndritshme të kompanisë sonë, dhe janë vetë histori. Televizioni, i cili nisi me përkrahjen e shtetit amerikan, dëshmoi se mund të mbijetonte tutje, për shkak se edhe në kushte anormale pune, ishte në gjendje të ishte aty ku duhej për të informuar në kohë reale. Këtë histori e kanë shkruar të gjithë, kush më shumë e kush më pak, që kanë qenë apo vazhdojnë të jenë pjesë e KTV-së. Secili e ka vendosur një gur në themelin e saj, për ta bërë atë shkëmb, që mbase edhe mund të lëkundet, porse që nuk mund të shembet.

Faza e re e zhvillimit të Kosovës si shoqëri, pandemia dhe konkurrenca e shprehur joluajale dhe vjedhja e vazhdueshme e përmbajtjeve tona nga të tjerët - na kanë pozicionuar në një situatë ku duhet të luftojmë edhe më shumë sesa më parë. Jemi e vetmja kompani njëmend mediale, që nuk ka biznese alternative që do ta përkrahnin. Mbase dikush do të thotë se ky nuk është veprim i mençur afarist. Mbase edhe nuk është. Porse kjo e pasqyron më së miri se pse KOHA është kjo që është: para 30 vjetësh, kur doli numri i parë i revistës KOHA, ajo u bë simbol rebelimi ndaj diktaturës. Sot KOHA është simbol i gazetarisë së pastër, simbol i rebelimit ndaj bastardimit të profesionit për interesa politikanësh e tyxharësh.

KOHA do të vazhdojë të ecë, në ndjekje të përhershme të teknologjisë dhe njohurive që do të na e mundësojnë përmbushjen e misionit tonë dhe ruajtjen e idealit tonë.

Urime ditëlindjen KTV!