Mes lajmeve të trishtueshme nga fronti i koronës, ndoshta shpëtimi i vetëm është ikja në botën letrare (Dostojevski!) dhe te një kasolle e formulimeve thumbuese (për matematikën dhe Pitagorën!)
Të dielën në orën 12:14 këta tituj binin në sy në mediat gjermane: Ministri i Brendshëm i Austrisë paralajmëron radikalizim të mëtejmë të kundërshtarëve të vaksinimit. Të shtunën në Vjenë protestuan mbi 40 mijë njerëz. Në Linz u arrestuan dy persona që dogjën një veturë policie. Ata pranuan se synonin të vrisnin dy policë. Rusia njoftoi se brenda 24 orësh, nga korona kanë vdekur 1252 veta. 36’970 janë infektuar. Në frontin e koronës ballafaqohen dy taborë: në njërën anë ata që nuk i besojnë shkencës, në anën tjetër ata që i besojnë shkencës dhe nuk u besojnë atyre që nuk i besojnë shkencës. Në një koment gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” bën thirrje: mjaft më me zbukurime naive të pandemisë. Stop me përhapje të dyshimeve më absurde të bazuara në thashetheme lidhur me vaksinimin dhe marrëzi të tjera, të cilat po i përhapin, fatkeqësisht, edhe aktorët, futbollistët dhe kabaretistët.
Koha e koronës është tepër e përshtatshme për lulëzimin e budallallëkut dhe teorive të konspiracionit. S’ka virus, s’është i rrezikshëm, vaksinat nuk sjellin gjë, mua s’më godet virusi, virusi është shpikje e industrisë farmaceutike – lista e marrëzive të tilla është e gjatë. Në shoqëritë e zhvilluara e të pasura po aq sa edhe në shoqëritë e varfra. Edhe në Gjermani, Zvicër e Austri, tri vende gjermanishtfolëse, numri i skeptikëve të koronës është i konsiderueshëm. Për t’iu kundërvënë teorive të tyre konspiracioniste, mjet i vetëm mbetet nganjëherë humori mendjemprehtë. Mes lajmeve të trishtueshme nga fronti i koronës, ndoshta shpëtimi i vetëm është ikja në botën letrare dhe te një kasolle e formulimeve thumbuese.
Maren Kroymann, humoriste 72-vjeçare gjermane, e ka arritur këtë përmes një spoti gjenial. Kroymann luan rolin e mohueses së fakteve matematikore. Hyn në librari, blen dy libra, të cilat kushtojnë mbi 40 euro, por shitëses ia paguan nja 15 euro. “Urdhëroni, në rregull është kështu”, thotë Kroymann. Jo, nuk është në rregull, sepse librat kushtojnë mbi 40 euro, përgjigjet shitësja. Pason një dialog. Maren Kroymann thotë se matematika është “shkencë e rrejshme” dhe llogaritja pjesë e “makinerisë kapitaliste”. Shitësja tund kokën dhe sërish thekson se logjika matematikore thotë se librat kushtojnë 40 euro. Mohuesja e matematikës thotë: “A ke qenë aty kur Pitagora i ka vendosur rregullat?” Absurdi në nivelin më të lartë, një mënyrë për të demaskuar adhuruesit e teorive të komplotit.
Shkëndijat e akullta të nëntorit – për shkak të jetës së kufizuar si pasojë e koronës – ndoshta bëhen më të ngrohta po qe se si lexues kridhemi në botën letrare klasike. Para 200 vjetësh, më 11 nëntor 1821, u lind Fjodor Dostojevski. Ai ishte kryengritës dhe kumarxhi, një krijesë kundërthënëse, rebel dhe revolucionar, besimtar dhe babëzi, gjigant dhe gjeni, nihilist dhe ateist. Për Sigmund Freudin romani “Vëllezërit Karamazov” i Dostojevskit është romani më i madh i historisë së njerëzimit. “Krimi dhe ndëshkimi” i Dostojevskit, sipas Thomas Mannit, është romani më i madh kriminalistik i të gjitha kohëve. Sipas Ernest Hemingwayt “te Dostojevski ka gjëra të besueshme dhe të pabesueshme, por disa prej tyre janë aq të vërteta, saqë gjatë leximit e ndryshojnë njeriun”. Jean-Paul Sartre ka thënë se fjalia te “Vëllezërit Karamazov” se “nëse nuk ka zot, atëherë çdo gjë është e lejuar”, paraqet pikënisjen e ekzistencializmit. Friedrich Nietzsche: “Dostojevski, i vetmi psikolog prej të cilit munda të mësoja diçka”. David Foster Wallace: “E veçanta e figurave të Dostojevskit është se ato janë të gjalla. (...) Figurat e tij më të mira jetojnë brenda nesh, përgjithmonë, nëse i takojmë njëherë”. Adhurues të tij ishin Vladimir Iliq Lenini dhe Joseph Goebbelsi, Albert Einsteini dhe Alfred Döblini (shkrimar i madh gjerman). Dhe miliona lexues anekënd botës. Është ndër shkrimtarët e rrallë që është përkthyer në 170 gjuhë.
Ka disa përkthime në shqip të Dostojevskit. Librat e tij mund të gjenden në libraritë e Prishtinës, ndoshta edhe në panairin e librit në Tiranë, por atje ekziston rreziku t’jua zënë rrugën politikanët që në pazarin e madh të librave duan t’i tregojnë publikut sa të dijshëm janë, sa të interesuar për botën letrare, mendore, reflektuese. Natyrisht kjo kastë politikanësh (e edhe diplomatësh perëndimorë) nuk harrojnë të nderojnë me praninë e tyre edhe ato promovime librash ku mund të ketë shumë kamera. Nga ky nder politikanësh autoret dhe autorët, por edhe botuesit, do të bënin mirë të hiqnin dorë.