Nëse nuk janë kriminelë apo terroristë, atëherë çka janë ata që morën pjesë në përleshjen e armatosur me policinë maqedonase në Kumanovë më 2015? Ky aksion nuk ka asnjë element patriotik, këtë e thonë edhe disa politikanë udhëheqës shqiptarë në Maqedoni. Nëse janë terroristë, këtë le ta dëshmojë gjykata (rasti nuk është përmbyllur ende). Ekzistojnë dyshime se tmerri, ku u vranë 18 veta dhe u shkatërruan mbi 10 shtëpi, është një inskenim, në të cilin verbërisht janë bërë pjesëmarrës disa persona nga Kosova, shumica me biografi kriminale. Disa nga të akuzuarit gjatë procesit pranuan se janë nxitur apo mashtruar nga shërbimet maqedonase. Kosova duhet të interesohet për shtetasit e saj, por atyre nuk ju ka asnjë borxh për t’i vendosur në piedestalin e heronjve, sepse s’janë të tillë.
Për rastin e Kumanovës nuk ia vlen asnjë shtyrje me bërryla për poenë politikë dhe kinse patriotikë, siç po bëhet në Kuvendin e Kosovës. Më 2015 një grup personash nga Kosova, shumica me biografi të zeza, të lidhur me krim e mizori të tjera në Kosovë, shkuan në Maqedoni për t’u përballur me policinë e atjeshme. Së pari tentuan të shkojnë në një fshat shqiptar, nga ku u përzunë nga banorët, të cilët prej tyre nuk prisnin asnjë të mirë.
Pastaj u vendosën në një lagje të Kumanovës. Disa banorë të lagjes ikën një natë më herët, para se të fillonte përleshja. Disa mbetën. Ata që ikën me gjasë e dinin se çka po përgatitej. Disa nga “trimat” e Kumanovës kishin lidhje të thella me rrjete të drogës deri në Spanjë. Disa kishin qenë luftëtarë të UÇK-së, por pas luftës u futën në fushën e krimit të organizuar dhe shantazhit. Disa prej tyre njiheshin në Gjakovë si persona tejet problematikë që kishin terrorizuar qytetin. Pas vrasjes së tyre, kishte njerëz në Gjakovë që të lehtësuar morën frymë thellë.
A ishte gjendja e shqiptarëve në Maqedoni më 2015 aq e keqe, saqë duhej një përleshje e tillë e armatosur në Kumanovë? Jo. Me këtë aksion “deshën të na e lënë kopilin në derë”, thoshte atëbotë një politikan shqiptar i Maqedonisë, pa dashur të tregojë më shumë. Duket se ishte një lojë shërbimesh sekrete. Në Maqedoni kryeministri Nikolla Gruevski kishte nevojë për eskalim të situatës për të neutralizuar protestat e opozitës së atëhershme. Në Kosovë kishte politikanë me sfond të luftës që kishin interes të heqin qafe disa nga personat e këtij grupi, të cilët ishin bërë të rrezikshëm dhe mund të ishin edhe dëshmitarë potencialë në ndonjë proces gjyqësor.
A ishin këta njerëz që shkuan në Kumanovë patriotë? Ndonjëri mund të ketë vërtet merita gjatë luftës në Kosovë apo Maqedoni, por në rastin e Kumanovës asnjëri prej tyre nuk mund të konsiderohet patriot. Mund të ketë pasur edhe njerëz naivë që për interesa financiare u nisën drejt kësaj aventure. Por shumica motiv kryesor kishin ambiciet kriminale.
A janë këta njerëz terroristë? Le ta thotë gjykata mendimin e saj përfundimtar (rasti nuk është përmbyllur ende). Nëse s’i pëlqen ndokujt vendimi i gjykatës maqedonase, pse nuk merret edhe drejtësia e Kosovës me këtë rast? A nuk është e dënueshme pjesëmarrja në aksione të armatosura jashtë vendit?
Në debatet e zhvilluara mes politikanëve të Kosovës lidhur me këtë rast nuk ka aspak sinqeritet dhe interes për të zbuluar të vërtetën. Ka popullizëm primitiv të opozitës dhe të pushtetit. Nëse ky grup shihet si pararojë patriotike, a domethënë kjo se politikanët e Kosovës edhe në të ardhmen mund të tolerojnë grupe të tilla për të shkuar në vendet fqinje për aksione të armatosura? Kjo çështje është aq serioze, saqë retorika flakëruese patriotike nga foltorja e Kuvendit të Kosovës është krejtësisht joproduktive dhe e rrezikshme.
Dhe kjo sjellje nuk është fare e re. Kur u dënuan pjesëtarët e “Grupit të Kumanovës” më 2017, Kosova tërhoqi ambasadorin nga Shkupi. Në Prishtinë, Pejë e Gjilan pati protesta, me ç’rast u dogjën flamuj maqedonas. Dy javë para sulmit i njëjti grup kishte atakuar një stacion policie në brezin kufitar me Maqedoninë. Në përleshjen e Kumanovës u vranë 18 persona, 39 u arrestuan, mbi 10 shtëpi u shkatërruan. Gjatë procesit disa të akuzuar thanë se donin të luftonin kundër “shtypjes së shqiptarëve”, të tjerët thanë se ishin mashtruar dhe nxitur nga funksionarët e shërbimit sekret maqedonas. Një revistë maqedonase theksoi se faktorë shtetërorë maqedonas kishin bashkëpunuar me një “spin doctor” francez në planifikimin e një “incidenti”. Kosova duhet të interesohet për shtetasit e saj, por atyre nuk ju ka asnjë borxh për t’i vendosur në piedestalin e heronjve, sepse s’janë të tillë.