Një përpjekje perfide për të fabrikuar të vërtetën historike rreth luftës në Kosovë është duke ndodhur në vazhdimësi nga ana e autoriteteve të Serbisë, ndërsa në Kosovë institucionet heshtin.
Qeveria e Serbisë e Aleksandar Vuçiqit, një nacionalisti radikal të kthyer brenda natës në proevropian e të adhuruar nga Brukseli e shumë kryeqytete të tjera, tashmë hapur po i mbron kriminelët e luftës të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për vrasje masive të civilëve shqiptarë, fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur. Rasti i gjeneralit Vladimir Lazareviq është vetëm i fundit që dëshmon se zyrtarët në Beograd edhe më tutje mbeten të bindur se atë që ua kanë bërë Kosovës dhe shqiptarëve në vitet 1998 dhe 1999 nuk ishte kurrfarë krimi, por një veprim “heroik”, me të cilin i vetmi problem është se nuk e arriti qëllimin e tij final – zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, qoftë përmes vrasjes, qoftë përmes dëbimit.
Sot ministrat serbë, si ai i Jashtëm, Ivica Daçiq, dhe ai i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, por edhe kryeministrja Ana Brnabiq dhe i gjithë kabineti i saj, që natyrisht se është nën komandën e mbretit të pakurorëzuar të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, flasin gjithandej për të bëmat “heroike” në Kosovë të gjeneralëve serbë si Lazareviqi apo shefi i tanishëm i Shtabit të Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq.
Mohojnë viktimat shqiptare, ndërsa ata shqiptarë që guxuan të kapnin armët rëndom i quanin “terroristë”, njëjtë siç i quante vetë Slobodan Milosheviqi, për të cilin pjesë të qeverisë serbe, si puna e Daçiqit, edhe më tutje shprehin respektin dhe admirimin më të madh, duke deklaruar madje, pa fije turpi, se meritat e Milosheviqit – që të tjerët në rajon i kanë vuajtur me gjak, djegie e përndjekje të përmasave biblike - për serbë do të duhej të shpërbleheshin me çmimin “Nobel”!
Çka të themi? Çmimin “Nobel” për krime lufte, ndoshta?
* * *
Por, nuk është asgjë e re puna e mohimit të krimeve të kryera nga establishmenti i Serbisë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe para luftës së fundit, që nga koha e luftërave të viteve 1878, 1912, dhe 1941. Dhe ka ndodhur në mënyrën më neveritëse edhe tani, pas luftës së fundit, në Serbinë e cila veten e quan demokratike.
Nuk është asgjë e re, sepse, përveç nesh, që jemi dëshmitarë ende të gjallë të gjithë asaj që ndodhi në Kosovë, fakte të shumta janë nxjerrë në dritë nga shumë anë, prej organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si puna e “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International”, e deri tek ata pak aktivistë e OJQ të guximshme në vetë Serbinë, si Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiqit, që edhe më tutje hetojnë dhe raportojnë faktet për krimet e kryera në Kosovë. Janë dhe gazetarët perëndimorë, me qindra të tillë, nga mediat më të renomuara, prej amerikaneve “The New York Times”, “The Washington Post”, AP e CNN, deri te evropianet, Reuters, BBC, “The Guardian”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Le Monde”, “Neue Zuricher Zeitung”, e qindra media të tjera, vetëm përmendja e të cilave do të merrte gjithë faqen e gazetës.
Dëshmi të shumta ka edhe në vetë Kosovën, ku ende janë të gjallë qindra e mijëra njerëz që kanë shpëtuar nga duart e forcave kriminale të Milosheviqit, ndërsa një numër dëshmish, edhe material, edhe individuale, mbeten të deponuara në arkivat e Tribunalit të Hagës, ku ka pasur disa dënime të krerëve serbë për krimet që kanë kryer kundër shqiptarëve në Kosovë.
Meqë i përmendëm, të përkujtojmë edhe një herë: u dënuan zëvendëskryeministri serb i Jugosllavisë, Nikola Shainoviq, me 22 vjet burgim, shefi i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Dragolub Ojdaniq, me 15 vjet burgim, komandanti i Korparmatës së Tretë, Nebojsha Pavkoviq, me 22 vjet burgim, komandanti i Korparmatës së Prishtinës, Vladimir Lazareviq, me 15 vjet burgim, dhe shefi i Policisë së Serbisë për Kosovën, Sreten Lukiq, me 22 vjet burgim.
Të gjithë këta janë shpallur fajtorë për një “fushatë të gjerë të dhunës të drejtuar kundër popullatës civile shqiptare të Kosovës dhe të kryer nga forcat nën kontrollin e autoriteteve (jugosllave) dhe serbe, gjatë të cilave ka pasur raste të vrasjeve, dhunimeve seksuale dhe shkatërrimit të qëllimshëm të xhamive”. Haga vërtetoi se veprimet e këtyre krerëve të shtetit serb kanë shkaktuar vrasjen e mijëra civilëve shqiptarë të Kosovës dhe dëbimin e më se 700.000 të tjerëve mes muajve mars dhe qershor 1999.
Fakte që nuk mohohen janë këto.
E megjithatë, Serbia e Vuçiqit i mohon…
* * *
… ndërsa Kosova hesht.
Përveç ndonjë komenti në Facebook, apo ndonjë deklarate të vakët sa për sy e faqe nëse i pyesin, politikanët kosovarë, shumica e atyre edhe në pushtet, edhe në opozitë, nuk e shohin çështjen e mohimit të krimeve nga Serbia si problem të tyre.
Mos të flasim për institucionet – Presidenca, Qeveria, Kuvendi…
Në asnjë rast, në asnjë mënyrë, shteti i Kosovës nuk e ka bërë punën e vet për të ndjekur drejtësinë për krimet që janë kryer ndaj qytetarëve të këtij vendi, vetëm sepse ishin shqiptarë.
Përveç deklaratave pompoze për ngritje padish, ata që thonë se e udhëheqin këtë shtet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor për të detyruar Serbinë që të hapë dosjet e veta, të tregojë të vërtetën për mijëra të pagjetur, për të pranuar përgjegjësinë shtetërore dhe institucionale për krimet e kryera nga forcat e shtetit serb, për të dorëzuar të dyshuarit që të gjykohen, apo qoftë edhe për të paguar dëmshpërblimin për djegiet dhe shkatërrimet që kanë bërë.
Dhe, më shumë sesa tentim vrasja serbe e së vërtetës, barra që po e kemi vështirë ta bartim gjithë këto vite është mohimi i së kaluarës së tmerrshme prej vetë shtetit tonë!
Një e vërtetë e trishtë kjo!