Serbia e Aleksandër Vuçiqit, e cila tashmë gati një vit po përballet me një revoltë popullore kundër korrupsionit dhe krimit qeveritar, e zgjodhi 20 shtatorin për të demonstruar forcën ushtarake me një paradë militariste në Beograd. Ky parakalim u mbajt, siç u tha, si kurorëzim i ditës së “unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar”, që shënohet më 15 shtator.
Dy orë larg Beogradit, në Vukovar të Kroacisë, 20 shtatori mbahet në mend si dita kur më 1991 nisi rezistenca e armatosur e luftëtarëve kroatë kundër agresionit serbomadh. Për tre muaj me radhë ushtria e serbizuar jugosllave, forcat paramilitare dhe kriminelë të tjerë të komanduar nga Beogradi e goditën brutalisht Vukovarin, duke shkaktuar mijëra viktima civile dhe duke e bërë gati rrafsh me tokë një qytet me arkitekturë baroke. Vukovari u qëllua çdo ditë me deri në 7000 predha.
Kur u futën në qytet më 18 nëntor 1991, ushtarët dhe paramilitarët serbë arrestuan edhe pacientët e spitalit të Vukovarit, mbi 200, të cilët i dërguan në një kombinat bujqësor në periferi të qytetit. Aty i pushkatuan të gjithë. Sot në vendin e krimit gjendet një muze që kujton viktimat. Mes shumë emrave gjenden edhe disa shqiptarë të Vukovarit të vrarë nga soldateska e Beogradit.
Në tmerrin e Vukovarit shqiptarë kishte gjithandej, në të gjitha frontet. Kishte shqiptarë që banonin e jetonin në Vukovar dhe që u vranë nga ushtarët serbë. Kishte shqiptarë që iu bashkuan forcave kroate për të mbrojtur qytetin. Dhe kishte rekrutë shqiptarë që kishin mbetur në armatën jugosllave dhe të cilët zhvillonin betejën e jetës së tyre: si të iknin nga kjo ushtri dhe të shpëtonin kokën? Oficerët serbë i kanë shitur për para të majme kokat e ushtarëve shqiptarë.
Me paradën e tij ushtarake Vuçiq dërgon dy mesazhe kërcënimi. I pari drejtohet kundër fqinjëve. I dyti: kundër studentëve dhe përkrahësve të tyre të shumtë në Serbi, të cilët po protestojnë që nga nëntori i vitit të kaluar kundër krimit dhe korrupsionit. Shkas i protestave u bë rrëzimi i një pjese të pullazit të stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 njerëz të pafajshëm. Si asnjëherë më parë gjatë viteve të tij të sundimit, Vuçiq po përballet me një revoltë popullore, e cila ka dridhur themelet e pushtetit. Më 15 mars të këtij viti lëvizja protestuese në Serbi arriti të nxjerrë në rrugët e Beogradit rreth 300 mijë veta. Që nga atëherë Vuçiq është bërë edhe më paranojak sa i përket fundit të regjimit të tij. Prandaj qëllimi i tij është që me çdo kusht të minimizojë masivitetin e protestave. Për këtë qëllim ai keqpërdori edhe ushtrinë.
Parada militariste serbe ishte edhe një mesazh i qartë në drejtim të Bashkimit Europian: Serbia e Vuçiqit as në mënyrë deklarative nuk beson në vlerat europiane. Në tribunë Vuçiq ishte i rrethuar nga disa burra me veshje tradicionale arabe. Mes tyre, më prominenti ishte kryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohamed Bin Zajed al-Nahjan. Të marrësh pjesë në një paradë ushtarake të një shteti që ka përkrahur jo vetëm me logjistikë gjenocidin ndaj rreth 8000 boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë, e cila gjendet vetëm 211 kilometra larg Beogradit, tregon shumë për standardet e mysafirit mbi të drejtat e njeriut. Për solidaritet me myslimanët as që ia vlen të flitet. Ai nuk ekziston.
Sipas një hulumtimi të platformës BIRN, në gjysmën e parë të vitit 2025 Serbia eksportoi në Izrael municion me vlerë prej rreth 55,5 milionë euro - më shumë sesa gjatë gjithë vitit të kaluar, kur eksporti arriti në një rekord prej 47,9 milionë euro. Sipas ekspertëve për të drejtat e njeriut disa nga këto armë përdoren edhe në Gaza. Në paradën e Beogradit, Mohamed Bin Zajed al-Nahjan dukej krejt i qetë, madje edhe duartrokiti.