OpEd

Plumbi i mesnatës dhe pasojat

Si nisi karriera e Louis Armstrongut dhe disa çudira të tjera në parqet e Vjenës, ku më 1913 mund të ishin takuar Hitleri, Stalini dhe Titoja

1.

Më 4 gusht 1901 ose 21 muaj pasi filloi shekulli i ri, shekulli i 20-të, i cili solli luftëra dhe përparim marramendës të botës, ndarje në blloqe e përplasje ideologjish, ngjitje në hënë dhe zbritje në humnerat njerëzore, pra më 4 gusht 1901 u lind në New Orleans, Louis Armstrongu. Bota e re nuk ishte aq optimiste për Armstrongun: e ëma e tij nuk ishte e moshës madhore kur e lindi dhe ngjashëm si babai nuk bëhej aq merak për foshnjën. Armstrongu u rrit te gjyshja. Ishte, siç mund të themi në dialektin kosovar, një fëmijë i “halitshëm”. Më 31 dhjetor 1912, pak javë pasi Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, Kosova kishte mbetur jashtë saj dhe Ballkani gjendej para luftërave të reja, Armstrongu po festonte natën e vitit të ri në Amerikën e largët. Këto dy ngjarje, pavarësia e Shqipërisë dhe viti i ri i Armstrongut, nuk kanë asnjë lidhje kauzale, këtu përmenden vetëm si fakt kronologjik. Pak sekonda pas mesnatës, më 1 janar 1913, Armstrongu rroku revolen e xhaxhait dhe e përshëndeti vitin e ri me dy të shtëna në ajër. Dy të shtëna me pasoja. Armstrongu, 12-vjeçar, u arrestua nga policia dhe u dërgua në një qendër riedukimi. Por, edhe aty ai mbeti një djalë i “halitshëm”, konfliktnxitës dhe ngatërrestar. Drejtori i qendrës së edukimit, Peter Davis, mendoi se është ide e mirë që Armstrongut t’ia dhurojë një trumbetë (trombë, bori). Tash Armstrongu prekte metalin e veglës muzikore, jo metalin e revoles. Gishtat që prekën revolen, tani nxirrnin nga metali tinguj që së shpejti do të hynin në histori. Dhe Armstrongu do të bëhej njëri prej trumbetarëve më të famshëm të historisë. Kurrë mos e nënçmoni një të shtënë në ajër. Ose dy.

2.

Nuk ka asnjë dëshmi se janë takuar, por e dokumentuar është se në muajt e parë të vitit 1913 në Vjenë kanë qëndruar Adolf Hitleri, Josif Stalini dhe Josip Broz Titoja. Mund të kenë shëtitur në parkun e njëjtë, mund të kenë frekuentuar kafenetë e njëjta dhe mund të kenë ecur bulevardeve të njëjta. Por s’janë takuar. Çfarë do t’i kishin thënë njëri-tjetrit këta tre persona – dy prej tyre kasapë të ardhshëm kryesorë të shekullit 20, i treti diktator i ardhshëm mizor? Hitleri do të fliste, me gjasë, për planet e tij për t’u bërë piktor i famshëm. Stalini do të tregonte për shkathtësitë e tij në lojën e shahut. Titoja do t’i lavdëronte cilësitë e veturave “Mercedes”. Ai kishte ardhur në Vjenë për t’i testuar veturat e famshme gjermane. E dashura e tij e radhës quhej Liza Spuner, e cila Titos ia paguante orët e ushtrimit me skermë. Për ata që nuk e dinë çfarë është skerma: lloj sporti, në të cilin bëhen ushtrime dhe ndeshje me shpata të posaçme për të mësuar përdorimin me shkathtësi të armëve të bardha.

3.

Më 1 maj 1913, Oskar Kokoschka, piktor nga Vjena, i shkroi Alma Mahlerit: “Dita e sotme nuk është e lehtë për mua, sepse s’kam marrë letër prej teje”. Oskar Kokoschka dhe Alma Mahler – kjo është një histori e trishtueshme dhe tragjike. Andaj këtu duhet bërë një kapërcim kohor: më 1939 në Londër, Oskar Kokoschka do të takojë një shqiptar. Jo një dosido, por një burrë zotni. Emri i tij: Çatin Saraçi. Diplomat në përfaqësinë e Shqipërisë në Londër. Piktor. Kokoschka pati ndikim të madh në veprën e Saraçit. Miqësia e tyre qe e madhe. Aq e madhe, saqë Oskar Kokoschka i bëri një portret Çatin Saraçit. Kokoschka ishte kundërshtar i madh i nazizmit, ai ishte i traumatizuar nga Lufta e Parë Botërore dhe nuk dëshironte të jetonte në Austri në një atmosferë agresive politike, andaj iku në Londër. Deviza e tij e angazhimit ishte kjo: me humanizëm kundër barbarisë! Ndërsa pikturat e tij shpalosen gjithandej botës, trashëgimia letrare e Kokoschkas gjendet në Bibliotekën Qendrore të Zürichut: panorama, dorëshkrime, partitura, letra dashurie, një ekzemplar i veprës “Orfeu dhe Euridika”, vizatime etj.

4.

“Jeta është e shkurtër dhe Prousti i gjatë”. Kështu shkroi shkrimtari, nobelisti dhe intelektuali francez, Anatole France, në vitin 1913, pas botimit të vëllimit të parë të romanit “Në kërkim të kohës së humbur” të Marcel Proustit. Pas vëllimit të parë do të botoheshin edhe 6 vëllime të tjera. Anatole France kishte të drejtë. Andaj, edhe kjo kolumne përfundon këtu. Mjaftojnë pak rreshta për t’i përshkruar Louis Armstrongun, Stalinin, Hitlerin, Titon, Çatin Saraçin, Oskar Kokoschkan dhe Marcel Proustin.