OpEd

S'di çka thotë njeri

Nuk e di njeri se çka thotë kur e sheh se çfarë jete bën në këtë Kosovë të mjerë e të nëmur. I kemi humbur 20 e kusur vjet shumë të çmueshme dhe do të na marrin bile edhe aq, nëse jo më tepër, që të këndellemi nga filozofia e zaptimit të gjithçkaje në emër të luftës

Po të kishte ekzistuar mundësia që e gjitha të fshihej e të niste nga e para prej 12 qershorit 1999-s, a thua do të kishim ditur të silleshim ndryshe, apo do të na përsëritej kjo që na ka ndodhur këta 21 vjet? Pyetje hipotetike që fsheh pas shumë dëshira, porse edhe një konstatim, e besoj shumë të shëndoshë, se gjërat është dashur të kenë qenë ndryshe. Dhe shansin i cili na u fal, nuk ditëm ta shfrytëzonim për të mirën tonë.

Pandemia e ka marrë një hov që nuk e di se si do të ndalet. Numri i të infektuarve në dy javët e fundit e kapërcen 700-in për çdo ditë, kurse vdekjet po numërohem me dhjetëra. Premtimi pompoz i Qeverisë së 3 qershorit ka mbetur vetëm pompozitet, i përcjellë me një kaos vendimesh që nuk ia gjen njeriu logjikën.

Dje u shënua i ashtuquajturi "Black Friday", një shpikje amerikane e orientuar nga konsumi dhe afarizmi, i cili ndodh të nesërmen nga Dita e Falënderimeve që është festë nacionale në SHBA. Ne, në këtë anë të botës, as nuk kemi gjë të përbashkët me pelegrinët anglezë, e as me qurat tradicionale, e as me festën e tyre. Nuk e di nëse është thjesht dëshirë e madhe për ta imituar një traditë amerikanë për t'u dëshmuar më properëndimorë apo se kemi rënë në grackën e konsumizmit - pra blerjen pa kokë të gjërave që ofrohen me zbritje në një ditë të caktuar viti.

Cilado që të jetë, ajo që kjo festë solli dje qe një tollovi të jashtëzakonshme para qendrave tregtare, ku njerëzit numëroheshin me qindra, madje edhe mijëra, duke pritur në rend, apo edhe duke u shtyrë përbrenda ndërtesave të tregtisë, pa asnjë masë mbrojtëse. Duke qenë ditë e paralajmëruar qe bile nja dy javë nëpërmjet reklamave televizive, pushteti është dashur ose ta ndalonte të "premten e zezë", ose t'i mbyllte qendrat tregtare.

Pas kësaj së djeshmes, absolutisht asnjë logjikë nuk ka kufizimi i lëvizjes nga ora 19:00. As zona e kuqe, as asnjë send pos mbajtjes së maskës. Sepse ai që e ka marrë virusin në qendër tregtare e ka marrë paradite dhe gjithë pasditen deri në orën 19:00 ka mundur ta shpërndante në qytet, e pas orës 19:00 edhe në shtëpi.

Gjendja është alarmante, e tha ministri para disa ditësh. Po del se është shumë më alarmante seç duam ta pranojmë.

* * *

Ndërkohë, Qeveria i ka "shpëtuar" nja 47 milionë - për të cilat thotë se janë kursime, dhe menjëherë i ka shpërndarë nëpër ministritë përkatëse. Nuk e di për çfarë destinimi, por shumë më të dobishme do të ishin për sektorin privat të Kosovës, qoftë edhe si ndihmë e njëhershme. Sepse ligji i famshëm dhe historik i rimëkëmbjes nuk doli në rend dite në Kuvend javën që e lamë pas. Po të kishte dalë, me siguri se nuk do të kishte pasur kuorum as për ta mbajtur seancën e lëre më për ta votuar.

E në lidhje me ligjin, dje u deklarua kryeministri dhe premtoi se ligji "do të kalonte javën që vjen". Mbase ia ka dalë të merret vesh me partitë opozitare dhe mbase edhe do ta heqë pjesën e Trustit nga ky ligj. Por, me supozimin se kjo marrëveshje nuk ekziston, dhe ligji sërish nuk kalon, a do të japë dorëheqje?

Apo do ta presë ndonjë vendim eventual të Kushtetueses, i cili mbase mund të vendosë që zgjedhja e Qeverisë së tij nuk ka ndodhur për shkak të dy votave diskutabile: një të deputetit që në çastin e votimit nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë deputet dhe tjetri i cili publikisht në seancë kishte deklaruar se mendjen për të votuar këtë qeveri ia kishin ndërruar Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi. Do të jetë interesante të shihet se çfarë vendos Kushtetuesja, edhe pse nuk do të duhet befasuar nëse sërish na del me ndonjë interpretim "kreativ" dhe e shpall votimin antikushtetues dhe zgjedhjen e Qeverisë kushtetuese me të njëjtin vendim.

E kur jemi te deputeti pishmanxhi, lajmin e javës e shënoi emërimi i të birit të deputetit Shala për konsull të përgjithshëm të Kosovës në Pragë. Pra, në një vend ku tashmë kemi ambasadë dhe nuk do të duhej të kishte konsullatë të përgjithshme. Pra, sikurse tashmë e kishim parë me emërime në misionet në Romë e New York, një post diplomatik kushton një votë në Kuvend. Shteti i shndërruar në pazar, në interesa të imëta që duhen plotësuar mbi shpinën e krejt popullit.

Porse për fat të keq nuk është vetëm i biri i Shalës ai i cili është emëruar në këtë formë në shërbimin diplomatik. Kanë qenë një seri shkrimesh që i kishte botuar KOHA Ditore para disa vjetësh, ku tregohej lidhja familjare mes politikanëve dhe një numri të madh të emëruarish nëpër misione.

Nuk e besoj se Vjosa Osmani do të ketë mjaft kohë për t'i rishikuar krejt vendimet e kundërligjshme që i ka nënshkruar Hashim Thaçi edhe më herët, e sidomos këto disa ditë para se të dërgohej në Hagë. Kush e di se edhe sa emërimi skandaloz do të zbulohet në ditët në vijim. Porse atë që bëri para dy ditësh qe fantastike: i anuloi katër vendime për emërime konsujsh të përgjithshëm në katër vende ku as konventat ndërkombëtare nuk e lejojnë ekzistimin paralel të ambasadës dhe konsullatës së përgjithshme në kryeqytetin e vendit nikoqir. Dhe, siç edhe shumë sende që nuk na befasojnë, edhe pas këtij vendimi u çua njëri nga konsujt e jashtëligjshëm, të deklaronte se nuk e pranonte vendimin e Osmanit. Me këtë e tregoi gjithë naivitetin e tij - ngase raportet diplomatike mes dy shteteve nuk prishen për një konsull. Mjafton që Kosova t'i thotë Maqedonisë se ky njeri nuk i përfaqëson interesat e saj atje dhe që ky të mbetet atje vetëm si turist.

Në teori, Osmani i ka edhe pesë muaj mandat. Mbase edhe më pak, varësisht se a merren vesh për zgjedhjen e kryetarit apo jo. Për fat të keq, shumë pak kohë për të sjellë pak rend në zyrën më hermetike që ka pasur Kosova ndonjëherë.

* * *

Edhe javën e kaluar shkrova se nuk po mund të besoj se si në këtë krizë edhe shëndetësore, edhe ekonomike e edhe politike - e vetmja temë diskutimi që mbërrin në majë është se kush po zgjidhet kryetar shteti.

Shumëkush, po dëgjoj, po më thotë se shumëçka do të varet nga zgjedhjet në Podujevë. Se nëse LDK-ja e humb një nga bastionet e veta, do të dëshmohet se e ka humbur edhe përkrahjen pas fizkulturave që i bëri sivjet me hyrje në një Qeveri, me krijimin e një tjetre, duke e rrëzuar veten dhe duke e anatemuar Vjosa Osmanin që e pati bartëse të listës.

Pra, po thuhet, nëse ndodh kjo, atëherë LDK-ja do të afrohet edhe më shumë me PDK-në, së cilës mund t'ia ofrojë sërish postin e kryetarit të shtetit, me kusht që i siguron edhe votat e Listës Serbe, pa të cilat kryetari nuk mund të zgjidhet. Së paku jo një kryetar partiak. Tjetër temë do të ishte një kryetar konsensual - ama kjo e fundit është thuajse një utopi në këtë konstelacion politik.

Punët po na shkojnë lëmsh e më lëmsh. Financiarisht jemi duke u fundosur, ani pse krijojmë tollovi nëpër qendra tregtare - sepse megjithatë, shumica e njerëzve këtu nuk e kanë luksin as për të dalë të vetëshërbim, e lërë më në qendër tregtare.

* * *

Andej kah Haga së shpejti duhet të merret vendimi nëse do të zgjatet paraburgimi për katër të arrestuarit që u dërguan në burg brenda dy ditësh nga fillimi i muajit nëntor. Nuk është absolutisht asnjë kënaqësi të shihet se si i nënshtrohen një gjykimi të këtij lloji një ish-kryetar shteti, dy ish-kryeparlamentarë dhe një shef grupi parlamentar. Është pasqyrë shumë e dëmshme për Kosovën, aq sa të na konsiderojnë ligë të dytë në raporte ndërkombëtare.

Sikurse bëri Lajçaku që i çoi letër Hotit duke iu ankuar se përse nuk i ishte dhënë leja Vuçiqit që të shëtitej nëpër Kosovë. Dhe duke e akuzuar se kështu shkelej e drejta e lëvizjes së lirë. Nuk e dëgjova të ketë nisur letër në Beograd për t'i thënë Vuçiqit se është denigruese dhe segreguese t'i detyrosh luginasit t'i ndërrojnë targat e regjistrimit sa herë kalojnë prej këtu atje; apo edhe të ta japin një copë letër në kufi, për të t'i evidentuar lëvizjet nëpër Serbi. Nuk mund ta besoj se ende nuk mund ta kuptojë se t'u flasësh për lëvizje të lirë atyre që të vetmit në Evropë nuk e kanë atë, është ofendim edhe më i madh.

Nuk e di njeri se çka thotë kur e sheh se çfarë jete bën në këtë Kosovë të mjerë e të nëmur. I kemi humbur 20 e kusur vjet shumë të çmueshme dhe do të na marrin bile edhe aq, nëse jo më tepër, që të këndellemi nga filozofia e zaptimit të gjithçkaje në emër të luftës.

[email protected]