Si e pushtoi botën e ambientalistëve një lumë shqiptar. Dhe pse presoni ndaj Qeverisë shqiptare duhet të vazhdojë
Gianni Granzotto (1914-1985) ka qenë një gazetar i famshëm italian. Në vitet 1950 ai punoi si korrespondent i televizionit italian RAI nga New Yorku. Pastaj shkroi për gazeta e revista italiane, ndërsa më 1976 u emërua president i ANSA-s, agjencia italiane e lajmeve.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Gianni Granzotto u dërgua në jug të Shqipërisë si pjesë e forcave ushtarake italiane që po përpiqeshin të depërtonin në Greqi. Gjatë asaj kohe ai mbajti shënime në një bllok. Vite më vonë bllokun që e mendonte të humbur e gjeti në arkën e tij ushtarake. Bazuar në këto shënime Granzotto shkroi librin “Vjosa ime e dashur” (Vojussa, mia cara), një dokument i rëndësishëm mbi luftën italo-greke që u zhvillua në jug të Shqipërisë dhe ku u vranë mijëra ushtarë të të dyja palëve. Kjo luftë i ka shërbyer Ismail Kadaresë si burim për të shkruar romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në vijim një pjesë nga ditari i Gianni Granzottos (përkthyer në shqip nga Liri Lubonja): Para dy ditësh, nëpërmjet monopatit të Tepelenës erdha shëndoshë e mirë pasi kalova me vrap nën sytë e grekëve copëzën e urës romake. Sot më takoi të varros një ushtar, i cili u qëllua tamam në atë pikë nga shpërthimi i një granate, ndërsa kalonte mbrëmë me shokë të tjerë në shërbim furnizimi.
Kapiten Altieri dërgoi të më thërrisnin. Më caktoi një skuadër këmbësorësh për transportimin e kufomës dhe për nderimet: “Vish uniformën më të mirë që ke, - më urdhëroi. – Të vdekurit duhen respektuar!”
Me rripin e helmetës nën mjekër dhe me fashën e kaltër udhëhoqa korteun e vogël deri në një kopsht të mbrojtur, pas një muri të një shtëpie të rrënuar. Katër ushtarë me kazma e lopata hapën gropën. Dy të tjerë mbanin thesin prej pëlhure të ashpër ngjyrë ndryshku, brenda të cilit ishte i vdekuri: pak i mbledhur, me gjunjët që formonin një gungë nën pëlhurë.
Përpara se ta zbrisnim në varr, zgjidha grykën e thesit dhe vura brenda një shishe bosh, ku kisha futur copën e letrës në të cilën ishte shkruar emri i tij: Këmbësori Umberto Pati, 23-vjeç, i regjimentit nr. 37 të Divizionit të Modenës. Gropa u mbulua me baltën e nxjerrë, të kuqe, të lagësht. Rreshtova skuadrën për nder armë. Unë nderova me dorën në helmetë.
Qëndrova pa lëvizur disa çaste duke vështruar i përqendruar atë tokë gjak të kuqe, të porsahapur. (...) Umberto Pati mbeti aty i vetëm. Ne ikëm në rresht, me këpucët me qafa që krikëllinin në rrugën e gurtë”.
“Vjosa ime e dashur” tani mund të përdoret si slogan i ambientalistëve në mbarë botën – në mbrojtje të lumit të Vjosës në Shqipëri. Duket se Vjosa është lumi i fundit i paprekur në Evropë. Gjithkund në Evropë (dhe më gjerë) lumenjtë drejtohen, gërryhen, ndërtohen diga për hidrocentrale, plaçkiten. Kështu lumenjtë burgosen dhe rrjedha e tyre e natyrshme pengohet nga dora e njeriut dhe vullneti i qeverive për të ndërhyrë në natyrë dhe për të nxjerrë sa më shumë përfitime. Për lumin e Vjosës janë shkruar poezi. Për Vjosën kanë kënduar këngëtarë polifonie. Vjosa ka qenë inspirim artistësh. Por Vjosa prej vitesh është e rrezikuar. E rrezikuar nga ambiciet e Qeverisë shqiptare që mbi të të ndërtojë hidrocentrale.
Për të shpëtuar Vjosën janë angazhuar ambientalistë nga Evropa si gjermani Ulrich Eichelmann nga organizata “RiverWatch” me seli në Vjenë. Vjosa është 200 kilometra e gjatë, buron në Greqi dhe rrjedh nëpër Shqipëri deri në Mesdhe. Një mbretëreshë mes lumenjsh. Sipas Living Planet Report, që nga vitet 1970 numri i gjallesave në lumenj dhe zona të lagështa ka rënë për 84 për qind. Një rënie dramatike.
Në lumin e paprekur të Vjosës, sipas Ulrich Eichelmann, mund të studiohet se çka bën natyra e pavërejtur nga njeriu: miliona kërmij pastrojnë ujin. Valë lumi i imtësojnë gurët e shkëmbinjve dhe kështu krijohet rëra për plazh.
Ka shqiptarë që duan ta mbrojnë Vjosën. Për shembull Golik Jaupi, një këngëtar polifonik, i cili dikur ka kënduar edhe në festivale në Francë. Në një shkrim të gjatë të gazetës gjermane DIE ZEIT për Vjosën Jaupi thotë: “Çka e ka falur zoti, njeriu duhet ta ruajë”. Jaupi nuk ka pranuar t’ua japë dorën investitorëve që donin të ndërtonin një hidrocentral në lumin e Vjosës. Dhe kjo s’kishte të bënte me pandeminë. Jaupi thotë: hidrocentralet “nuk po na e sjellin dritën, por terrin”.
Një hero tjetër shqiptar është avokati Vladimir Meçi. Ai ka arritur që drejtësia shqiptare të ndalojë ndërtimin e digave të mëdha mbi Vjosë. Heronjtë shqiptarë dhe ambientalistët ndërkombëtarë kanë një përkrahës prominent: aktorin Leonardo DiCaprio. Sa herë që ai ka postuar diçka në Instagram apo Twitter në mbrojtje të Vjosës, vëmendja e botës është shtuar.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, një mjeshtër i përvetësimit të kauzave publike për interesa të tij, tani ka premtuar se do hiqet dorë nga shkatërrimi i Vjosës, por njëkohësisht ka akuzuar vendet e tjera që pasi kanë shkatërruar lumenjtë e tyre tani vijnë dhe i japin leksione Shqipërisë se çfarë duhet të bëjë me lumin e saj, me Vjosën. Në bisedë me DIE ZEIT Rama e quan këtë qasje hipokrizi, njëkohësisht thotë se universi është tallur me të kur e ka bërë kryeministër.
Bota e ambientalistëve tashmë është mobilizuar. Disenjatorë të firmës amerikane “Patagonia”, e cila prodhon rroba për bjeshkatarë, kanë shkuar në Shqipëri për t’u inspiruar nga ngjyrat e Vjosës. Tani mund të blihen rroba të “Patagonias” nga seria “Balkan Blue”. Në mbrojtje të Vjosës është angazhuar edhe këngëtarja shqiptare Eda Zari. “Lum Lumi i Lirë” është një këngë e saj për shpëtimin e Vjosës. Ajo ka ndihmuar që të shpalosen banerë në mbrojtje të Vjosës te Porta e Brandenburgut në Berlin, te Kulla e Ajfelit në Paris, përballë Operës në Sydney, pranë Golden Gate Bridge dhe pranë Grand Canyon në SHBA. Kështu Vjosa u bë temë globale.
Por presioni ndaj Qeverisë shqiptare duhet të vazhdojë. Sapo ka nisur ndërtimi i aeroportit të Vlorës afër derdhjes së Vjosës në det. Kantieri gjendet afër një lagune me vlerë të madhe ekologjike. 40 shoqata ambienti kanë protestuar kundër këtij aeroporti. Po ashtu edhe 51 anëtarë të Konventës së Bernës, së cilës i përket edhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur dyshime të mëdha ndaj këtij projekti. Shqipërisë i duhet një revolucion ekologjik.