Doruntina Meha
A e keni vënë re kohëve të fundit praninë e madhe të gjuhës turke në sheshin e Prishtinës? Ky fenomen, që shpesh kalon pa u vënë re, lidhet ngushtë me një realitet ligjor dhe social, që meriton diskutim të hapur: shtetas turq me prejardhje shqiptare po kërkojnë dhe marrin shtetësinë e Republikës së Kosovës, në bazë të ligjit që e lejon dhënien e shtetësisë për personat me prejardhje shqiptare. Ligji për Shtetësinë e Kosovës (nr. 04/L-215), neni 13, parasheh mundësinë që shtetësia të përfitohet përmes një procedure të përshpejtuar nga ata që dëshmojnë lidhje familjare ose prejardhje nga territori i Kosovës, apo nga komuniteti shqiptar në përgjithësi. Kjo dispozitë është krijuar për t’i ruajtur lidhjet kulturore dhe historike me diasporën shqiptare, si dhe për t’i përfshirë në mënyrë më të natyrshme ata që kanë lidhje gjaku ose familjare me popullin shqiptar. Liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian u ka dhënë shtetasve kosovarë mundësi të reja për lëvizje të lirë, por, gjithashtu, ka krijuar një situatë ku shtetasit e tjerë, me prejardhje shqiptare, që jetojnë në vende si Turqia, po e kërkojnë shtetësinë kosovare si një mjet për të përfituar nga këto lehtësira. Kjo situatë sjell avantazhe të dukshme. Ajo u jep mundësi këtyre individëve që të integrohen më lehtë në sistemin evropian dhe t’i forcojnë lidhjet me Kosovën, duke sjellë potencialisht investime dhe bashkëpunim kulturor. Për më tepër, kjo i hap dyert për njerëz me rrënjë shqiptare, që ndiejnë lidhje shpirtërore me Kosovën, duke e zgjeruar kështu komunitetin tonë kombëtar. Megjithatë, nuk mund t’i injorojmë sfidat që kjo situatë i sjell. Në mungesë të një mekanizmi rigoroz verifikimi, Kosova rrezikon t’i lërë dyert hapur për abuzime. Nuk kemi informacion të mjaftueshëm mbi identitetin real, historikun e jetës dhe veprimtarinë e mëparshme të shumë prej këtyre personave. Pyetja që lind është se si mund të garantojmë që këta aplikantë nuk kanë pasur përfshirje në aktivitete kriminale apo të tjera, që mund ta dëmtojnë sigurinë e vendit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur mendojmë që, me pasaportën kosovare, ata do të kenë qasje të plotë në zonën Schengen dhe mund të jenë subjekt i kujdesit të shtuar ndërkombëtar. Prandaj, si juriste, theksoj se institucionet e Kosovës duhet të punojnë me përgjegjësi maksimale në krijimin e një sistemi të besueshëm dhe transparent për verifikimin e aplikimeve për shtetësi. Kjo përfshin bashkëpunim me organet ndërkombëtare dhe partnerët strategjikë, për të siguruar që dhënia e shtetësisë të mos shndërrohet në një mjet për kalim pa kontrolle dhe pa përgjegjësi. Në përfundim, liberalizimi i shtetësisë për shtetasit turq me prejardhje shqiptare, nuk duhet të shihet thjesht si një procedurë administrative, por si një çështje me peshë të madhe për sigurinë dhe reputacionin e Kosovës. Çdo dobësi në këtë proces është një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Hapja e dyerve tona duhet të shoqërohet me masa të qarta mbrojtëse dhe verifikime rigoroze, për të mos lejuar që interesat kulturore dhe historike të shndërrohen në rreziqe të padëshiruara. Kosova ka detyrimin që, përmes këtyre mekanizmave, ta mbrojë të ardhmen e saj evropiane dhe ta ruajë besueshmërinë në arenën ndërkombëtare. Ky është momenti për ta hapur një debat të thellë dhe të përgjegjshëm publik, që do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të duhura dhe të qëndrueshme për këtë fenomen që deri më tani është kaluar në heshtje.