Cila duhet të jetë përgjigjja ndaj fanatikëve?
Natyrisht që asnjë shqiptar, asnjë njeri, asnjë besimtar paqësor nuk është fajtor për krimin e tjetrit. Andaj edhe vetëkamxhikosja shqiptare pas krimit në Vjenë nuk është e dobishme fare. Krimi është individual dhe për këtë të dyshuarit për vepra të paligjshme duhet të paguajnë çmimin më të lartë të mundshëm sipas ligjeve përkatëse. Etiketimi paushall se ngjarja e Vjenës bie si “turp mbi krejt kombin” është absurd. Me këtë logjikë do të mund të akuzoheshin krejt të krishterët vetëm pse disa priftërinj merren me pedofili. Ose krejt serbët për shkak se një person me origjinë serbe para disa vitesh vrau ministren e Jashtme të Suedisë.
Por krimi i llahtarshëm në Vjenë nuk duhet të shërbejë as për indiferencë. Shoqëria shqiptare (në diasporë dhe në viset shqiptare në Ballkan) ka një problem me radikalizmin islamist. Kjo është një pakicë pothuaj e padukshme, por e rrezikshme, sepse nuk ngurron të përdorë edhe dhunën për të kryer krime në emër të fesë. Nuk ngurron kjo shtresë e hollë as të shkojë në Siri në emër të luftës për Kalifat.
Çka duhet bërë? Qeveritë në Tiranë, Prishtinë e Shkup duhet të shikojnë se çfarë imamësh po ligjërojnë në disa xhami në diasporë, por edhe në vendet përkatëse në Ballkan. Duhet të shikohet se çka postohet në webfaqet e disa xhamive. Bërllok dhe urrejtje! A i kontrollon ndokush predikimet e imamëve? Në webfaqen e një xhamie në Vjenë besimtarët shqiptarë pyesin: “Hoxhë, a guxoj të martohem me një belge?”, “A bën të shkojë gruaja në pishine publike?”, “A bën të kremtojmë Vitin e Ri?” Dhe hoxha përgjigjet: jo, jo, jo. Sepse kjo është mëkat, gjynah, haram. Sepse myslimani, sipas imamëve radikalë, duhet të bëjë gjithçka të mos i ngjasojë atij me fe tjetër! Domethënë imami në një metropol europian “udhëzon” ithtarët e tij të jetojnë si kundërshtarë të popullsisë vendore.
Pse po tolerohen këta imamë? Dhe pyetja vlen sidomos për qeveritë perëndimore, të cilat nganjëherë më shpesh i pajisin me viza imamët urrejtjenxitës se sa një student apo mjek nga Kosova? Pse predikimet e imamëve në diasporë shpesh ose përherë nuk kanë lidhje me jetën e njerëzve në diasporë, me hallet e tyre, por merren me tema që janë thellësisht në kundërshtim me vlerat perëndimore? Si u bë që në Gjermani, Zvicër e Austri hyjnë e dalin imamë që njihen për predikime agresive e antikombëtare? Çka bëjnë përfaqësitë diplomatike të tri shteteve ku shqiptarët qeverisin? Çka bëjnë institucionet e sigurisë? Çka bëjnë bashkësitë islame?
Nuk ka faj kolektiv, por secili shqiptar që është besimtar duhet ta ketë të qartë pas cilit imam po lutet. Dhe sa janë seriozë këta imamë që duke shfrytëzuar edhe injorancën e shumë njerëzve në diasporë (por edhe në atdhe) mbushin sallat me predikime absurde, gjysma në arabisht, sa për të krijuar përshtypjen e dijetarëve? Nuk janë dijetarë. Janë faqezinj që keqpërdorin fenë për agjendat e tyre antikombëtare.
Terroristi i Vjenës është vjenez. Në radhë të parë. Pastaj është shtetas austriak dhe maqedonas, mandej është mysliman nga një familje shqiptare. Kështu e prezantoi atë një gazetë gjermane dhe kjo renditje ka kuptim. Terroristi është socializuar në Vjenë. Ku është radikalizuar? Në gjykimin e tij në vitin 2019 (për shkak të përpjekjes për të shkuar në Siri) ai tha se më 2016 ishte ngatërruar në një xhami të gabueshme. Cila ishte ajo xhami? Nuk është qëllimi që të “etnizohet” krimi, por gjithsesi duhet të shikohet ambienti social ku është radikalizuar terroristi. Në Vjenë ka xhami “shqiptare” që jo çdo predikim e kanë në përputhje me ligjin. Të martën gjatë ditës policia zvicerane arrestoi dy persona në Winterthur afër Zürichut, të cilët dyshohet se kanë qenë shokë të vrasësit nga Vjena. Winterthur është njëfarë “kryeqyteti” i ekstremistëve fetarë (edhe shqiptarë, por edhe konvertitë zviceranë). Në dekadën e fundit disa shqiptarë nga ky qytet kanë shkuar në Siri, së paku një është vrarë atje. Ja, pra, pse është e rëndësishme të dihet rrethi social i vrasësit. Duhet të ndriçohet bota paralele e imamëve shqiptarë, e atyre që frekuentojnë xhamitë në zona industriale dhe predikojnë urrejtje.
Në disa pyetje duhet të përgjigjen edhe autoritetet austriake. Si ndodhi që pasi u dënua me 22 muaj burg, terroristi i ardhshëm pas pak muajsh u lirua nga burgu me kërkesën që t’i nënshtrohet një terapie? A e ka mbikëqyrur dikush nga autoritetet nëse i dënuari po i respekton urdhrat për terapi? Pse pas dënimit nuk iu mor shtetësia austriake dhe nuk u dëbua nga Austria? Po, do të ishte dënim drakonik, por një person që shkel ligjin dhe dëshiron t’i bashkohet “Shtetit Islamik”, vetëm mëshirë nuk duhet të presë. Sipas gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në vitin 2017 autoritetet austriake kanë numëruar 300 persona që si “xhihadistë” shkuan në Siri e Irak. Numri i terroristëve potencialë islamistë në Austri vlerësohet të jetë rreth 1000 veta. Në Raportin e Shërbimit Sekret austriak të vitit 2018 thuhet: “Për Austrinë kërcënimin më të madh e paraqet pandryshueshëm ekstremizmi islamik dhe terrorizmi”. Në vitin 2018 në Austri u dënua me 20 vjet burg Mirsad Omeroviqi, një fanatik fetar nga Sanxhaku, i cili erdhi në Austri përmes Bosnjës. Ai, sipas gjykatës, kishte nxitur disa veta t’i bashkohen “Shtetit Islamik”. Më 2014 mediat austriake me muaj të tërë raportuan për dy vajza me origjinë boshnjake që shkuan në Siri (mediat bulevardeske në Austri flisnin me ton cinik për “nuset e xhihadit”). Vjena me dekada ka qenë kryeqytet i Ballkanit në kuptimin pozitiv. Njollat e viteve të fundit mund të hiqen nëse të gjithë njerëzit vullnetmirë bashkohen për të luftuar terrorin, i cili nuk zgjedh viktimat, siç tregoi edhe shembulli i fundit i Vjenës, ku terroristi vjenez me origjinë shqiptare vrau një person me origjinë nga Struga.