Përfundimisht, klasa politike e Kosovës nuk e do Kosovën. Nuk e do republikën. Nuk e do shtetin. Ani që gojën plot Kosovë, republikë e shtet e kanë. Këta politikanë, po ta kishin dashur vendin ku kanë lindur, ku janë rritur e shndërruar në këtë çka janë tash, qysh para dy muajsh është dashur ta vazhdonin aty ku e la legjislatura e shkuar, me vendosmërinë që performanca e katër vjetëve të shkuar, më e turpshmja deri te cirku i tanishëm, të mos përsëritej me asnjë kusht të vetëm
Kur ishim fëmijë, e kur 1 Maji a 31 dhjetori binin të premten, duheshim blerë bukë për tri a katër ditë. Për festa, dyqanet “dekoroheshin” me flamujt shtetërorë, të partisë e të kombeve e kombësive, dhe nisja e vendosjes së tyre nëpër vitrina tregonte se nuk do të kishte asnjë aktivitet komercial, përderisa të zgjaste festa, cilado të ishte. Por këto dy të përmendura më lartë, ishin më speciale – sepse festoheshin nga dy ditë.
Në rast të lidhjes së tri ditëve, që në fakt bëheshin tri ditë e gjysmë (përfshirë të enjten pasdite), e në rast se Instituti Meteorologjik do të paralajmëronte motin e mirë, të punësuarit e ndërmarrjeve dhe institucioneve do t’i mësynin Kamenovës, pushimores së Kosovës në Mal të Zi. Pushimorja ka qenë e subvencionuar nga shteti dhe nga ndërmarrjet e punëtorëve, dhe vendosja aty ka qenë gjithsesi më e lirë sesa në hotelet e pakta të bregdetit andej nga Beçiqi e Budva.
Me gjithë rrugën e mundimshme nga Çakorri, që më vonë do të thjeshtësohej pak me rrugën nga Mitrovica bri Ujmanit, të rinjtë, të paketuar në “Fiqat”, veturat e vetme që mund t’i siguronin me kredi, do të niseshin për një “banjo dielli”, siç kishin zakon të thoshin.
* * *
Kur nuk ishin mundësitë për të shkuar kudo, ishte “Gërmia” ajo që do të na mblidhte. Prishtina, përfshirë fshatrat, atëbotë kishte rreth 50 mijë banorë. Dhe ishte shumë, shumë më e vogël. Pra, “Gërmia” na zinte boll – për ta kaluar gjithë ditën duke luajtur; duke i hëngër llokumet e fërguara nga nënat tona para se të niseshim dhe duke pirë çaj pasdite, vluar mbi stufa të vogla gazi, në gjygymët e mbushur me ujë nga çezma e Gërmisë – asaj “të koshat”, që mblidhte ujin nga burimi.
Ende mbaj mend që rruga kryesore, shtruar me kalldrëm, përfundonte pak përtej semaforëve kryesorë (që atëherë nuk ishin), ndërkohë që shtrohej rruga në drejtim të spitalit, që atëbotë përbëhej nga një ndërtesë – ajo që me vite kishte shërbyer si klinika kirurgjike.
E rruga kryesore, në pranverë, do të gjelbërohej nga bliri, i cili do të lulëzonte në verë. Dhe sa herë që lulëzonte, nëna do të thoshte: “erdhi dimri”. Ngase lulëzimi i blirit e nënkuptonte edhe fundin e verës.
Ditët e pushimit atëbotë llogariteshin në ditën që binin – nuk kishte zëvendësime me një ditë para apo një ditë pas. Po qe se qëllonte e diel, “e banim me shnet”.
E gjitha i kthehej normales të hënën. Kush në shkollë, e kush në punë. Aventurat ishin të shkurtra.
* * *
E premte që duket si e shtunë – ishte pikërisht edhe dita e djeshme. Prishtina krejtësisht e boshatisur, me tre a katër kalimtarë rasti në mëngjes; me të gjitha dyqanet dhe thuajse të gjitha kafenetë e mbyllura (pa flamuj, pa mbishkrime “rroftë” kjo apo ajo festë) dhe me të gjitha rrugët e hapura – sikur në kohën e “fiqave” të prindërve tanë.
Nuk e di po qe se furrat kanë punuar ose jo – tashmë i kisha siguruar rezervat, për çdo rast. Ndërkohë që heshtjen e thyente saksofonisti, kësaj radhe “i parkuar” përballë Rektoratit; klarinetisti, “parkuar” para ish-zyrave të KOHËS dhe publiku në stadiumin thuajse të zbrazët, që bënin tifo për Kosovën (faqebardhë, Kosova e mundi Armeninë 5:2 😊 ).
Asnjë ngjarje tjetër, pos vizitave të politikanëve në BIK. Kaloi edhe kjo festë, që nuk ra të shtunën për të pushuar të hënën.
* * *
Këto kujtime qenë ato që më përcollën dje gjithë ditën – duke parë lajmet për rreshtin e pafund të veturave në dalje nga Kosova për në Shqipëri, për një fundjavë të zgjatur. Bajrami qëlloi në fillim të muajit, pra sektori publik tashmë i ka marrë rrogat, dhe mund t’ia lejojë vetes kënaqësinë që të shkojë. Pavarësisht ankesave që gjithçka është shtrenjtuar, përfshirë edhe rrymën për qytetarët dhe për kompanitë e mesme dhe të mëdha. Njëmend po e kam zor të kuptoj se cila është e vërteta për Kosovën. Cila është: “nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur”, apo “jemi shteti më i varfër në Evropë (mbas Gjeorgjisë dhe Ukrainës).
Atë që po e di me siguri, dhe përtej çfarëdo dyshimi, është që jemi skajshmërisht të varfër sa i përket dashurisë ndaj Kosovës. Dita më ditë, që nga fundi i luftës, këtë po e dëshmojmë shumë e më shumë.
E, kampionët në këtë “disiplinë” janë politikanët e Kosovës. Pa asnjë dallim.
* * *
Cirku i Kuvendit po vazhdon, tash e dy muaj. Kemi hyrë për të tretin dhe me gjasë do të shkojmë kështu deri në vjeshtë. Për shkak të insistimit super kokëfortë të VV-së që të shkohet me votimin e fshehtë, që sipas tyre do ta sillte zgjedhjen e Haxhiut, sepse ka deputetë të opozitës së deridjeshme, që do t’i shmangeshin disiplinës partiake.
Por, nga ana tjetër, shkelja e Rregullores së Kuvendit me ndryshimin e formës së votimit, do të mund të ishte edhe thikë me dy tehe: a e kanë sigurinë e plotë se të gjithë deputetët e VV-së me partnerë, do ta votonin njëmend Haxhiun? Apo edhe aty do të mund të ndodhte shmangia nga disiplina partiake. Këtë punë e dinë vetëm ata. Por fundja, kjo s’ka rëndësi, sepse votim të fshehtë nuk do të ketë.
Nejse. Më në fund u bë i ditur qëllimi i VV-së që i “i ka votat për qeveri”, por ja që nuk i ka për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit.
Fillimisht u mbajt mbledhja konsultative e thirrur nga Osmani për caktimin e zgjedhjeve lokale, dhe nga ajo mbledhje u dëgjua Albulena Haxhiu duke thënë se VV-ja sugjeronte që dy palë zgjedhje të mbaheshin të njëjtën ditë. Po e paramendoj KQZ-në duke i menaxhuar tri palë fletëvotime – dhe po e parafytyroj veten duke pritur gjashtë muaj që të numërohen të gjitha votat...
Data ende nuk është caktuar, por gjasat janë që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të sivjetmë.
Të nesërmen doli njëra deputete e VV-së dhe tha se pos dy deputetëve të PDK-së, nuk do ta votonin asnjërin për nënkryetar/e Kuvendi, kurse LDK-së nuk do t’ia votonin asnjërin deputet. Veç pse LDK-ja nuk e voton askënd të VV-së.
E çka është tash kjo?
Asgjë tjetër pos lojë fëmijësh në çerdhe dhe prishje kolektive e nervave.
* * *
E tash. Për t’u mbajtur dy palë zgjedhje në tetor, Kuvendi duhet të konstituohet. Duhet, se më pas duhet të shpërndahet, nëse i duan zgjedhjet. Konstituimi i Kuvendit me automatizëm e nis afatin për votimin e Qeverisë, e cila mund t’i ketë, e mund edhe mos t’i ketë votat. Dhe nëse qeveria Kurti nuk formohet, zor se do të formohet një e “opozitës së bashkuar”, për shkak se do të nevojiteshin votat e Listës Serbe – që do të ishte autogoli më i madh që do të mund ta shënonin.
Dhe derisa Kuvendi tashmë e vulos epitetin e turpit të Kosovës, ka hyrë në fuqi liberalizimi i energjisë elektrike për sektorin privat, pa as edhe një sqarim të vetëm, pa as edhe një udhëzim se çka duhet bërë.
Absolutisht, nuk mjafton që të na thuhet “lexojeni ligjin” që është miratuar qe sa vjet. Nuk mjafton të na thuhet se zbatimi i tij është shtyrë vjet me kërkesë të sektorit privat. Nuk mjafton të na thuhet çfarëdo qoftë tash, kur tetë vjet kanë kaluar dhe absolutisht askush nuk e ka marrë mundin të shpjegojë, t’i udhëzojë, a t’i orientojë bizneset private me një fushatë, me mbledhje a takime. Me çfarëdo qoftë. Po jo. Tash kemi mbetur të gjithë si “qurat (e quranat, besa) nëpër mjegull”.
* * *
Përfundimisht, klasa politike e Kosovës nuk e do Kosovën. Nuk e do republikën. Nuk e do shtetin. Ani që gojën plot Kosovë, republikë e shtet e kanë. Këta politikanë, po ta kishin dashur vendin ku kanë lindur, ku janë rritur e shndërruar në këtë çka janë tash, qysh para dy muajsh është dashur ta vazhdonin aty ku e la legjislatura e shkuar, me vendosmërinë që performanca e katër vjetëve të shkuar, më e turpshmja deri te cirku i tanishëm, të mos përsëritej me asnjë kusht të vetëm.
Nuk jam e sigurt se të gjithë 120 të mbledhurit në Kuvend e dinë mitin për Narcisin. Por shumë jam e sigurt se më shpejt sesa vonë, do ta mësojnë nga shembull vetjak: vetëdashuria të mbyt.