Nëse Gjermania dhe Franca duan vërtet ta shpëtojnë dialogun e Brukselit, atëherë duhet të insistojnë që Marrëveshja e muajit shkurt të nënshkruhet e pastaj palët të detyrohen që ta zbatojnë atë. Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, nuk kanë më fuqi ta shpëtojnë dialogun, pa marrë parasysh shprehjen publike dhe parimore të mbështetjes për përpjekjet e tyre. Ata me improvizime duke ia mundësuar presidentit të Serbisë, Vuçiq, të refuzojë jo vetëm nënshkrimin, por edhe pranimin dhe moszbatimin e Marrëveshjes, e kanë krijuar këtë situatë në të cilën dialogu duket më shumë i dështuar sesa si sukses
Sado e çuditshme të duket, në një gjë duhet besuar më shumë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sesa përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak. Duhet besuar Vuçiqit kur ai thotë se, pos që nuk e ka nënshkruar, as nuk e ka pranuar e as miratuar ndonjë marrëveshje me Kosovën. Vuçiq shumë qartë ka thënë se ai vetëm është pajtuar “për një koncept për normalizim”, nga i cili Serbia “do të zbatojë disa gjëra e disa jo”. Dhe, ka shtuar presidenti i Serbisë, ai ua ka bërë të qartë bashkëbiseduesve evropianë se cilat pika nuk e ka ndërmend t’i zbatojë.
Pse duhet besuar më shumë Vuçiqit sesa Borrellit në këtë pikë. Sepse Vuçiqi është lider i njërës palë në dialog. E nëse lideri i njërës palë thotë se nuk ka marrëveshje, atëherë vërtet nuk ka. Për më tepër, Vuçiq dhe Serbia kanë dëshmuar qartë se nuk e kanë ndërmend ta zbatojnë asnjë obligim nga Marrëveshja për të cilën BE-ja insiston se ekziston, dhe madje se është “ligjërisht obliguese” për palët. Serbia ka votuar kundër nisjes së procedurës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Pra, nëse në atë kohë thuhej se ekziston një marrëveshje, e një pikë e saj flet për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, me këtë votim ajo e ka shkelur këtë pikë. BE-ja nuk ka reaguar. Duke mos reaguar i ka dhënë të drejtë Serbisë. Dhe e ka inkurajuar të vazhdojë më tej. T’u dërgojë letra vendeve të BE-së që të mos e mbështesin kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE. Me këtë Serbia e ka shkelur jo vetëm Marrëveshjen për të cilën BE-ja pretendon se është arritur në Bruksel në muajin shkurt të këtij viti, por edhe atë të vitit 2013, e cila thotë se palët “nuk do të pengojnë, e as nuk do të inkurajojnë të tjerët të pengojnë rrugëtimin e tyre përkatës evropian”. E nuk ka rrugëtim më të qartë përkatës evropian sesa synimi për t’u bërë anëtar i BE-së dhe i Këshillit të Evropës. Ja, BE-ja nuk reagoi as kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, refuzoi të dalë në një foto të përbashkët të pjesëmarrësve të takimit ministror në Tiranë si përgatitje e Samitit të Procesit të Berlinit, për shkak se nuk donte të dilte në foto ku ndodhej edhe flamuri i Kosovës. Me këtë ai shkeli pikën e cila thotë se palët duhet të respektojnë simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.
Sa herë që bëhen këto pyetje në Bruksel zyrtarët e lartë të BE-së nisin duke e arsyetuar Serbinë, “E, po sikur Kosova të kishte bërë këtë” apo “sikur Kosova të mos e kishte bërë këtë”. BE-ja vazhdon të dëshmojë se nuk ka asgjë që Serbia nuk mund të bëjë e të shpëtojë jo vetëm pa u sanksionuar, por as pa u qortuar nga BE-ja. A kanë frikë apo e mbështesin Vuçiqin, Borrell dhe Lajçak le të përgjigjen më së miri vetë. Apo vërtet mendojnë se ai gjithmonë ka të drejtë e Kosova gjithmonë e ka gabim.
Improvizimet që Lajçak dhe Borrell i kanë bërë për të krijuar përshtypjen se ekziston një marrëveshje janë sa të çuditshme, aq edhe qesharake. Nëse vërehen deklaratat e lëshuara nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS), aty shihet një kreativitet i paparë gjuhësor. Aty gjenden formulime si “palët u pajtuan se nuk ka më nevojë të diskutohet për tekstin e marrëveshjes”. Ata ndoshta kanë dashur me këtë të thonë se teksti është i mbyllur, ai nuk mund të ndryshojë dhe se marrëveshja është e tillë çfarë është. Por kësaj dileme se çfarë do të thotë kjo thënie i është përgjigjur presidenti i Serbisë duke thënë “hiq nuk më shqetëson se çfarë thonë ata, le të thonë çfarë të duan”.
Shpesh zyrtarët e BE-së përmendin se në dialog duhet të jenë të gjithë “konstruktivë”, por edhe “kreativë”. Ky kreativitet i ka sjellë deri tek improvizimi se “marrëveshja është ligjërisht obliguese, sepse do të përfshihet në Kapitullin e 35-të të negociatave të Serbisë me BE-në”. Kjo është shumë, shumë naive. Kapitulli që ka emërtimin “Çështjet e tjera” e ku në rastin e Serbisë BE-ja ka vendosur normalizimin e raporteve të Serbisë me Kosovën si kusht, ka rëndësi. Por ai nuk mund të ketë peshën e obligimit ligjor. Sepse as anëtarësimi në BE, as procesi i negociatave e sidomos jo një kapitull, nuk janë obligim, por janë çështje e zgjedhjes. Çfarë ndodh për shembull me Marrëveshjen nëse Serbia heq dorë nga qëllimi për anëtarësim në BE.
Kur presidentit të Serbisë i lihet mundësia për të shtyrë obligimet, për t’i evituar ato, ai këtë e shfrytëzon shumëfish. Këtë mundësi ia kanë dhënë në BE. Siç ka shkruar në një kolumnë Veton Surroi, Serbisë i është mundësuar që një marrëveshje për të cilën është thënë se është paraqitur si “merre ose lëre”, ajo “as ta merr, por as ta lërë“. Edhe këtu duhet rikujtuar se Vuiçiq e ka thënë të vërteten para se të ndodhte takimi ku ai duhej “ta merr ose ta lërë“ Marrëveshjen. Ai në një intervistë televizive, duke shpjeguar se sa të vështirë e ka jetën, në çfarë situate është sjellë me propozimin franko-gjerman, pati thënë: “Unë nuk mund ta pranoj - por nuk mund as ta hedh për dritare”. Është dashur BE-ja, e në këtë rast edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta marrin seriozisht Vuçiqin.
Pse Lajçak dhe Borrell, kur Vuçiq nuk ka pranuar të nënshkruajë Marrëveshjen nuk kanë dalë të thonë se “ky takim dështoi sepse Serbia nuk ishte në gjendje ta nënshkruante“. Por kanë kërkuar rrugëdalje për Serbinë duke thënë se “duhet të nënshkruhet së bashku me aneksin”. Vetë zyrtarë të BE-së thoshin se “marrëveshjet e panënshkruara janë vetëm deklarata të kota politike”. E tash krijojnë iluzione të rrezikshme me pohimet se ekziston ndonjë marrëveshje, dhe për më tepër ajo është “ligjërisht obliguese”. Një qasje e tillë kur gjithçka që propozon Kosova quhet “joreale” e gjithçka që refuzon Serbia “e logjikshme”, që është logjikë e atyre që mendojnë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë gabim” e ka sjellë dialogun në qorrsokak dhe ka krijuar edhe rrethana ku lufta është më afër sesa normalizimi.
E vetmja mënyrë tash për ta shpëtuar dialogun është insistimi që marrëveshja të nënshkruhet tash. Nëse Gjermania dhe Franca duan vërtet ta shpëtojnë dialogun e Brukselit, atëherë duhet të insistojnë që Marrëveshja e muajit shkurt të nënshkruhet e pastaj palët të detyrohen ta zbatojnë. Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak nuk kanë më fuqi ta shpëtojnë dialogun, pa marrë parasysh shprehjen publike dhe parimore të mbështetjes për përpjekjet e tyre. Ata me improvizime duke ia mundësuar presidentit të Serbisë, Vuçiq, të refuzojë jo vetëm nënshkrimin, por edhe pranimin dhe moszbatimin e marrëveshjes, e kanë krijuar këtë situatë në të cilën dialogu duket më shumë i dështuar sesa si sukses. Nëse kërkohet rrugëdalje për Vuçiqin, që atij t’i lehtësohet jeta, atëherë asgjë nuk do të ketë nga dialogu, dhe pasojat do të ndihen në terren.