OpEd

Viti i parë pa viza apo i fundit me viza

Viti 2023 do të jetë një vit me pak ngjarje të mëdha sportive, pa Lojëra Olimpike, pa kampionate botërore apo evropiane në futboll. Por viti 2023 do të jetë një vit për t’u përgatitur për vitin 2024. Ndoshta fati na është shkruar që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza pikërisht në vitin 2024 për ta shikuar kombëtaren e Kosovës në Evropianin 2024 në Gjermani, apo garuesit e Kosovës në Lojërat Olimpike 2024 në Paris.

Jo pak kolumna për numrin e Vitit të Ri të Kohës Ditore ia kam kushtuar liberalizimit të vizave, siç ia kam kushtuar qindra tekste, raporte dhe intervista. Dhe sa më shumë e kemi përmendur, aq më e popullarizuar është bërë kjo temë për qytetarët e Kosovës. Edhe sot nuk ka temë që zgjon më shumë kureshtje dhe interes te qytetarët e Kosovës. Tash e dhjetë vjet është tema kryesore për të cilën më pyesin bashkudhëtarët kur udhëtoj për në Kosovë, policët në kufij përderisa shfletojnë pasaportën, shoferët e taksive, kolegët në redaksi, i tërë farefisi i ngushtë dhe i gjerë, nga ana e babait dhe nënës, komshinjtë dhe shoqëria e gjerë. Edhe njerëzit në rrugë që nuk i njoh, por më kanë dëgjuar duke raportuar për këtë temë.

Djali im është rritur duke i dëgjuar të tjerët të më bëjnë pyetje se „kur bre do të na i heqin qato viza“. Ka qenë shumë i vogël kur e ka kuptuar fjalën „liberalizim“. Dhe kur ia kam shpjeguar se çfarë do të thotë, dhe se pa këtë „liberalizim“ askush nga Kosova nuk mund të vijë për shembull në Belgjik pa marrë një vizë, komenti i tij ka qenë shumë i shkurtër: „po kjo nuk është fer”. Pse ashtu? Pse ne mund të vijmë në Kosovë pa viza, e këta nga Kosova nuk mund të vijnë në Belgjikë“. Ndjenja e fëmijëve për drejtësi dhe padrejtësi është shumë më e madhe sesa e të rriturve. Ata e kanë më të vështirë të kuptojnë se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Gradualisht, e kuptojnë këtë gjatë rritjes dhe shkollimit, dhe në këtë mënyrë përgatiten për t’u përballur me sfidat në jetë, e cila nuk është gjithmonë e drejtë. Ka qenë shumë i vogël kur ka nisur ta ketë edhe ai obsesion liberalizimin e vizave për Kosovën. Sepse e ka kuptuar si një garë mes një padrejtësie që i bëhet Kosovës dhe një drejtësie që duhet të ndodhë. Dhe gradualisht e ka kuptuar si një gjë që u intereson tepër shumë të afërmve në Kosovë. Dhe dëshira e tij është që sa më shpejt të ndodhë liberalizimi që „babanë pastaj ta lënë rehat kur të vijë në Kosovë dhe të mos e pyesin gjithmonë e gjithkund se kur do të bahet qaj far liberalizimi i vizave“.

Për liberalizim vizash më pyesin edhe kosovarët nga diaspora. Me hajgare i pyes se a e kanë për t’u gëzuar apo e shohin si shqetësim!?. Pas liberalizimit mund të kenë edhe shumë vizita befas nga të afërmit. Nuk do të duhet t’u kërkojnë garancione për viza. Mund t’ju ndodhë që vetëm të dëgjojnë një thirrje telefonike: „hajde merrem se jam qitu në Aeroport“. Ose „Hej, me cilin tramvaj apo autobus vij prej aeroportit deri te shpija jote!“.

Hajgaret anash, seriozisht BE-ja e ka tepruar me stërzgjatjen e këtij procesi. Nuk ka dyshim se i ka mbajtur kosovarët të izoluar dhe të diskriminuar. Por keqardhja nuk është kategori politike, e as kriter në vendimmarrje, prandaj edhe janë kërkuar dhe gjetur mijëra arsye për ta parandaluar apo vonuar vendimin për liberalizimin e vizave.

Dhe viti që po lëmë pas, më shumë se cili vit tjetër, ka qenë vendimtar për liberalizimin e vizave. Praktikisht, është miratuar vendimi i cili duhet të formalizohet dhe me disa hapa në tre muajt e parë të vitit 2023. Dhe sikur të mos ndodhte ajo që njihet si „ligji i Marfit“ (Gjithçka që mund të shkojë keq, do të shkojë keq) Kosovarët do të mund të lëviznin pa viza realisht nga data 1 prill e vitit 2023. Dhe ky ka qenë qëllimi. Nuk ka arsye as praktike e as tjetërfare që kjo të mos ndodhë. Por disa shtete të BE-së u kujdesën që kosovarëve „t’ua vjedhin edhe disa muaj“.

Së pari kërkuan që kjo të lidhet me funksionalizimin e plotë të sistemit evropian të autorizimit dhe verifikimit të udhëtimit, i njohur me shkurtesën ETIAS. Por kosovarët nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë që ky sistem të jetë i gatshëm. Është BE-ja dhe shtetet anëtare që kanë dështuar ta bëjnë funksional dhe i kanë tejkaluar disa afate. Prandaj edhe është dashur që të sigurohet që, nëse do të ketë shtyrje të reja, atëherë kosovarët gjithsesi, me apo pa ETIAS. Të kenë në fuqi liberalizimin e vizave. Dhe u propozua që më 1 dhjetor të vitit 2023 të hyjë në fuqi liberalizimi. Por u ngjet Spanja të kërkojë që të shtyhet „vetëm për një muaj“ për të hyrë në fuqi me 1 janar 2024. Një kërkesë e kotë, paragjykuese e cila nuk ka asnjë kuptim. Spanja thjesht nuk deshi që liberalizimi të hyjë në fuqi në kohën kur ajo ka kryesimin e radhës së BE-së. Por tash janë dy data. E para megjithatë, është 1 nëntori 2023, nëse në atë datë hyn në fuqi ETIAS-i. Pra, nëse BE-ja do të ketë sukses atëherë liberalizimi i vizave do të nisë dy muaj më herët sesa që deshi Spanja. Prandaj gjatë kryesimit me BE-në Madridi duhet të bëjë çmos që ETIAS-i të mos hyj në fuqi, sepse kjo do të nënkuptonte edhe hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën, akoma gjatë kryesimit spanjoll. Do të ishte fat për BE-në sikur kjo të ishte e vetmja gjë e palogjikshme që ndodh në vendimet dhe diskutimet e saj. Por ajo që është me rëndësi është se liberalizimi tash vërtet po ndodh e i kemi dy vjet që konkurrojmë për titull. A do të ketë viti 2023 i fundit me viza apo i pari pa viza?

Janë vetëm dy muaj dallim. Nëse e do fati dhe „njëfarë ETIAS-i“ hyn në fuqi më 1 nëntor të vitit 2023, kosovarët prej asaj dite do të mund të udhëtojnë pa viza. Nëse jo, atëherë këtë do ta bëjnë prej 1 janarit 2024. Dilema është e rëndësishme: cili do të mbetet si vit historik për kosovarët? E unë shpresoj që kolumnën për numrin e vitit të ri 2024 t’ia kushtoj ndonjë teme tjetër. Me shpresë sportit. Sepse viti 2023 do të jetë një vit me pak ngjarje të mëdha sportive, pa lojëra olimpike, pa kampionate botërore apo evropiane në futboll. Por viti 2023 do të jetë një vit për t’u përgatitur për vitin 2024. Ndoshta fati na është shkruar që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza pikërisht në vitin 2024 për të shikuar kombëtaren e Kosovën në Evropianin 2024 në Gjermani, apo sportistët e Kosovës në lojërat Olimpike 2’24 në Paris. Kemi pritur gjatë liberalizimin dhe ai po vjen. Kemi pritur edhe kualifikimin për ndonjë ngjarje të madhe në futboll dhe koha ka ardhur që edhe kjo të ndodhë. Dhe për këtë vit 2023 të jetë një vit me shumë gëzime, harmoni dhe suksese.